Kryesore

Porosia amerikane për Zgjedhjet

               Publikuar në : 10:13 - 07/04/21 liberale

Zgjedhje me standarde demokratike,  siguri dhe besim të qytetarëve në rezultatin e 25 prillit dhe kandidatë të besueshëm. Ishin këto mesazhet që zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit ndau me kryeministrin, presidentin dhe kreun e opozitës. Dy vjet pas zgjedhjeve lokale, Matthew Palmer rikthehet të jetë zë i rëndësishëm, duke bërë bashkë politikën shqiptare në mes të një fushate dinamike

 Në një takim virtual,  Matthew Palmer mblodhi politikën shqiptare 19 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit dhe njëherazi Përfaqësuesi i Posaçëm për Ballkanin, i cili më herët ishte shprehur se ShBA pret zgjedhje me standarde demokratike në Shqipëri,  zhvilloi dje biseda virtuale me kryeministrin Rama, presidentin Meta dhe liderin e opozitës Basha.

Në fund të këtyre takimeve, zoti Palmer do të deklaronte se kishte marrë siguri për zgjedhje demokratike.

“Pata bisedime të mira me presidentin e kryeministrin. Vlerësoj përpjekjet që janë bërë në Reformën në Drejtësi. Më dhanë garanci për zgjedhje sipas standardeve demokratike. Kam biseduar edhe me kreun e PD, Lulzim Basha. Të sigurohet që shqiptarët të kenë besim për rezultatin”, do të shprehej Palmer, i cili më pas zhvilloi një bashkëbisedim edhe me gazetarë.

Palmer do të theksonte se ShBA është e përkushtuar që Shqipëria të jetë një partner i fortë dhe tek e ardhmja e saj euroatlantike.

Ende pa u çelur zyrtarisht fushata, ambasadorja amerikane bëri thirrje partive për të paraqitur kandidatë të pastër. Më pas ajo do të evidentonte publikisht kreun e PSD-së Tom Doshin,  ish-aleatin e maxhorancës, duke ripublikuar vendimin e Departamentin Amerikan të Shtetit që e ka shpallur “non grata”, pas informacionit të besueshëm se ai ishte i përfshirë në korrupsion, ose në raste shkeljesh të të drejtave të njeriut. Thirrjeve të drejtuara  maxhorancës nga Ambasadorja Yuri Kim, do t’i përgjigjej kryeministri Rama i cili deklaroi se nuk do të jetë aleat me kreun e PSD-së dhe se nuk ka asnjë dallim në qëndrimet e qeverisë me ato të ambasadores.

Vetë Doshi do të përgjigjej se ishte mbështetës i ShBA-së dhe se kishte qenë njeriu kyç i Reformës në Drejtësi,  të cilën Palmer gjatë një vizite të dy viteve më parë në Tiranë e cilësoi një investim të rëndësishëm të Amerikës.

Po dje, Palmer mbështeti qëndrimet e ambasadores Kim, duke thënë se kandidatët duhet të ishin të besueshëm.

Një sërë emrash kandidatësh , ndër to edhe ai i Tom Doshit, i janë dërguar Prokurorisë, ku sipas kreut të KQZ-së kishte dyshime për pastërtinë dhe integritetin e figurës. Megjithatë kjo nuk i ka ndaluar të jenë pjesë e fletës së votimit, modeli përfundimtar i së cilës u miratua pak ditë më parë.

I pyetur për Reformën në Drejtësi, Palmer do të njihte progresin e bërë, por pohoi se kishte ende shumë punë për të bërë.

Dy vjet më parë, gjatë vizitës në Tiranë, zoti Palmer do të thoshte se zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion duhet të nisnin të kishin frikë. Dy vite më pas,  Drejtësia e re ka ngritur  institucionet si SPAK, BKH dhe ka bërë funksionale pas një ngërçi të gjatë Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, ndërsa procesi  i vetingut vijon.

Në takimet e tij virtuale, por të rëndësishme në këtë fazë të fushatës elektorale,  Palmer

theksoi rëndësinë e roleve përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë. Institucionet dhe udhëheqësit politikë, sipas tij  mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë.

Dy vjet më parë, para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Palmer theksoi se ShBA priste që ato të zhvilloheshin më 30 qershor, ndërsa paralajmëroi se ata që do t’i pengonin do të listoheshin si organizata të dhunshme nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe do t’u drejtohej personalisht zonjës Kryemadhi dhe zotit Basha se përgjegjësia do të binte mbi ta.

Dje, zoti Palmer do të zbulonte se me presidentin Meta, i cili vendosi me anë të një dekreti të shfuqizonte datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, për t’i shtyrë në tetor, kishte marrëdhënie të shkëlqyera personale.

Për dekretimin e zgjedhjeve të 25 prillit, Meta do të konsultohej me palët.

Pak ditë më parë, nga vizita e tij në Shkodër,  presidenti Meta do të thoshte se vendi ishte në udhëkryq “por do t’ia dalë me sukses falë ndërgjegjësimit të qytetarëve se vota është gjëja më e shenjtë”, do të shprehej ai.

Gjatë kësaj fushate elektorale, kryeministri Rama ka ironizuar kreun e shtetit duke e cilësuar si kryekandidat apo se opozita e vërtetë nuk është kreu i PD-së, por ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta, të cilët sipas tij duan të zhbëjnë Reformën në Drejtësi.

Presidenti, i cili dy vjet më parë e argumentoi dekretin për shfuqizim të datës së zgjedhjeve lokale, për të mos lejuar zgjedhje moniste në një sistem pluralist prej 30 vitesh, nisi një tur vizitash në Shqipëri muajt e fundit ku ka përcjellë mesazhe për qytetarët rreth rëndësisë së zgjedhjeve. Sipas Metës, vota të orientohej tek kandidatët me integrimet dhe të ringjallej besimi tek demokracia.

Edhe Palmer theksoi dje që politika dhe institucionet duhet të ngjallin besimin qytetar tek rezultati.

Në fund, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer dhe zyrtarë të tjerë amerikanë presin me kënaqësi që të rifillojnë vizitat fizikisht sapo rrethanat t’i lejojnë ato.

Stërvitje ushtarake me disa vende të NATO-s, ne kemi zgjedhur edhe Shqipërinë që është anëtare e NATO-s. Ndërkohë jemi të përkushtuar që të ketë vaksina në të gjithë botën. Duhet të vihen para përgjegjësisë të korruptuarit. Zgjedhjet e lira mund ta çojnë vendin një hap para.’’- do të shprehej Palmer, ndërsa theksoi se kjo stërvitje që nis një ditë pas zgjedhjeve, nuk ka lidhje me to.

Ai do të ndalej edhe tek vaksinat kineze dhe ruse, të cilat kanë hyrë në Shqipëri dhe po administrohen tek qytetarët në kuadër të fushatës së vaksinimit masiv.

“Kina dhe Rusia po përdorin një diplomaci tjetër. Edhe Shqipëria po mundohet për popullin e saj. Zgjedhja e vaksinës i takon Shqipërisë. Ne s’ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendeve”, do të shprehej Palmer.

Një qëndrim të ngjashëm, duke i lënë ccështjet e brendshme institucioneve vendase, Palmer e mbajti edhe dy vjet më parë, kur u shpreh se ShBA nuk mban anë. Ky qëndrim ishte pas zgjedhjeve lokale, ku ai pranoi se nga raporti i ODIHR kishte rezerva për to. Por sicc  theksoi ai, u takonte institucioneve t’i zgjidhnin.

Pak kohë më parë, në intervistën për Zërin e Amerikës, Palmer shprehej se ShBA priste q të vihej në zbatim legjislacioni i ri, i miratuar nga parlamenti pas marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli politik në selinë e ambasadëës amerikane.

Ndonëse situata politike para zgjedhjeve nuk është ajo e 2019-s,  ku opozita bojkotoi zgjedhjet lokale, pas daljes nga parlamenti dhe u ul pas shumë refuzimesh në tryezën e Reformës Zgjedhore e cila prodhoi Kodin e Ri, sërish Matthew Palmer është kujdesur të vendosë pikat mi “i”, për zgjedhje me standarde dhe kandidatë të besueshëm.

Agron Duka pas deklaratës së Palmer: Amerikanët janë të qartë, përfaqësim dinjitoz dhe i pastër

Pas mesazhit të qartë të dhënë nga Zv/ndihmës Sekretari Amerikan për Shtetit, Matthew Palmer se SHBA-të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, vjen një reagim nga kreu i PAA-së, Agron Duka.Përmes një postimi në ‘Facebook’, Duka ka vlerësuar qëndrimin e Palmer, ndërsa thekson se alternativa e opozitës është ndëshkimi i korrupsionit dhe ribërja e institucioneve.

REAGIMI I DUKES

“SHBA kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Si Kryetar i PAA dhe pjesë të koalicionit “Aleanca për Ndryshim” në zgjedhjet e 25 Prillit, vlerësojmë qëndrimin e zv.ndihmës-sekretarit të shtetit z. Palmer, që pas bisedimeve me krerë të shtetit dhe politikës, kërkon standarde të larta zgjedhore, besueshmëri të procesit dhe rezultatit zgjedhor.

Amerikanët janë të qartë dhe mesazhi i tyre është bindës dhe inkurajues, për të pasur përfaqësim dinjitoz dhe të pastër.

Është me rëndësi reforma në drejtësi dhe opozita ka dhënë mbështetjen e saj.

Alternativa e opozitës është ndëshkimi i korrupsionit dhe ribërja e institucioneve.

Ne përshëndesim këtë qëndrim që na jep garanci, për mosprekjen e proçesit nga elementë të korruptuar dhe inkriminuar, duke i bërë në standartet demokratike siç aleatët tanë kërkojnë.

Shqipëria më 25 Prill, do të japë dëshmi se është një partner i denjë për mikun tonë strategjik SHBA.

Rama thirrje opozitës: Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, duhet të na bashkojë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është drejtuar me një thirrje të dytë opozitës lidhur me pandeminë.Rama thotë se politika mund t’i ndajë para zgjedhjeve, por lufta për jetën shëndetin dhe Shqipërinë duhet t’i bashkojë ndaj virusit COVID-19. Ai mitingjet e PD i quan turp i madh dhe një mungesë karakteri e lidershipi opozitar.

STATUSI NGA EDI RAMA

Vaksimi masiv cenohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulëta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë!

Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur; Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve; Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet!

Shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme, disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund:

Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm!

Ky armik nuk pyet për parti e për politikë, godet ku të mundet dhe teksa ne po vaksinojmë pa i ndarë shqiptarët, duke luftuar çdo ditë për ta e me ta si një trup i vetëm, unë ju bëj thirrje të gjithëve:Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, shëndetin dhe Shqipërinë përballë virusit vrastar duhet medoemos të na bashkojë! /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back