Politikë

Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara në Ballkan, duhet të ndryshojë

Shkruar nga Liberale
Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara në Ballkan, duhet të

*The American Spectator

Nikolla Kedhi

Në gusht të vitit 2018, një propozim befasues iu hodh publikut në Republikën e Kosovës dhe në Shqipëri – një shkëmbim territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjet mes dy vendeve. Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishin të gjithë në një mendje për propozimin.

Thashethemet se administrata Trump qëndronte pas kësaj u përhapën menjëherë, kryesisht nga kritikët e Presidentit në rajon. Nuk ndihmoi që Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Donald Trump, John Bolton, tregoi mbështetjen e tij për planin. Megjithatë, anëtarë të ndryshëm të administratës Trump mohuan pretendimet se propozimi kishte ardhur prej tyre. Madje Bolton, vite më vonë, tha se ishin liderët lokalë ata që ia kishin paraqitur planin qeverisë amerikane. Mediat vendas e cilësuan Fondacionin e Shoqërisë së Hapur si trurin pas kësaj ideje.

Ky plan do të kishte hapur kutinë e Pandorës në një rajon delikat me një status quo të brishtë. Nëse shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte zbatuar, do të kishte krijuar një precedent për Bosnjën, pjesët e tjera të Ballkanit, madje edhe në Evropë, duke rikthyer tema të ndjeshme të lëna mënjanë kohë më parë. Potenciali për konflikt etnik ishte aty, dhe duke ndërmarrë këtë eksperiment të rrezikshëm, reaksioni zinxhir që do të kishte nisur do të kishte qenë me pasoja për të gjithë kontinentin.

Kishte vetëm një udhëheqës që qëndroi kundër kësaj perspektive, i vetëm. Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe lideri aktual i opozitës, Sali Berisha, një burrë shteti konservator me përvojë të gjatë në politikë dhe njohuri të pakrahasueshme në gjeopolitikë, foli menjëherë dhe ashpër kundër korrigjimeve të kufijve në rajon dhe konkretisht mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Sapo nisi të diskutohej ideja, zoti Berisha, në përputhje me qëndrimet që do të mbanin më vonë Gjermania dhe Franca, u bë i pari që theksoi se ‘shkëmbimi i territoreve ishte një ide serbe, që ata e kishin kërkuar gjithmonë me këmbëngulje patologjike, edhe para shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. E vërteta është se në këtë rast Serbia dëshiron të tregtojë, të përdorë territoret shqiptare si produkt tregu, pasi e shqetëson zgjimi gjithnjë e më i madh i ndërgjegjes kombëtare mes shqiptarëve. Çdo marrëveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jetë një marrëveshje mes dy vendeve të pavarura që njohin integritetin territorial të njëri-tjetrit’.

Disa muaj më vonë, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se Uashingtoni nuk ka inkurajuar kurrë ndonjë ide për ndryshimin e kufijve. ‘Nëse doni një marrëveshje paqeje, duhet të uleni dhe të bisedoni me kundërshtarin tuaj’, shtoi në atë kohë ambasadori amerikan.

Falë një kundërshtimi të fortë nga liderë si Berisha në Shqipëri, aktorë të ndryshëm politikë në Kosovë, Gjermani dhe pas një refuzimi të zëshëm nga Shtetet e Bashkuara, ideja e shkëmbimit të territoreve u braktis.

Më pas, ideja e ‘Minishengen’ ose Ballkani i Hapur u prezantua si një alternativë ndaj Procesit të Berlinit, një nismë bashkëpunimi ndërqeveritar e lidhur me zgjerimin e ardhshëm tëBashkimit Europian. Ndërsa kjo e fundit kishte mbikëqyrjen dhe garancitë e nevojshme të ofruara nga Gjermania dhe vendet e tjera evropiane, e para përfshinte vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë, me pjesëmarrjen ngurruese e jo të qëndrueshme të Malit të Zi, iniciativë që me siguri do të kishte çuar në dominimin serb në rajon. Shtetet e Bashkuara - ose të paktën Departamenti i Shtetit - u shfaq edhe një herë duke mbështetur këtë ide të re, me shumë sinjale jo të qarta e shpesh dhe të kundërtaqë vinin nga përtej Atlantikut. U shtua presioni mbi Kosovën, edhe pse Serbia refuzonte të njihte pavarësinë e Kosovës dhe përpiqej të impononte vullnetin e saj në rajon.

Megjithatë, në mënyrë të papritur, në gusht 2023, kur lufta në Ukrainë po hynte në vitin e dytë, nisma e Ballkanit të Hapur u shpall e vdekur nga kryeministri shqiptar dhe faktorë të tjerë në rajon, duke u rikthyer sërish në Procesin e Berlinit të udhëhequr nga Gjermania.Analistët dhe aktorët politikë, kur shpjegojnë inkoherencën në politikën e jashtme amerikane, ngrenë çështjen e rrymave të shumta brenda makinerisë së madhe burokratike amerikane, shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën, me qëllime dhe metoda veprimi të ndryshme. Këta janë vetëm dy shembuj ku mungesa e lidershipit amerikan dhe eksperimentimi i pakujdesshëm i segmenteve të caktuara të burokracisë amerikane mund të kishin penguar përparimin dhe paqen e fituar me vështirësi në rajon.

Edhe një herë, Sali Berisha, si përfaqësues i të djathtës shqiptare, ishte zëri kryesor në Ballkan kundër një procesi, i cili kishte bekimin e Rusisë dhe që do të kishte destabilizuar Ballkanin, duke rritur ndikimin rus. Ishte i fundit në një seri qëndrimesh si burrështetas që zoti Berisha ka mbajtur gjatë karrierës së tij të gjatë, duke përfshirë punën e tij të palodhshme për futjen e Shqipërisë në NATO dhe fillimin e procesit për anëtarësimin në BE, politikat e tij të vazhdueshme pro-shqiptare, pro-amerikane dhe properëndimore, largpamësia e tij për uljen e varësisë energjetike nga Rusia duke lobuar dhe ndërtuar TAP-in dhe shumë të tjera, për të cilat ai nuk merr meritat e duhura.

Berisha, zëra konservatorë nga partia e tij dhe qeveria e Kosovës mbetën vetëm për shumë vite në kundërshtim me një plan të rrezikshëm që do ta kishte parë Rusinë të zëvendësonte dalëngadalë rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Në fund të fundit, u vërtetua se ata kishin të drejtë. E djathta pro-perëndimore shqiptare ka një trashëgimi të të qenit në anën e duhur të historisë gjatë dekadave të fundit. Edhe përballë braktisjes së pashpjegueshme nga aleatët e saj, ajo ka qëndruar gjithmonë me dinjitet dhe ka mbajtur kokën lart. E ka bërë këtë edhe kur pas dekadash persekutimi të së djathtës, komunistët gjetën strehim në Perëndim, pas rënies së murit të Berlinit.

Rajoni ka mungesë të liderëve të staturës së zotit Berisha, që mund të sjellin stabilitet afatgjatë dhe që kanë kapacitetin për të mbajtur qëndrim në momente delikate. Liderët e krijuar në laborator nuk mund të zëvendësojnë kurrë ata realë, rëndësia, përvoja dhe aftësitë vendimmarrëse të të cilëve bëhen parësore, veçanërisht në rajonet e brishta. Një nga gabimet që Perëndimi bën shpesh është mbështetja e individëve ose grupeve të gabuara, dhe kjo ka pasoja për të cilat të gjithë palët e interesuara pendohen më pas. Ndihma dhe mbështetja e komunistëve në Shqipëri gjatë dhe pas komunizmit, në vend të atyre të persekutuarve nga regjimi gjakatar dhe që shpresonin në shpëtimin e Amerikës, ka qenë një gabim i tillë.

Perëndimi, veçanërisht gjatë viteve të Obamës, lejoi të ashtuquajturën stabilokraci – që do të thotë krijimin e regjimeve gjysmë-autoritare në Ballkanin Perëndimor që do të ruanin status quo-në dhe do të parandalonin këto vende nga përshkallëzimi i konflikteve me njëri-tjetrin, në kurriz të demokracisë. Nga ana tjetër, ndikimi rus në vende si Serbia është i madh dhe Shqipëria dhe Kosova kanë shpresuar që Shtetet e Bashkuara të jenë një ndërmjetës dhe ndikim i drejtë dhe i ndershëm në rajon.

Megjithatë, Perëndimi duhet të dijë se sakrifikimi i demokracisë për stabilitet do të çojë përfundimisht në destabilitet dhe konflikt. Historia nuk tregon alternativë tjetër. Shumë njerëz në rajon mendojnë se burokracia perëndimore ndërhyn në çështjet e brendshme, duke imponuar zgjidhje që ata besojnë se janë të duhurat, duke bërë të largohenpopullsitë e këtyre vendeve – veçanërisht ata më pro-amerikanët. Sulmi ndaj liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, specifikisht atyre që e kanë dëshmuar veten si aleatë të mëdhenj amerikanë, dhe kërkimi i largimit të tyre përmes proceseve jodemokratike, në fund është i destinuar të dështojë.

Besimi te lidershipi amerikan po vjen duke u ulur edhe tek njerëzit më pro-amerikanë, dhe kjo është diçka që vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta rregullojnë. Ndërkohë evropianët, me gjithë retorikën për demokracinë dhe sundimin e ligjit, janë të lumtur të qëndrojnë mënjanë dhe të shohin një rajon të tërë të bjerë në autoritarizëm.Për fat të mirë, konservatorët shqiptarë janë të gatshëm të përballen me sfidat e kohës dhe të dëshmojnë se janë një forcë pozitive për të ardhmen e rajonit, nëse u jepet rasti, duke u mbështetur në trashëgiminë e gjeneratave të mëparshme të së djathtës dhe nga përvoja e liderëve si Berisha.

Rajoni do të ishte më keq nën ndikimet ruse dhe kineze – nuk ka asnjë dyshim për këtë. Megjithatë, është gjithashtu e qartë se veprimet amerikane janë ato që po çojnë në një zbehje të ndikimit amerikan. Duket e pakuptimtë, por fatkeqësisht e vërtetë. Është një vazhdimësi e një politike të jashtme kaotike që braktis aleatët dhe inkurajon armiqtë. Duket se kërcënimi kryesor për Pax Americana është vetë burokracia amerikane.

Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së jashtme, mungesa e një strategjie kohezive afatgjatë dhe braktisja e aleatëve duhet të marrin fund para së gjithash në interes të Shteteve të Bashkuara, dhe sigurisht edhe në dobi të vendeve pro-amerikane si Shqipëria dhe Kosova, që vazhdojnë të vuajnë, krejt padrejtësisht.

Kjo është arsyeja pse në Shtetet e Bashkuara nevojitet një udhëheqje e fortë politike, për të parandaluar dorën e papërgjegjshme burokratike që të vendosë politikadhe të imponojë vullnetin e vet. Vetëm një politikë e jashtme kohezive, realiste, e shoqëruar me politikat fuzioniste Reganiste brenda vendit, mund të rivendosin lidershipin amerikan në skenën botërore dhe të parandalojnë një shekull kinez.

*Nikola Kedhi është ekspert ekonomik dhe komentator gjeopolitik, bashkautor i Kushtetutës së Vlerave të Qendrës së Djathtë dhe bashkëpunëtor në disa media në SHBA, MB dhe Evropë, si Fox News, European Conservative, Newsweek etj.

Artikulli është botuar në revistën e njohur amerikane the American Spectator.

Artikujt e Kedhit pasqyrojnë vetëm opinionet e tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH