Editorial

Politikës shqiptare i kanë hequr vendimmarrjen

Shkruar nga Liberale
Politikës shqiptare i kanë hequr vendimmarrjen

Ervis Iljazaj

Përgjatë gjatë gjithë tranzicionit shqiptar, shqiptarët janë mësuar që situata politike dhe dinamikat e saj përcakotheshin nga palët politike. Partitë politike dhe liderat e tyre, kanë qenë  ato që krijonin krizat dhe ishin po ato që mereshin vesh që ti zgjidhnin këto kriza. Si të thuash, shkaktarët dhe zgjidhësit e cdo situate  ishin këto forca politike.

Kjo ka qenë panorama e pothuajse 30 viteve në Shqipëri , me një rol të fortë të partive dhe liderëve të tyre në aspektin politiko-institucional.

Sa herë që krijohej një krizë politike, nuk ekzistonte asnjë vullnet jashtë liderëve  që mund të ndërhynte dhe ta zgjidhte atë. Nëse merreshin vesh palët, që zakonisht janë marrë, kriza politike zgjidhej. Nese jo, kriza politike zgjatej.

Problemi më i madh i ndërtimit të institucioneve të pavaruara në Shqipëri ka qenë pikërisht ky. Jo vetëm që krizave politike institucionet nuk i kane dhënë zgjidhje, por edhe ato vetë kanë kaluar në krizë si shenjë e qartë e uzurpimit te tyre dhe regjimit partitokratik qe kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve.

Në këtë moment të kontekstit politik shqiptar, ndryshe nga vitet e kaluara duket sikur politika nuk po arrin dot të marë një vendim dhe ta nxjerrë vëndin nga kriza. Në fakt, kjo po ndodh jo për arsyen se ka zgjedhur që të mos merret vesh, por me të gjitha gjasat nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë.

E vërteta është që politika shqiptare nuk prodhon më asnjë lajm, në kuptimin që të krijojë një situatë apo moment të ri politik. Duket sikur në të gjithë procesin politik dhe shoqëror që po kalon Shqipëria në këtë moment, palët politike kanë gjithmonë e më pakë rol për të diktuar axhendën dhe situatën në Shqipëri.

Duket si një konstatim absurd, por në të vërtetë është pikërisht kështu për një  aryse. Ndërkombëtarët në Shqipëri, sidomos misioni i Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga sec jemi mësuar zakonisht, ku gjithmonë kanë ndërhyrë midis palëve për të zgjidhur krizat politike, kësaj herë kanë vëndosur ndryshe. Ndoshta, të lodhur nga krizat e vashdueshme dhe negociata me palët politike në Shqipëri kanë vendosur këtë herë, në dekadën e re të politikës shqiptare të ndërtojnë institucione të pavaruara dhe sidomos një pushtet gjyqsor të pavaruar. Se sa kjo do të bëhet e mundur kjo mbetet ende për tu provuar , por strategjia e ndërkombëtarëve në Shqipëri për të ardhmen është e qartë.

Prandaj, kësaj herë kriza politika shqiptare ka zgjatur më shumë se herët e tjera, dhe me shumë mundësi do të vashdojë ende derisa të ngrihen të gjitha institucionet e reja të pavaruara, kryesishit ato të pushtetit gjyqsor.

Qëllimi është që ti jepet fund partitokracisë në Shqipëri , dhe të ndërtohet një shteti i së drejtës, ku shteti nuk identifikohet me partitë politike, por është një koncept më i gjerë se kaq. Është një kontratë shoqërore që u përket të gjithëve., dhe nuk mund të mbahet peng i vullneteve të liderëve politikë.

Të paktën ky është qëllimi i shprehur publikisht nga aleatët e Shqipërisë. Deri sa ky proces i iniciuar nga ndërkombëtarët të pëfundojë , palët politike në Shqipëri dhe gjendja aktuale do të vashdojë edhe për disa kohë të tjera. Për këtë arsye, ndërkombëtarët në Shqipëri nuk kanë bërë deri më tani asnjë përpjekje për të ulur palët në tryezë.

Ky proces ka qenë i gjatë dhe ndoshta me kosto për ekonominë shqiptare, por nëse përfundon ashtu sikurse pretendohet mund të jetë zgjidhja përfundimatare e Shqipërisë, e cila do të përcaktojë dekadën e re politike dhe shoqërore.

Pikërish ngaqë ka një rëndësi të tillë, Reforma në Drejtësi dhe ndërtimi i organeve të saj duhet të jetë nën një monitorim të rreptë dhe  nën një vëshgim të kujdesshëm nga të gjithë aktorët dhe faktorët politik dhe shoqëror.

Prandaj, të gjitha debatet që janë hapur për mënyrën se si  po nërtohen këto organe, kryesisht nga Presidenti i Republikës,  i bëjnë vetëm mirë Reformës në Drejtësi. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH