Aktualitet

Politika në kohën e “kolerës”

Shkruar nga Liberale
Politika në kohën e “kolerës”

Nga Armand Kullau

Nëse do flisnim për politikën sot në Shqipëri, do të gjenim shumë të përbashkëta nga konteksti i saj politik me kontekstin e “Dashuria në kohërat e kolerës” të Gabriel Garcia Marquez. Historia e librit shfaq historinë e dashurisë të Florentino Ariza i cili nuk reshti kurrë së dashuruari dashurinë e parë në rini Fermina Daza deri në frymën e fundit edhe pse ajo u martua me dikë tjetër. Në momentin që vdes i shoqi i Ferminas, Florentino plak në trup por shpirtërisht i ri dhe përjetësisht i dashuruar me Ferminan, i rishpall dashurinë e vet duke luftuar dhe rifituar dashurinë e saj në kohën e kolerës duke lundruar të dy bashkë me anije të pashqetësuar nga ngjarjet rreth e qark tyre ku njerëzit vdisnin prej epidemisë ndërsa ata shijonin pikat e fundit të dashurisë pavarësisht moshës së madhe, pavarësisht se jeta e tyre ishte drejt fundit, pavarësisht se edhe trupat e tyre ishin një tempull dashurie në rrënim.

E tillë paraqitet dhe sfida e politikanëve tanë nën valën e Pandemisë dhe frikën që vjen prej saj pasi ata po lundrojnë me një anije që mbart dëmet e 30 vjetëve korrupsion dhe shpërdorim fondesh publike. Ashtu si çifti plak në traget që shijonte dashurinë, ashtu dhe politikanët tanë shijojnë pushtetin të pashqetësuar nën mburojën e ngrohtë që të jep politika prej Pandemisë, prej krizës ekonomike dhe prej pasigurisë që strehohet në komunitet.

Ne kemi një ish-Kryeministër që nuk hoqi kurrë dorë nga pushteti por ashtu si anija e Florentinos plak vjen vërdallë nëpër Shqipëri për të ardhmen e Partisë Demokratike, i pandërgjegjshëm e ndoshta i painformuar për 30 vjet që Shqipëria zvarritet drejt Europës dhe vrapon drejt rrënimit ekonomik. Ndoshta fatkeqësia e tij e vetme janë njerëzit që e kanë rrethuar gjatë tranzicionit. Nismëtari i demokracisë në Shqipëri, Doktori akuzohet nga shtypi i asaj kohe, nga Partia Socialiste dhe qeveria Rama 1, Rama 2 si shkaktar i Luftës Civile ’97, si fajtor për  Firmat Piramidale pasi ai ka qënë President. Por Doktori ishte Kryeministër kur u futëm në NATO, ishte Kryeministër kur u liberalizuan vizat por sipas Partisë Socialiste dhe qeverisë Rama 1 dhe Rama 2 ai është  përgjegjës për ngjarjen e 21 Janarit. Qeveria Rama 1, Rama 2, Partia Socialiste fajëson Sali Berishën për tragjedinë e Gërdedit ku bashkë me ta edhe Presidenti Ilir Meta në 2008 e akuzonte si arkitektin e Gërdecit. Doktori  deri më sot ka rezultuar i pafajshëm nga drejtësia shqiptare. Berisha është deputeti më i vjetër në parlament dhe nëse Shqipëria sot dështon, ai është dëshmitar për 30 vjet si politikan me pushtet.

Atje ku kanë ndodhur tragjeditë tona pas komunizmit, atje ka qënë dhe Sali Berisha, i pafajshëm ligjërisht për   tragjeditë.

I dyti që po ndjek rekordet politike të Doktorit përsa i përket pushtetit është Zoti Edi Rama. Piktori që akuzohet nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike si Kryeministër i korrupsionit, i narkoshtetit dhe programeve që janë pa një ide të qartë se nga do nisemi e ku do shkojmë por vetëm teorira pa fund. Ai akuzohet se ka dështuar nga PD-ja sepse çmimet rriten dhe familja shqiptare kërruset, tkurret e copëtohet duke u arratisur nga vendi por ndërkohë “sherrnaja” e PD-së po furnizon median me lajme duke e hequr vëmendjen nga puna e qeverisë Rama 3, duke i dhënë kohë të harrojmë se ajo ka fatet e shqiptarëve dhe jo Partia Demokratike. Fundja, praktikisht zënka e Bashës me Berishën nuk e pengon qeverinë Rama të rrisi rrogat, të përmirësojë kushtet e minatorëve nëpër miniera, të përmirësojë shërbimin mjekësor dhe mbi të gjitha të ofrojë shpresë dhe jo përralla për shqiptarët që i dëgjojnë si fëmijët e vegjël që edhe kur nuk i besojnë apo pëlqejnë përrallat, janë të detyruar t’i dëgjojnë se janë të vegjël e të pafuqishëm para tij.

I treti dhe mjeshtri i durimit është Zoti Lulzim Basha i cili akuzohet si një lider me frymë berishiste duke qënë diktator brenda PD-së. Felini politik që për 8 vjet me kthetrat e fshehura  nën gjirin e Doktorit “pastroi” partinë nga kandidatët potencial për Kryetar partie. Ai e shokoi Berishën duke e përjashtuar nga Grupi Parlamentar sepse ashtu si felinët Basha tregoi se nuk e ndan territorin e vet politik me asnjë, as me “atin” e vet politik. Për 8 vjet ai dëgjoi ironitë e Edi Ramës se si duronte hijen e Berishës, për 8 vjet ai duroi hijen e Berishës që mbulonte hijen e tij në parti, për 8 vjet ai pranoi pozicionin e tij politik duke ndarë një kordon politik që ushqehesh nga shpirti i Berishizmit. Erdhi dita dhe Lulzim Basha e preu këtë kordon politik sepse jo vetëm që nuk kishte nevojë por po e pengonte të fuqizonte imazhin e tij si lider dhe si politikan që ka forcë dhe vendosmëri për të rrëzuar Edi Ramën.

Aktualiteti politik nga të gjitha kampet po rishpalos një depresion të politikës shqiptare, një paaftësi për të reaguar dhe për të bashkëpunuar për të mirën e vendit. Politikanët tanë zihen për pushtet për interesat e Shqipërisë apo për egon personale? Çfarë ka bërë për 30 vjet Sali Berisha për Shqipërinë, ҫfarë po bën Lulzim Basha dhe më e rëndësishmja, ҫfarë po bën Edi Rama? A ju duket në rrugën e duhur Shqipëria?

Është paqartësia e drejtimit të anijes politike që vret shpresën brenda shoqërisë pasi ajo që fshihet dhe interpretohet si paaftësi reagimi apo revolte ndaj padrejtësisë është një depresion kolektiv i frymëzuar nga politika dhe nga kronikat e zeza të përsëritura qellimisht nga media, nga fryma e gabuar për t’u larguar nga vendi një orë e më parë pa e kuptuar se duke ikur kemi falur shumë, thjesht dhe vetëm për të marrë në shkëmbim garanci ekonomike. Shoqëria jonë është duke flluskuar në ujërat e një lumi që mbyt ëndrrat e rinisë shqiptare, një lumë që mbyt idealet që lindin vetëm nën ndikimin e liberalizmit shoqëror dhe ekonomik. Në ujërat e turbullta të këtij lumi po fundoset dhe pasioni i pavdekshëm për ta bërë njeriun e sotëm më të mirë se ai “ i djeshmi”.

Shpresë ka dhe shpresa sot është anija e buxhetit të shtetit me borxh stratosferik sipër së cilës janë deputetët tanë. Ata janë arkitektët e një anije që tërhiqet dëshpërimisht nga një ekonomi e brishtë që gjendet përballë rreziqeve të Pandemisë kusuret e së cilës bien mbi ne. Jo më kot është lumë ai ku lundron anija e romanit dhe anija e politikës sepse lumi ka një simbolikë të fshehtë. Në dallim nga deti, nuk ka dallgë që përmbysin një anije por vetëm ujë që e shtyn drejt destinacionit që timonieri ynë zgjedh i pashqetësuar nga problemet që ka prodhuar politika pasi ajo vet është problemi i Shqipërisë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH