Aktualitet

Pollo: Rama, përgjegjës për dramën e naftëtarëve

Shkruar nga Liberale
Pollo: Rama, përgjegjës për dramën e naftëtarëve

Ish- deputeti i PD, Genc Pollo ka reaguar në lidhje me takimin e kryeministrit Rama me naftëtarët, pas të cilit deklaroi se nuk do të paguhen pagat e prapambetura nga qeveria, por do të jepet një ndihmë financiare.

Në një postim në Facebook, Pollo shkruan se injorimi i pagave të naftëtarëve e bën atë përgjegjëse për dramën e familjeve të tyre në grevë urie.

Postimi i plotë

Nga shitja në ankand e rafinerisë së Ballshit në vitin 2016 duhet të përfitonin Tatimet&Doganat (miliona € detyrime të papaguara), punëtorët (miliona € në paga e sigurime) e kreditorët e shumtë. Të gjithë proporcionalisht sipas Kodit Civil! Në fakt përfitoi vetëm NJË banke!! Dhe të tjerët morën brrylin!

Qeveria e kishte detyrë të ndërhynte me Avokatin e Shtetit dhe të detyronte zbatimin e ligjit; por ajo nuk e bëri këtë. Qeveria nuk kishte hallin e lekëve të shtetit e as të punëtorëve.

Në këtë moment ngjizet tragjedia e naftëtarëve të Ballshit. Kur Edi Rama thotë se problemi i naftëtarëve grevistë është çështje mes privatësh është e pakët t'a quash Ponc Pilat që po lan duart. Ky i fundit nuk kishte interesa materiale në konfliktin mes Judejve e Jesuit.

Injorimi nga qeveria i borxhit ndaj Tatimeve&Doganave la një gropë në buxhet. Por mes gropave të PPP-ve ajo është një ndër të shumtat.

Injorimi nga qeveria i pagave të naftëtarëve e bën atë përgjegjëse për dramën e familjeve të tyre në grevë urie. Sot Edi Rama është personalisht pérgjegjës dhe nuk mund t'i shmanget kësaj përgjegjësia. Detyrimi eshte ligjor, politik e moral.

Në instancë të fundit do të përmbushet nga shqiptarët në rrugë, sheshe e qendra votimi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH