Kryesore

“Prijësi i palavdishëm”, autori Enton Bido sjell kronikën e tij…

               Publikuar në : 11:07 - 22/06/20 liberale

“Prijësi i Palavdishëm” është prurja më e fundit letrare e autorit Enton Bido, e cila mes faktit historik dhe stilizimit letrar, rindërton jetën e mbretit të vetëshpallur të Shqipërisë, Ahmet Zogu, në 10 ditëshin e fundit para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Kritika e ka vlerësuar autorin për ruajtjen intuitive të raporteve të drejta të asaj që i përket kronikës, historisë dhe laboratorit të tij krijues.

Studiuesi Kristaq Jorgo në një kritikë mbi këtë roman, çmon se autori Bido ka guxuar të bëjë protagonist të sprovës së vet të parë romanore një figurë të historisë së Shqipërisë, duke shpërfaqur „aftësinë për të pikasur dhe qëmtuar detajin e funksionalizuar mirë në vijë të karakterizimit të personazheve; për të depërtuar në psikologjinë e personazheve dhe të protagonistit,  për të bërë zhbirilime të botës së brendshme si edhe një aftësi për të luajtur me kohën, për t’iu shmangur linearitetit kronologjik, për ta ndërtuar të tërën si një mozaik pjesëzash, të cilat nuk i lidh kronologjia, e cila thyhet aty-këtu, shpesh me paramendim“.

Shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka, çmon se ndodhemi para një teksti që nuk mund ta kalojmë vetëm me një lexim.  “Prijësin e palavdishëm” e shoh si letërsi, thotë Prof.Gjoka.  “Autori nuk merr përsipër që të shterrojë gjithçka rreth figurës së protagonistit. Janë marrë disa çaste dhe nuk është projektuar si roman historik… Struktura e përthyer dhe digresionet japin shenjën se Enton Bido po vjen si romancier; nuk është rrëfimtar klasik, është më komunikativ, nuk na kujton historinë, është lëvrues i disa  gjnive letrare. Romani mund të lexohet si letërsi e mirëfilltë dhe ka një fund të hapur.”

Alda Mehmeti, shkrimtare dhe publiciste vlerëson se “është për t’u përgëzuar fakti, që në një kohë narrative relativisht të shkurtër, autori paraqet disa tablo ngjarjesh e personazhesh, që përbëjnë risi në aspektin letrar. Zhanër i shkurtër, fraza koncize, që flasin e shpjegojnë shumë; zhdërvjelltësi narrative, që i jep larmi subjektit dhe nuk e lodh lexuesin”.

“Prijësi i palavdishëm” është një roman i llojit të shkurtër. Koha në roman përfshin 10 ditëshin para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste; ngërthen brenda saj disa ngjarje njëherësh, të cilat kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me personazhin kryesor si: dasma, atentati I mbretit, revoltat në vend dhe dënimi i tyre, epjen e tij, ndërkallje e intermexo të ndryshme.

Bido, gjithmonë ka dëshmuar origjinalitet në stilin e të shkruarit, por me “Prijësin e palavdishëm” ai vjen tepër origjinal edhe në konceptim, thotë në prezantimin e veprës Teuta Dhima, kritike letrare.  

“Bido nuk ndjek askënd, përveç muzës së tij. Romani, ka brenda tij 14 personazhe, ca realë e ca të imagjinuar. Tipizimi i tyre përmes gjuhës, ndërthyrja e disa batutave të shkurtra, krijojnë një imazh të saktë për vendin, situatën dhe personazhin.

Romani nis me personazhin kryesor të cilit po i bëhet një portret. Në letërsi portreti ka kuptimin e përshkrimit të jashtëm të ndonjë heroi apo figure letrare, të fytyrës së tij, të trupit, të veshjes etj. Kjo dhe vendosja e kunorës së Skanderbegut, janë detaje që dritësohen edhe nga faktet historike që sjell historiani K. Frashëri: – A. Zogut i pëlqente të zbukuronte biografinë e vet të hershme, i pëlqente kur quhej pasardhës gjenetik i Kastriotëve, madje Kristo Floqi, i thuri edhe himnin që mbaronte me vargun, nip stërnip i Skënderbeut.  Autori, duke ironizuar e quan prijës dhe jo mbret. Ahmet Zogu u vetëshpall, ai nuk mund të ishte një mbret; një prijës i palavdishëm, po.

Autori nuk merr përsipër të thellohet në elementë biografikë. Ai mjaftohet me kujtimin e natës së parë të martesës, vështirësinë për të mësuar valsin (mendoni një mbret që nuk di të vallëzojë vals), apo mbingarkesën e fustaneve të zonjave dhe bizhuterive në këtë martesë për të dhënë mesazhin që: Fisnik lind, nuk bëhesh. Ose, Paralel kamja me mendjen, pasuria me kulturën.  Fjalët e së motrës: – Tek ty burrnia përzihet me pak ndrojë, janë më se të mjaftueshme për të kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë për ndrojë, por për plane të tjera dhe lëvizje strategjike për të cilat mbreti i vetëshpallur shquhej.

Kur merr përsipër të trajtosh apo të kesh si personazh kryesor të rrëfimit tënd një figurë historike të përmasave të mbretit të vetëshpallur shqiptar, sigurisht që do të kthehesh prapa në kohë për të vlerësuar historinë, faktet e saj. Bido e bën këtë kthim, sjell përshtypjet nga vëzhgimet që i bëhen mbretit dhe i pranëve figura dhe personazhe të tjerë, të cilët i përdor në funksion të asaj që kërkon të thotë. Përmend këtu shprehjen e kontit: U martua maloku në një alamet dere mbretërore të trashëguar. Keparë ti? Doli i zoti, ç’i do llafet! Apo eufemizmat e Danoç Sahtçisë: Madhnia reptile etj.

Ndërsa Bido, e përshkruan kështu mbretin e vetëshpallur:

Ai ishte si i ndrydhur, i kontraktuar. Në fakt, festat ai nuk i kishte fort për zemër. Nuk ndihej mirë në to. Nuk hynte tek tipat që u pëlqente shumë të zbaviteshin.. Ishte tip i dhënë pas karrierës, punëve, pushtetit.

Një gjuhë e pasur, e gjallë plot figura letrare dhe fjalëformime, eufemizma domethënës si: çizmja, këmishëzinjtë, mbreti reptil, mbretëruc apo inversioni i famshëm Jetëburg, për vendin e prejardhjes së mbretit Burgajet. Gjuha e personazheve është në përshtatje të plotë: mbreti në dialektin e tij, Mujo Ulqinaku dhe e shoqja në të tijin dhe konti në gjuhën e tij italiane. Këto janë kleçka që Bido i përdor qëllimisht për t’i dhënë ngjyrimin e duhur situatës.

Me romanin e Bidos “Prijësi i palavdishëm”, letërsisë shqipe i shtohet një roman i shkruar mirë, konçiz, ku personazhet, të tipizuar me mjeshtëri, përbëjnë në vetvete karaktere. Zakonisht, romanet me tematikë historike, tentojnë të lodhin disi vëmendjen e lexuesit me përshkrime e detaje, gjë të cilën autori Bido e ka eleminuar me koncizitetin, ironinë dhe përkufizimin e qartë të situatave, pa lënë vend për hamendësime dhe duke duke dhënë kënaqësi në lexim”.

As.Prof. Dr. Kristo Jorgo ndalet me shqetësim në një feomen që tejkalon autorin Bido dhe romanin e tij të fundit, duke përfshirë të gjithë letërsinë shqipe, dhe jo vetëm atë moderne.

Jorgo tërheq vëmendjen tek një raport jo i drejtë i letërsisë shqipe me historinë dhe me protagonistët e historisë shqiptare, kur thotë se “Letërsia shqipe dhe autorët shqiptarë në përgjithësi respektojnë një qëndrim thjeshtëzues, parodizues, skematizues të vetëdijes kolektive shqiptare  mbi të kaluarën e vet dhe mbi personalitetet  e saj. Dhe ne na duket përgjithësisht sikur figurat tona historike, ose janë heronj që nuk i ka bota, që s’i ka njohur, ose janë  ca qenie të deformuara, ca liliputër, të cilët meritojnë prani vetëm në art, vetëm në përvijime skematike. Kjo nuk është – për mendimin tim, aspak e vërtetë; një personalitet i historisë shqiptare – pozitiv, apo negativ në gjykimin e gjithkujt, s’ka rëndësi, – është po aq kompleks, po aq i ndërlikuar, bart po aq dramë, po aq tragjedi, po aq thellësi, sa çdo personalitet i cilësdo kulturë, i cilitdo areal historik kulturor, pa përjashtim. Vogëlsia jonë si gjindje, vonesa jonë historike dhe disa tipare të pamira të mentalitetit tonë kolektiv, na bëjnë që ne të mos e lexojmë kështu veten tonë historike, veten tonë kolektive dhe, ç’është kryesorja, letërsia, historiografia, mendimi historiografik shkon në vijë të mentalitetit shqiptar, dmth në vijën e harresës, e  thjeshtëzimit, e përvijimit skematik; pastaj vjen radha e letërsisë, e cila për vetë natyrën e saj është e prirur prej thelbit të vet nga thellësia, nga kompleksiteti. Letërsia shqipe, për fat të keq, vijon në raport me historinë, traditën e mentalitetit shqiptar, traditën e mendimit historiografik shqiptar, ndërkohë që duhet të ishte ajo që të bënte përmbysjen. Është kjo arsyeja, për mendimin tim, se pse si bashkësi, si kolektivitet, bota shqiptare është akoma në adoleshencën e vet, jo në pjekuri. Mjeti që do të mund të bënte kalimin e botës shqiptare nga adoleshenca në rini dhe burrëri, do të mund të ishte arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti.  Letërsia shqipe, për fat të keq, nuk e ka akoma këtë cilësi në raport me historinë e vet. Nuk ka arritur akoma që të ngrihet, të kuptojë detyrën e vet, që atdheu estetik shqiptar duhet të zbulojë thelbin, esencën e atdheut real shqiptar dhe atdheu real shqiptar nuk është ashtu siç shpesh na sheh bota, dhe sikundër shpesh ose gjithmonë e shohim veten, do të thotë diç e parëndësishme, diçka e sajuar me disa personazhe që u ngjajnë këtyre kukullave që i lëvizin duart dhe nuk janë të plota si karaktere, nuk janë te plota si qenie dhe nuk janë të plota në ndërveprimet dhe në raportet e tyre”.

Vepra të tjera të autorit Enton Bido

Psikoqiellore (poezi)

Terrinës kuturu (poezi)

Rrëfime tê plagosura (tregime)

Kurorëshkelja (tregime dhe novela)

Pena e Durrësit (bibliografi), bashkëautor

Nga tradita te bashkëkohësia (studime letrare)

Para Zbulesës (poezi, prozë poetike)

Botë të reja (poezi, përkthime)

Përkthime:

E bukur është rinia – Hermann Hesse (novela)

Koha e të fshehtave – Marcel Pagnol (roman)

I madhi Kër – Jean-Christophe Rufin (roman)

Edhe një herë për lumin – Jacques Prevert (poemë)

Kismeti – Nevine Yousry (roman) /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back