Aktualitet

PORTRET/ "Ikja e nënave"- Shuhet në moshën 85-vjeçare Mimika Luca, aktorja shumëdimensionale e teatrit dhe kinematografisë

Shkruar nga Liberale
PORTRET/ "Ikja e nënave"- Shuhet në moshën

Ishte vetëm 16 vjeçe dhe aspironte për të qenë një balerinë atëherë kur u dashura me aktorin Ndrek Luca, i cili ishte 10 vite më i madh në moshë se ajo. Siç duket, Mimika nuk donte t’ia dinte aspak për mentalitetin e kohës, as për vitet që kishte dhe as për fjalët e të tjerëve. Dashuria e madhe e jetës kishte trokitur më në fund në zemrën e saj dhe kaq mjaftonte. Ndoshta, aty, tek pishina kundruall ish-Teatrit Popullor të kohës, e cila mbushej me ujin e ftohtë të Selitës, do ndizej gjaku. Pikërisht, ashtu siç mund ta paramendonim sot një gjë të tillë, një burrë pasionant si Ndrek Luca, do dinte si t’ia bënte jetën të bukur një vajze të re dhe në fakt, ashtu ndodhi. Dhe, të ndodhte ndryshe, nuk kish se si...

Vitet e para të lidhjes kaluan përmes ritmit që të ngjallte hapësira e brendshme e Teatrit; qoshet e dhomave, hijet e errëta të skenës, shkallët, e purpurta e perdeve të trasha, entuziazmi i aktorëve dhe në gjithë këtë skenar dashurie, ashtu siç janë gjithë skenarët e dashurisë me një fund të lumtur, ata të dy, të gjendur në atë moment të jetës së tyre, pikërisht siç ndodh shpesh me të dashuruarit, pse jo edhe për t’i dhënë një formë tjetër dashurisë së tyre, më të re, ata vendosën të lidheshin në martesë.

Edhe pse nuk kishin kaluar shumë vite nga martesa e tyre, Mimika Luca kishte nisur shkollën për aktrim në Institutin e Arteve, pa dëshirën e të shoqit. Por, edhe pse Ndreka nuk e miratoi një zgjedhje të tillë, ajo ishte e vendosur në ëndrrën e saj dhe ashtu bëri. Në vitin e tretë të studimeve u emërua në Teatrin Popullor, deri disa vite më pas, kur me urdhër, u largua si pedagoge në Institutin e Arteve për mjeshtri aktori. Mirëpo, në Teatër ishte Ndreka, ishte vetë jeta e saj, kështu që nuk arriti dot të shkëputej asnjëherë plotësisht, kjo edhe për faktin se ajo u angazhua me disa role në Teatër, por në kinematografi më shumë. Aty edhe u spikat.

Që kur u shfaq për herë të parë në ekran, në filmin “Detyrë e posaçme”. Ishte viti 1963, kur vajza nga Gjirokastra, e cila kishte nisur ëndrrën e saj si balerinë duke interpretuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (1951-1962), përzgjidhet nga regjisori Kristaq Dhamo për të interpretuar në këtë film.

Ajo ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si p.sh: Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet”, etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë.

Në vitin 1972, ajo interpreton në filmin “Kryengritje në pallat”, nën regjinë e Xhanfize Kekos, ndërsa në vitin 1978 në filmin “Kur hidheshin themelet”, me regji nga Vladimir Prifti dhe skenar nga Kolë Jakova.

Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës tek”Treni niset në shtatë pa pesë”. Në rolin e nënës së Gjergjit, ajo do të jetë dhe te filmi “Të shoh në sy”, me regji të Mevlan Shanajt.

Duket se rolet e nënave apo të edukatoreve ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”. Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë.

Një nga filmat e fundit ku Mimika Luca ka interpretuar është te filmi “Viktimat e Tivarit”, një film i vitit 1996, me regji e skenar të Ekrem Kryeziut, në kastën e aktorëve të të cilit ishte dhe bashkëshorti, Ndrek Luca.

Kjo aktore modeste ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare. Krahas aktrimit, Mimikës i pëlqente edhe të shkruante. Ajo shkroi edhe disa drama, më e njohura “Drita”./r.d-Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH