Aktualitet

PORTRET/ Një afrikane në Tiranë zbuloi sa e pavarur është Policia e Shtetit nga mafia

Shkruar nga Liberale
PORTRET/ Një afrikane në Tiranë zbuloi sa e pavarur

Pas gjashtë muajsh në luftë me vdekjen, 22-vjeçarja keniane Joy Ayoko, e cila u dhunua barbarisht në gusht të vitit të kaluar në Tiranë, ka ndërruar jetë në Kenia. Lajmi u konfirmua nga nëna e saj, Ruth Abongo. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia.

Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme. Prej datës 25 janar trajtimi i Joyt ka qenë intensiv në spitalin e Kenias dhe gjendja e saj dukej se po përmirësohej. E reja pati probleme në stomak ku bëri një ndërhyrje dhe kishte infeksion pas operacionit, por u përmirësua. Ndërkohë, një ditë më parë, Joy ka pasur probleme me frymëmarrjen dhe sot në mëngjes ajo ndërroi jetë në shtratin e spitalit.

Në gjithë këtë histori të dhimbshme, detaji që tronditi më shumë se asgjë tjetër shoqërinë shqiptare, përveç dhunës barbare të ushtruar ndaj saj, ishte edhe fakti se Policia e Shtetit nuk u tha shqiptarëve se çfarë ndodhi, për një vajzë që erdhi nga një vend tjetër, me leje qëndrimi dhe, duke pasur një kontratë pune, shteti shqiptar duhet t’i dilte për zot. Asgjë nuk bëri. Policia, pavarësisht nga fakti se kjo vajzë u plagos rëndë, në vend që ta bënte me dije, e fshehu këtë krim për muaj të tërë. E fshehën të gjithë.

Skenarët e fshehjes mund të jenë të shumta, por një prej tyre prevalon nga të gjitha: Kapja e policisë nga krimi! Është e vështirë të lexohet ndryshe e gjithë kjo ngjarje kaq barbare sa është dhe, po kaq e dhimbshme sa është. Kjo ngjarje tregoi edhe sa e pavarur është policia shqiptare, tregoi në çfarë niveli profesional dhe human është ajo. Nuk duam ta mendojmë, por qoftë o Zot larg, nëse një ngjarje e tillë mund t’i ndodhte ndonjë minoritari grek apo një shtetasi italian, do ishte shkulur policia e shtetit. Afrika si kontinent është shumë larg dhe ndoshta kanë të drejtë. Kujt do t’i bëhet vonë?! Këtë kanë menduar dhe kaq. Kjo është historia. Merr parat, fshi të dhënat dhe çorodit gazetarët.

Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister. Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.

Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. 22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22-vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve.  E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia.

Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH