Editorial

Perëndimi i ndarë për Kosovën

Shkruar nga Liberale
Perëndimi i ndarë për Kosovën

Ervis Iljazaj

Është e qartë se, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndrime totalisht të kundërta, të paktën kështu është krijuar perceptimi nga deklaratat e fundit për çështjet më të rëndësishme për sa i përket Kosovës.

Është tepër navie të mendosh se akuzat e ngritura nga gjykata e Hagës për Hashim Thacin dhe Kadri Veselit një ditë përpara takimit ne Shtëpinë e Bardhë me palën serbe janë rastësore.  Sigurisht si cdo organizatë tjetër ndërkombëtare, ashtu sikurse është në fakt Gjyka e Hagës , ka ndikimit e saj nga shtete të ndryshme. Në këtë kuptim, akuzat e ngritura për liderët kosovar kanë të bëjnë me këtë takim ku do të varen fatet e marrëdhieneve midis Kosovës dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë dhe fatet ndoshta të gjeopolikës në Ballkanin Perëndimor. Duke qene se është në lojë gjeopolitika, atëherë, edhe interestat janë të mëdha.

Dihet  tashmë, se dy aleatët tradicional të Kosovës, Bashkimi Europian dhe ShBA, kanë qëndrime të kundërta për sa i përket cështjes së Kosovës. Fakti që këto dy aleatë janë në konflikt, kjo  gjë e dëmton interesin e Kosovës.

ShBA e ka shprehur hapur mbështetjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që, shumë nga vendet e Bashkimit Europian, me në krye Gjermaninë janë totalisht kundër një marrëveshjeje potenciale midis dy shteteve që kanë si objekt korrigjimin e kufijve.

Dhe ky, nuk është rasti i vetëm që dy nga palët ndërkombëtare që kanë ndikim në Kosovë ndajnë qëndrime të ndryshme.

Kështu ndodhi edhe me rastin e krijimit të ushtrisë se Kosovës, e cila mori mbështetjen e SHBA dhe jo të vendeve të rëndësishme të Bashkimit Europian.

Po të shtosh këtu “konfliktin” që shpërtheu midis Haradinajt dhe Mogherinit në atë kohë, atëherë situata bëhet edhe më e qartë.

Por, çfarë ka ndodhur që SHBA dhe BE  kohët e fundit kanë qëndrime të ndryshme për çështjen e Kosovës?

Ka ndryshuar politika amerikane në Ballkan dhe Kosovë me ardhjen e Trump në pushtet?

Apo ka ndryshuar qëndrimi i Bashkimit Europian, i cili trajton në mënyrë të diferencuar Kosovën dhe Serbinë, duke favorizuar këtë të fundit në shumë nga çështjet përkatëse, ashtu sikurse flitet në tavolina të ndryshme, por që nuk thuhet qartë dhe fortë nga politika shqiptare?

Është e guximshme t’u japësh një përgjigje kategorike këtyre pyetjeve, por një gjë është e sigurt nga gjithë kjo histori. Më së paku mund të kuptohet se  me ardhjen e Trump në pushtet, marrëdhëniet midis SHBA dhe Europës nuk janë më siç kanë qenë me administratën e demokratëve. Prandaj, politika e tyre, dukshëm në rajon dhe Kosovë është totalisht e ndryshme.

Çdo projekt i Europës për rajonin i konceptuar dhe i hartuar më parë, po rrëzohen çdo ditë nga ShBA duke u bazuar në parime të tjera. Parime të cilat, kanë marrë formën e filozofisë trampiste për të qeverisur. Një filozofi që kërkon zgjidhje të shpejtë, të qartë, afatgjatë dhe pa shumë komplikime.

Me sa duket, Donald Trump dhe politika amerikane është e vendosur ta zgjidhë njëherë e mirë konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë po investohet personalisht.

Kjo nuk do të thotë aspak që BE është kundra interesave të shtetit të Kosovës. Por, vendimmarrja dhe politika e jashtme e Bashkimit Europian nuk ka efikasitetin e asaj të SHBA. Pasi, BE është një organizëm i përbërë nga shumë shtete. Dhe, brenda saj ka qëndrimet të ndryshme për sa i përket çështjes së Kosovës. Gjë e cila, bën që procesi i bisedimeve dhe vendimmarrjeve të jetë shpeshherë i ngadalshëm dhe i paqartë.

E megjithatë, përtej çdo debati, e rëndësishme është që Kosova duhet të fillojë një proces dialogu me Serbinë pa paragjykime, pa hije të së shkuarës dhe kompleksin e inferioritetit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë izolimit të saj dhe për të realizuar integrimin e saj të plotë në organizatat ndërkombëtare. Me pak fjalë, politika kosovare duhet të kalojë nga romanticizmi patriotik në diplomaci, ashtu sikurse kërkon momenti politik ndërkombëtar. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH