Aktualitet

Prapaskenat/ Çmimet e letërsisë, Bardhyli: Pse u çmuan Kadare e Nela

Shkruar nga Liberale

Fatmira Nikolli

Përtej shkëlqimit të “shandanëve”, tavolinave rrethore që të krijonin mirazhin e vagullt të çmimeve OSCAR, ceremonia e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë lë pas pëshpërimat në tryezat e përditshme për ata që u çmuan nga juria. Orkidetë e bardha, beze e zezë, ndriçimi vezullues, i mbeten sallës që zëvendësoi konferencat për shtyp të viteve të tjera.

Mes emrave që morën çmim, janë “Gurët e vetmisë” nga Tom Kuka (Kel Demi) gazetar me veprën e tij të parë si autor, Ismail Kadare me “Kur sunduesit grinden” që ndalet te raportet mes elitave intelektualëve dhe udhëheqësve komunistë, Havzi Nela- poeti i varur në fund të diktaturës pse i shkroi lirisë. Mes kësaj tresheje burrash të letrave është edhe Mimoza Hafizi, ish-deputete e shkencëtare që vlerësohet për “Pikën e trëndafilit”, letërsi për të rinj.

Mes të përmendurve për secilën kategori, nuk ka fort surpriza. Nga 650 vepra shqiptare të marra në shqyrtim për vitin 2018 dhe 700 veprave të përkthyera, juria e përbërë nga Brikena Çabej, Dhurata Shehri, Visar Zhiti, Riza Braholli me Alda Bardhylin si kryetare e jurisë tashmë përballen me mendimet ndryshe. Veçse këto mendime ndryshe e patën fillesën e tyre që në juri, ku në disa muaj, debatet qenë të shumta për disa emra. Alda Bardhyli në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon punën që u bë për të nxjerrë fituesit dhe iu përgjigjet pyetjeve të drejtpërdrejta për emrat e çmimet dhe ato që janë çështjet e nxehta në letërsinë tonë, qoftë edhe dilemat që shoqëruan jurinë. Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë bëri publike dje përmes një ceremonie autorët fitues të çmimeve në të gjitha kategoritë për vitin 2018? Si ka qenë procesi i gjykimit për të mbërritur te këto vepra? Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë një ngjarje për jetën letrare të një vendi. Në një kohë të rritjes së presionit si së brendshmi, ashtu edhe së jashtmi ndaj vlerave të leximit, mendoj se letërsia vijon të mbetet e vetmja liri që na çon drejt edukimit dhe vazhdimësisë. Sigurisht që puna e një jurie është gjithnjë e përfshirë me debate, mëdyshje apo dilema, deri në momentin kur finalizohen autorët fitues. Mendoj që dyshimi është një element me rëndësi në jetën e një jurie. Ne kemi nisur punën për gjykimin e këtyre veprave që në fillim të vitit 2019, kjo ka bërë të kemi kohën e duhur për t’u njohur më mirë me veprat. Nga ana tjetër, mendoj se juritë që kanë lidhje me artin dhe kulturën, e sidomos juritë e librit janë më me fat, pasi për një kohë të gjatë ato jetojnë atë çfarë për njerëzit e librit është e qenësishme, kënaqësinë e leximit. Si ishte viti 2018 për letërsinë shqipe? Viti 2018 ka qenë një vit i pasur përsa u përket prurjeve letrare. Ne kemi shqyrtuar rreth 650 vepra në të gjitha kategoritë si në prozën e gjatë, tregimin, poezinë, letërsinë për fëmijë dhe të rinj, studimin dhe esenë e më shumë se 700 vepra nga letërsia e huaj që kanë ardhur në gjuhën shqipe. Ajo çfarë spikat këtë vit është rikthimi në skenën letrare i emrave të njohur në historinë tonë letrare që për shumë vite kishin pasur një tërheqje. Kjo ndjehet në të gjitha kategoritë. Nga ana tjetër do doja të kishte më shumë autorë të rinj që shkruajnë në dy gjini ku ne kemi pasur një traditë të mirë, siç është tregimi dhe letërsia për fëmijë. Ndryshe nga proza e gjatë apo poezia ka një rënie të numrit të veprave të letërsisë për fëmijë dhe të autorëve që përqafojnë këtë gjini. Rikthimi i çmimit në këtë kategori mendoj se do të ndikojë në rritjen e inkurajimit të shumë autorëve që të shkruajnë në këtë gjini. Nga ana e tjetër ka një rritje të autorëve të rinj, por kjo rritje nuk përkon me cilësitë që duhet të ketë një vepër letrare. Nëse vite më parë kritikonim nivelin e veprave të përkthyera në gjuhën shqipe, viti 2018 shënjohet me një rritje të cilësisë së përkthimit. Tregu i botimeve shqip duket tepër bashkëkohor për veprat që boton, duke sjellë në gjuhën shqipe vepra që nuk kanë shumë që kanë dalë në libraritë e gjuhëve nga vijnë. Ismail Kadare u shpall fituesi i veprës më të mirë në kategorinë e studimit dhe eseistikës. Ka pasur zëra dhe brenda jurisë që mendojnë që Kadare duhet përjashtuar nga çmimet, pasi ai i ka tejkaluar të gjitha çmimet ndërkombëtare. Duke u nisur nga ky fakt do doja të ndaleshim pak tek studimet shqipe gjatë vitit 2018? Ismail Kadare është një shkrimtar i përmasave ndërkombëtare dhe është fat për një vend e kulturë si e jona që ka një shkrimtar të kësaj përmase. Mendoj që pavarësisht çmimeve ndërkombëtare të rëndësishme me të cilat shkrimtari është vlerësuar, çmimet që vijnë nga Shqipëria vazhdojnë të mbeten një gëzim për të. Nga ana tjetër, juria merr në shqyrtim të gjitha veprat e botuara brenda një viti, që në këtë rast ishte viti 2018 dhe nuk mund të përjashtojë nga gara asnjë vepër. Nëse letërsia shqipe e ka kaluar prej vitesh me Kadarenë kufirin e saj, po me Kadarenë dhe studimet shqipe kanë vite që e kanë kaluar hapësirën tonë. Vetëm pak kohë më parë janë botuar në SHBA tri esetë e shkrimtarit mbi Danten, Shekspirin, Eskilin, duke e çuar eseistikën shqiptare bri mendimit bashkëkohor sot. “Kur sunduesit grinden” është një libër përtej gjuhës që është shkruar. Në diskutimet e përjetshme të raporteve mes pushtetit dhe artit, ky libër është një ndër studimet më serioze dhe interesante. Kështu në këtë kontekst, kjo juri ndjehet e vlerësuar që mundi të certifikojë një vepër që do t’u mbetet studimeve botërore. Një tjetër diskutim që haset në qarqe letrare është që letërsia shqipe nuk ka mundur të krijojë një Kadare të dytë? Letërsia ka fazën e vetë të zhvillimit po ashtu dhe kohët. Ndoshta pyetja juaj ka të bëjë më shumë me faktin e mungesës së një dominimi në skenën letrare ndërkombëtare të një autori tjetër shqiptar. Letërsia e diasporës nëse mund t’i quajmë kështu autorët që jetojnë jashtë Shqipërisë ende janë larg një dominimi të tillë. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë të komunikojnë më shumë me lexuesin shqiptar, ndoshta dhe për faktin e mungesës së gjuhës. Nga ana tjetër mendoj se këto vite ka pasur vepra dhe autorë që shenjojnë një etapë të re të letërsisë bashkëkohore shqipe. Ka pasur kohë kur letërsia ka dominuar siç është rasti i veprave të Ben Blushit, një ndër autorët ku aureola e letërsisë shfaqet me gjithë përmasat e saj. Librat kanë fatin e tyre dhe koha ka treguar që letërsia e mirë është e pakohë. Një nga ngërçet e letërsisë shqipe që pengon dhe autorin shqiptar është gjuha. Letërsia e re shqipe duhet të dalë përtej gjuhës së saj, e për këtë, duhet një politikë e mirë mbi librin, e cila do të ndihmonte këto vepra dhe autorë me përkthyes të mirë nga gjuhë të tjera. Jo vetëm në gjuhën angleze por dhe në gjuhë të tjera duke nisur nga fqinjët ka një mungesë të përkthyesve, që do ta bënin letërsinë shqipe të njohur edhe në rajon. Juria nderoi këtë vit një autor i njohur si disident, si poeti i vetëm i varur nga komunizmi. Pse një nderim i tillë i vonë për Havzi Nelën dhe a mund të jenë në garë autorë që nuk janë më? Havzi Nela është një poet që do të na kujtojë gjithnjë komunizmin dhe mënyrën se si sistemet totalitare u sollën me poetët. Por më shumë se për jetën, juria e çmimeve kombëtare të Letërsisë e nderoi Nelën për botimin e librit poetik “Shtatë Fletore-vepra e plotë me 5548 vargje”, një vepër që gjithnjë do na kujtojë se letërsia do mbetet një udhëtim në zonat e kujtesës, për lirizmin, patosin dhe thellësinë e mendimit. Do doja që Nela të ishte më shumë në fokusin e kritikës për vargjet e tij. Përsa i përket faktit që në mund të jetë në garë një autor që nuk është më, juria merr në shqyrtim veprat e reja të botuara gjatë një viti, dhe kjo vepër me të cilën Nela mori trofeun ishte një vepër e re e vitit 2018. Por do vlerësoja dhe dy veprat e tjera të cilat ishin kandidatë për çmimin e madh, “Roja e dritës” me autore Flutura Açkën, dhe Sabri Hamitin me “Kukuta e Sokratit”./Gazeta Shqiptare

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH