Ish-ministri i Jashtëm dhe aktualisht deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka propozuar disa amendime të projekt-rezolutës së Kuvendit në lidhje me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që u iniciua nga dy deputetet Senida Mesi dhe Rudina Hajdari.
Në relacionin e mëposhtëm, Bushati thekson së pari se duhet ndryshuar emërtimi i projekt-rezolutës. Më tej, ligjvënësi socialist rendit pika të tjera të rezolutës që duhet të ndryshohen sipas tij, së bashku me argumentin përkates ku bazohet propozimi.
Propozimet e Bushatit përfshijnë dhe rekomandimet direkte që Kuvendi duhet t’iu bëjë institucioneve përgjegjëse për ngritjen e menjëhershme dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsiont (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.
Amendamentet
-Propozon amendimin e titullit të rezolutës. “Çelja e negociatave” të bëhet “Mbështetje për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”.
-Amendim për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohur si procesi“screening”.
-Të rikonfirmohen angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë datë 24.05.2018
-Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsiont (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.
-Kuvendi të angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik.
-Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore.
-Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqes brenda datës 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
-Kuvendi i bën thirrje Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbeshtetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.