Aktualitet

Politika po na bën të gjithëve sofistë

Shkruar nga Liberale
Politika po na bën të gjithëve sofistë

Klementin Mile

Kriza politike e tejzgjatur në vendin tonë ka patur ndikime negative në ekonomi, në rendin publik, në sasinë dhe cilësinë e legjislacionit, pra në të gjitha dimensionet e politikëbërjes. Përveç këtyre, politika e futur në krizë po ndikon negativisht edhe komunitetin e analistëve, opinionistëve dhe komentatorëve të medias shqiptare. Të gjithë anëtarët e këtij komuniteti, përfshirë autorin e këtij shkrimi, po detyrohen të bëhen sofistë.

Me këtë nuk dua të them se pritet nga kontributorët e medias shqiptare që të zgjedhin të jenë sofistë apo filozofë. Në të gjitha rastet bëhet fjalë për opinion, koment dhe analizë brenda kuadrit dhe logjikës mediatike, pra për gazetari, jo sofistikë apo filozofi. Por, gazetaria si e tillë mund të udhëhiqet nga sofizmi ose nga filozofia. Gazetari duhet të zgjedhë. Përpara kësaj krize gazetaria e komentit, analizës dhe opinionit ishte e prirur të procedonte filozofikisht. Sot, të gjithë po bëhemi sofistë.

Le ta themi më qartë. Dallimi themelor ndërmjet sofistit dhe filozofit është stilistik. Ndërsa filozofi thotë të njëjtën gjë për të njëjtën gjë, sofisti thotë gjëra të ndryshme për të njëjtën gjë. Kështu, filozofi i qëndron besnik ngjarjes që ka ndodhur, ai e përshkruan ashtu si ka ndodhur, në pasurinë ose varfërinë e saj. Sofisti, nga ana tjetër, kur ngjarja është e varfër, e pasuron në përshkrimin e tij, duke i shtuar elementë dhe nuanca që e bëjnë të duket më mirë. Pra ndërsa filozofi i shërben qenies, sofisti i shërben dukjes.

Komentatorët, opinionistët dhe analistët shqiptarë e gjejnë veten ndërmjet dy zjarreve: një politike në krizë që prodhon vazhdimisht të njëjtën ngjarje (mungesën e dialogut ndërmjet palëve, denoncimet e opozitës, propagandën e qeverisë, surprizat që nuk suprizojnë më të Presidentit, insistimin e ndërkombëtarëve për reformat) dhe një medie në kërkim të lajmit, risisë dhe provokimit.

Para krizës, kur peizazhi politik ishte më i pasur, kur aktorët politikë prodhonin ngjarje të ndryshme dhe hapnin perspektiva të reja, detyra e gazetarit të komentit, analizës dhe opinionit ishte të respektonte qenien e ngjarjeve – çka ishte e ndryshme ta përshkruante ndryshe. Gazetarit i nevojitej vetëm këndvështrimi filozofik, i duhej vetëm t’i shërbente qenies.

Por me rënien në krizë të politikës shqiptare dhe me varfërimin e skajshëm të peizazhit politik, ku aktorët prodhojnë të njëjtën ngjarje në vazhdimësinë e ditëve, javëve dhe muajve, detyra e gazetarit ndryshon rrënjësisht. Media nuk mund të paraqesë të njëjtën ngjarje, edhe pse në realitetin politik vetëm ajo ngjarje ndodh. Për t’i dhënë audiencës lajmin, risinë dhe provokimin, media i angazhon gazetarët drejt stolisjes së të njëjtës. E njëjta ngjarje duhet bërë të duket si një ngjarje e ndryshme, e re, me domethënie tjetër. Për të bërë këtë nevojiten teknikat e sofistit, i duhet shërbyer dukjes, jo qenies.

Prej këtij transformimi të stilit të gazetarit nga filozof në sofist, padyshim, humbet edhe media edhe politika. Media humbet sepse bie në sforcim, humbet energji të jashtëzakonshme për të prodhuar dukjen, ndërkohë që mund t’i kishte shpenzuar ato energji dhe burime për të zbuluar qenësinë e ngjarjeve dhe personazheve prapa tyre. Politika humbet sepse i jep vetes alibinë e aktivitetit dhe opsioneve, ndërkohë që është zhytur në pasivitet dhe mungesë vizioni, pa të cilat nuk dilet nga kriza. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH