Aktualitet

Politika kosovare përkujton 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Kurti: Duke ruajtur idealet, çojmë para interesat tona si komb evropian

Shkruar nga Liberale

Më 10 qershor të vitit 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizim i mirëfilltë politik mbarëkombëtar i shqiptarëve, që synonte mbrojtjen dhe integritetin e territoreve ku banonin shqiptarët në Perandorinë Osmane, të kërcënuara nga vendet fqinje.

Politikanët e Kosovës kanë përkujtuar këtë ditë dhe kanë vizituar vendin ku u mbajt kuvendi i parë shqiptar që tentoi bashkimin e vilajeteve shqiptare.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bëri thirrje për më tepër bashkëpunim mes shqiptarëve për të çuar përpara interesat e tyre politike. Në fjalën e mbajtur në ceremoni, Kurti deklaroi se 10 qershori është në regjistrin e datave të rëndësishme siç është 28 nëntori dhe 17 shkurti.

“Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb europian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, evropian e amerikanë”.

Në të njëjtën ceremoni, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lidhja shprehu qartë jo vetëm vendosmërinë e shqiptarëve për një shtet të pavarur, por edhe orientimin e tyre perëndimor.

“Lidhja e Prizrenit ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo e shprehu qartë qëndrimin e shqiptarëve për shtet të pavarur. Tregoi vetëdije të lartë politike e shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale”, ka thënë Osmani në manifestimin qendror të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Osmani tha se kjo lidhje ka shërbyer si model për projektet e tjera kombëtare.

“Ka shërbyer si model i përhershëm nga ku janë frymëzuar intelektualë, patriotë, dijetarëh e politikanë ku kanë vijuar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor si ai i viteve 90 për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka konsideruar si një ndër ngjarjet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar.

“Shumë shqiptarë të zotë të asaj kohe, duke e ndjerë rrezikun që popujt fqinj do të lakmojnë në tokat e atdheun e tyre, më 10 qershor 1878, krijuan organizimin e parë politik të vilajeteve shqiptare, me të vetmin qëllim, ruajtjen e integritetit territorial të tokave shqiptare!”, u shpreh ai.

Haradinaj ka thënë se pas kësaj Lidhja e Lezhës mbetet, lidhja më e madhe e shqiptarëve, teksa shprehur mirënjohjen për të gjithë personalitetet që bën të mundura këto ngjarje.

“Përjetësisht mirënjohës gjithë atyre atdhetarëve që i prinë popullit shqiptar në ato rrethana aspak të lehta. Njëkohësisht, shprehim respekt për gjithë ata që ruajtën vazhdimësinë e paraardhësve tonë që në qershorin e 1999 Kosova ta fitojë lirinë e saj”, shkroi ai në Facebook.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH