Globi

Presidentja e Harvardit kërkon falje për komentet mbi antisemitizmin: Më vjen keq!

Shkruar nga Liberale
Presidentja e Harvardit kërkon falje për komentet mbi antisemitizmin:

Presidentja e Universitetit të Harvardit Claudine Gay, kërkoi falje të premten mes një rritje të trysnisë për dorëheqje të presidentes së Universitetit të Pensilvanisë, lidhur me dëshminë e tyre në një seancë dëgjimore në Kongres mbi antisemitizmin.

Kritikët, duke filluar nga Shtëpia e Bardhë, thonë se drejtuesit e universiteteve elitë amerikane kanë dështuar t’i japin përgjigje rritjes së antisemitizmit në kampuse.

Në një intervistë të enjten për gazetën studentore “The Crimson”, presidentja e Harvardit, Claudine Gay, tha se ajo u përfshi në një shkëmbim të nxehtë në një seancë dëgjimore të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nuk arriti të denonconte siç duhet, kërcënimet për dhunë ndaj studentëve hebrenj.

Këtë javë ligjvënësit republikanë akuzuan këto universitete se kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje për studentët hebrenj ndërsa drejtuesit e tyre refuzuan të thonë qartë nëse thirrjet e grupeve studentore pro-palestineze, për kryerje të gjenocidit ndaj hebrejve, thyejnë kodin për bulizëm dhe ngacmim, shkruan VOA.

Ndërkohë, një donator i madh i Universitetit të Pensilvanisë, Ross Stevens, i bëri të ditur të enjten zyrtarëve të këtij universiteti, se do të tërhiqte një dhuratë në vlerën e 100 milionë dollarëve, për shkak të “qëndrimit ndaj antisemitizmit në kampus” dhe nëse nuk zëvendësohej presidentja e tij, Liz Magill.

Dëshmitë e zonjës Gay dhe zonjës Magill kanë shkaktuar reagime të forta në vend, sikurse edhe qëndrimi i Presidentit të MIT-së një tjetër universitet elitë, i cili gjithashtu dëshmoi të martën para Komisionit të Arsimit të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët. Donatorë, ish-studentë si dhe anëtarë të Kongresit në të dyja partive, kanë kërkuar dorëheqjen e tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH