Aktualitet

PORTRET/ Al Kaeda ka një lider të ri! Kush është Saif al Adel, ish-ushtaraku egjiptian dhe një nga terroristët më të kërkuar në botë

Shkruar nga Liberale
PORTRET/ Al Kaeda ka një lider të ri! Kush është Saif al

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, organizata terroriste islamike Al Kaeda ka një lider të ri: Saif al Adel, një ish-ushtarak egjiptian, i cili dyshohet se ka jetuar në Iran për shumë vite dhe që aktualisht ndodhet në listën e personave më të kërkuar për terrorizëm në botë nga FBI.

Një lajm të tillë, Departamenti Amerikan i Shtetit e njoftoi përgjatë një konference për shtyp të mbajtur të mërkurën, në të cilën u konfirmuan disa informacione që përmbante një raport i publikuar ditët e fundit nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Saif al Adel zuri vendin e Ayman al Zawahiri, i cili ishte vendosur në krye të kësaj organizate që pas vrasjes së Osama bin Laden në vitin 2011. Zawahiri u vra më 31 korrik në një sulm të kryer nga Shtetet e Bashkuara me një dron, ndërsa ndodhej në Kabul, Afganistan.

Sipas FBI-së, Saif al Adel ka lindur më 11 prill 1960 në Egjipt me emrin Mohammed Salah al Din Zaidan (Saif al Adel është një pseudonim, që në arabisht do të thotë “shpata e drejtësisë”). Ai bëri një karrierë të gjatë në ushtrinë egjiptiane, i specializuar në përdorimin e eksplozivëve dhe në vitin 1988 do të largohej nga vendi i tij, për të shkuar e për të luftuar në Afganistan, kundër pushtimit sovjetik. Aty, takoi të gjithë ata persona që më vonë do të shndërroheshin në anëtarët kryesorë të Al Kaedas së ardhshme.

Ai qëndroi në Afganistan edhe pas përfundimit të luftës civile dhe pushtimit të vendit nga talebanët, duke trajnuar anëtarët e organizatës në prodhimin e eksplozivëve. Sipas FBI-së, ai, ishte ndër të tjera, një nga organizatorët e bombardimeve të ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani më 7 gusht të 1998, ku u vranë më shumë se 200 persona.

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, të kryera nga Al Kaeda në Nju Jork dhe Uashington, Saif al Adel është zhvendosur në Iran dhe, atje, më vonë u dënua nga autoritetet vendase me arrest shtëpie. Megjithatë, ai u lirua në vitin 2015, pas një shkëmbimi të burgosurish më Al Kaedën. Që nga ajo kohë, ka lëvizur lirshëm mes Pakistanit dhe Afganistanit, megjithatë, pavarësisht se është dënuar më parë, ai ende vazhdon të jetojë në Iran.

Fakti që Saif al Adel jeton në Iran, mund të duket një detaj i çuditshëm, duke pasur parasysh se Irani udhëhiqet nga një teokraci shiite, ndërsa al Kaeda është një organizatë e lidhur me islamin Sunit (shiitët dhe sunitët janë dy orientimet kryesore të islamit, që shpesh konkurrojnë me njëri-tjetrin).

Në realitet, pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 dhe pushtimit amerikan të Afganistanit, Irani shpesh ka mikëpritur liderët e rëndësishëm të Al Kaedës. Një nga hipotezat kryesore që qarkullon prej disa vitesh mes analistësh dhe ekspertësh është se duke i dhënë mbrojtje eksponentëve kryesorë të Al Kaedës, Irani shmang sulmet terroriste në vend.

Sipas raportit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, emërimi i tij si pasardhës i Zawahirit, duhet të konsiderohet si fakt, edhe nëse nuk është zyrtarizuar nga Al Kaeda. Arsyeja, sipas raportit, lidhet me situatën e ndërlikuar politike në Afganistan dhe nevojën e talebanëve që qeverisin vendin për të mbajtur marrëdhënie të mira diplomatike me vendet perëndimore. Në fakt, talebanët gjithmonë kanë mbështetur Al Kaedën; pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara vendosën të pushtonin Afganistanin dhe të rrëzonin regjimin taleban, pikërisht për këtë arsye.

Vrasja e Zawahirit ishte konsideruar si një sukses i madh i antiterrorizmit amerikan. Në fakt, ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Bin Ladenit dhe një nga liderët e Al Kaedës që kishte planifikuar sulmet më të rënda terroriste kundër objektivave amerikane në botë. Megjithatë, as Al Kaeda dhe as qeveria talebane në Afganistan nuk e kanë konfirmuar kurrë vdekjen e tij.

Marrëveshja e nënshkruar në shkurt të 2020-ës nga administrata e Presidentit Trump, pas arritjes së një kompromisi mes palëve një vit më parë, parashikonte tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani, në këmbim, ndër të tjera, të angazhimit të talebanëve për të mos pranuar dhe mbrojtur grupet terroriste në territorin afgan, të cilët, nga aty, mund të planifikonin dhe kryenin sulme kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës./r.d- Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH