Kryesore

Portreti klasik i një familjeje letrare

               Publikuar në : 09:15 - 02/09/19 LP

Tobias Xhaxhiu

Rreth librit “Vajza e zhdukur” të shkrimtares Gillian Flynn

Jam i sigurt se shumë prej jush përjetojnë njëfarë gëzimi kur dëgjojnë fjalën “martesë”. Është mjaft e lehtë të përfytyrosh bori makinash të dasmorëve, një fustan të bardhë, apo kalvarin e gjatë të përgatitjeve, që do të shpërblehet me ngrohtësinë e familjes pranë oxhakut. Por, kjo s’është pjesa më e bukur. E bukura qëndron tek dyzimi, tek dridhja e pavullnetshme e duarve që mbajnë tehun e thikës, tehun që ndan më dysh çiftin prej sheqeri në majën më të lartë të tortës shumëkatëshe. Këtu nis krisja, dyshimi brerës që Emi dhe Nik Djuni, personazhet e romanit “Vajza e zhdukur” (Gone Girl), të Gillian Flynn kanë manifestuar që në nisje.

Jeta e tyre bashkëshortore i ngjan një celuloidi në zhvillim, që në vend të orientimit drejt një portreti klasik të familjes plot vlera amerikane, diku gjatë rrugës ka devijuar, për t’u shndërruar në prototipin më djallëzor të epokës Kardashian – Trump, një kornizë përfaqësuese e njeriut të mileniumit të ri.

Niku dhe Emi janë dy ish shkrimtarë nga Nju Jorku, viktima të krizës ekonomike të 2008-tës që shkatërroi tregjet jo vetëm në SHBA, por thuajse në të gjithë globin. Të martuar prej 5 vitesh tashmë, ata jetojnë në një vilë tipike të njerëzve të bardhë të jugut amerikan, pjesë e një blloku banimi të shkretuar në rrethinat e North Karthëxh, Misuri.

Emi nuk është një vajzë e zakonshme, ajo është “E mrekullueshmja Emi” subjekt i librit të shumëshitur për fëmijë që prindërit e saj kanë shkruar bazuar mbi të, ndaj shpesh, dallimi midis saj dhe Emit të mrekullueshme tingëllon si diçka e panegociueshme, pasi njëra nuk bën dot pa tjetrën, siç Doktor Xhekill s’rron dot pa shoqërinë e Mister Hajd, dhe për këtë s’mund ta fajësojmë.

Niku, ndërkohë, është një djalë i zgjuar, ish shkrimtar i një reviste për meshkujt e metropolit, i cili me krizën ekonomike dhe orientimin e tregut drejt gazetarisë online, e gjeti veten të papunë dhe me paratë e librit “E mrekullueshmja Emi” të së shoqes ka hapur një bar të këndshëm, që e administron me motrën e tij binjake, Margonë. Kjo e fundit nuk ushqen ndonjë simpati të madhe për Emin, por ka respekt për të, sepse le ta themi, ajo po kujdeset për burrin e saj të parë në jetë.

Me ecurinë e romanit ne shohim se  Emi është e destinuar për të thyer rutinën, dhe kokëfortësia e pakënaqur e Nikut, sarkazma e tij për botën që na rrethon duket se ka qenë arma e tij për të fituar vëmendjen e saj. Ndërkohë Emi rezulton të jetë gjithçka që Niku, djali nga provinca ka ëndërruar të ketë; e bukur, e mençur, hokatare dhe e pasur, për më tepër, skica e një personazhi librash për fëmijë. Por, pikërisht këtu Niku gabohet.

Një mëngjes të bukur vere, Emi zhduket. Ajo thjesht zhduket duke lënë pas një shtëpi të përgjakur dhe një mal me telashe për Nikun e gjorë, burrin jo dhe aq rë kujdesshëm, shëmbëlltyrën e rrënimit të saj.

Kujtimet në ditarin e Amy tregojnë për shpërbërjen e vazhdueshme të martesës. Niku është i largët dhe i ftohtë. Afria mes tyre është e rrallë dhe vetëm në rastet kur ai kërkon të plotësojë nevojat e tij. Dashuria duket një sens i humbur. Idesë së saj për të pasur një fëmijë, ai i përgjigjet ftohtë, i gatshëm të sakrifikojë një pasardhës për rehatinë e tij. Katër muaj më vonë, dy javë para zhdukjes, Emi zbulon se është shtatzënë. Ajo e ndan lajmin me miken e saj të vetme dhe pyet veten nëse Niku do të ishte i lumtur për këtë zhvillim, ndaj bën shaka duke thënë se nëse përfundon e vdekur, ka qenë ndoshta faji i tij.

Niku ndërkohë punëson Tanner Bolt-in, një avokat të mirënjohur, por të kripur, i cili do ta ndihmojë në ndërtimin e një alibie të besueshme, duke i propozuar të ekspozohet në media. Figura publike prej vejushi të pashëm e të dhimbsur krijon një barrierë të menjëhershme për të në sytë e komunitetit. Më pas Niku vihet në ndjekje të gjurmëve të lëna pas nga Emi dhe zbulon në depon e oborrit të Margosë, një seri mallrash me vlerë prej mijëra dollarësh. Janë gjërat që policia thotë se dikush ka blerë duke përdorur kartën e tij të kreditit. Niku kupton se Emi duhet të jetë gjallë dhe se ky është një kurth i ngritur prej saj për ta shkatërruar.

Pjesa tjetër e librit tregon se si ajo ka planifikuar zhdukjen dhe vrasjen e saj për rreth një vit. Ne kuptojmë se ditari i Emit është një trill.i shkruar enkas për t’u zbuluar nga autoritetet, dhe për të fajësuar Nikun rreth zhdukjes së saj. Aty ajo flet për tradhtinë e  Nikut me një vendase të re në moshë, duke i shtuar doza vërtetësie rrëfimit, dhe doemos, për të justifikuar hakmarrjen e saj në sytë tanë.

Gjatë gjithë kësaj kohe Emi fshihet në një kasolle në Ozarks, duke përshkruar se si inskenoi shtatzëninë dhe abuzimin në familje. Por aventura e saj nis të marrë një kthesë të mbrapshtë. Një çift të degraduarish në kabinat ku ajo po qëndron i vjedh paratë, duke e detyruar atë të ndjekë një plan tjetër. Ajo kontakton dashurinë e saj të vjetër, Desin. Ajo e mashtron duke i thënë atij se u largua nga Niku për t’i shpëtuar abuzimit të tij. Desi e mban të fshehur në shtëpinë e tij buzë liqenit dhe e trajton si një mbretëreshë.

Nick zbulon se të tjerë në të kaluarën e Emit kanë pësuar një fat të ngjashëm me të tijin. Alibia e tij pëson metamorfoze, duke e shfaqur veten si fajtor për zhdukjen e saj dhe njëherësh i pafajshëm per ndonjë fund të mundshëm të Emit.  Kjo e fundit e kupton se Niku po i dërgon mesazhe të koduara në intervistat e tij, në thelb duke lypur faljen e saj.

Ajo fillon të besojë se Niku është penduar dhe mendon të kthehet pranë tij. Por Desi nuk pranon ta lërë të largohet nga shtëpia e qelqtë buzë liqenit. Ajo është e burgosura e tij, thesari që gjithnjë ka dashur të ruajë dhe tanimë s’mund ta lërë të shkojë. Si rrjedhojë, Emi thur një tjetër plan drastik për të shpëtuar. Rezultati: Emi largohet nga shtëpia në liqen e mbytur në gjakun e tij, duke u shtirur si viktima e një rrëmbimi e abuzimi të gjatë seksual.

Pjesa e fundit e librit e gjen Emin në krahët e Nik, në dukje më të lumtur se kurrë. Përpjekjet e Nikut për t’ia çjerrë maskën rezultojnë të kota. Ai nis të mësohet me jetën e re, me ketë lojë të vazhdueshme alla “macja me miun” dhe me vëmendjen mediatike, për të cilën duket se kish mjaft nevojë, në dallim nga Emi, që ish bërë e njohur qysh me rënien e dhëmbëve të qumështit. Por Emit duket se nuk i pëlqen fort mënyra se si ai po e luan lojën, duke e lënë të hapur shtegun për një tjetër aventurë të përgjakur.

Duket se në boten e autores Gillian Flynn, realiteti s’është tjetër veçse një skenografi, apo artificë që ndërtojmë për veten, por kur rrjeti i gënjeshtrave kryqëzohet, shpëtimi i vetëm prehet tek e vërteta. Ky është një triller që hulumton aspektet më të errëta të ndërgjegjes njerëzore, privimin dhe shtypjen që modelet e ngurta shoqërore ushtrojnë mbi njeriun, duke inskenuar tek tuk drama të vogla, shpërthime zemëratash apo intriga të mjera, pjesë të zhurmshme nga banketi i tragjedisë moderne./Gazeta Liberale

(Visited 69 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *