Aktualitet

Pranga 4 personave në Shkodër, kultivonin lëndë narkotike

Shkruar nga Liberale
Pranga 4 personave në Shkodër, kultivonin lëndë narkotike

Ditën e sotme janë arrestuar 4 shtetas pasi u kapën në flagrancë duke kultivuar kanabis.

L.C 32 vjeç, banues në fshatin Pepaj, Shkodër, u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, në fshatin Pepaj, Shkodër, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 58 kilogramë kanabis, në proces tharjeje.

Gjithashtu edhe E. T. 21 vjeç, banues në fshatin Razëm, Malësi e Madhe, ka rënë në pranga për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi në vendin e quajtur “Lugu i Lajthive”, në fshatin Razëm, janë gjetur 101 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë kultivuar nga ky shtetas. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.

Po ashtu policia e Pukës ka arrestuar në flagrancë shtetasin A.S 42 vjeç, banues në fshatin Flet, Fushë Arrëz dhe Z.D 52 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Fushë Arrëz, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në vendin e quajtur “Lagjja e Epërme e Sylajve”, në fshatin Blerim, Fushë Arrëz, në një magazinë në afërsi të banesës së shtetasit A.S janë gjetur rreth 24.5 kg kanabis, në proces tharjeje. Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarit janë bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH