Aktualitet

Policia:1 mln lekë kush jep info për Gëzim Saraçin

Shkruar nga Liberale
Policia:1 mln lekë kush jep info për Gëzim Saraçin

Policia e Shtetit jep 1 milion lekë të reja, për këdo që jep informacion për Gëzim Saraçin. 50-vjeçari dyshohet si personi që hodhi granatën në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, i cili mbeti i plagosur. Po ashtu e plagosur nga shpërthimi mbeti dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu.

Sipas policisë Forcat speciale Renea, FNSH-ja e Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe të Fierit vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.

“Autori i kësaj ngjarjeje ka mundur të largohet menjëherë pas ngjarjes dhe dyshohet se është fshehur në territorin e qarkut Berat”, thekson policia.

“Me qëllim kapjen sa më shpejt të tij, Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe vë në dispozicion 1 milionë lekë të rinj për çdo informacion të saktë që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit. Për çdo informacion sado të vlefshëm, qytetarët të telefonojnë në numrin unik 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, si dhe në numrin e celularit 069 41 07 337, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të strukturave të Policisë për të kapur dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorin e kësaj ngjarjeje”, theksohet më tej në deklaratë.

Si ndodhi ngjarja…

Në orën 8 e 15 minuta në ambientet e bashkisë së Lushnjes ka hyrë ish shoferi i kryebashkiakut. Pas disa minutash në zyrën e kryebashkiakut dëgjohen zëra të fortë ndërsa kishte nisur një konflikt verbal. Sekretarja Erisa Qalliu ka hapur derën e zyrës për të parë çfarë po ndodhte ndërsa Gëzim Saraçi, ka hequr siguresën e granatës dhe e ka hedhur atë.

Për pasojë nga shpërthimi, sekretarja është dëmtuar më shumë, ndërsa kryebashkiaku është më lehtë. Të dy janë dërguar në spitalin Ushtarak, por pas kurimit të parë Tushe ka dalë prej andej ndërsa sekretarja po trajtohet

Nga burime brenda bashkisë thuhet se konflikti ka lindur në vitin 2017 kur kryebashkiaku e largoi nga puna ish-shoferin e tij pasi thuhet se kishte marrë sinjalizime për shfrytëzim të pozitës së tij nga ana e shoferit përballë bizneseve. Megjithatë ish-shoferi vijonte të ishte në borderotë e bashkisë së Lushnjes. Sipas dëshmive thuhet se ish shoferi vazhdimisht përplasej me kryebashkiakun duke e shantazhuar me ekzistencën e videove që kërcënonte se do t’i bënte publike.

Policia ka marrë të gjitha provat, përfshi edhe pamjet e kamerave të sigurisë në bashkinë e Lushnjes si dhe ka marrë në pyetje punonjësit. Sipas Partisë Demokratike autori i ngjarjes është një trafikant droge dhe prostitucioni i cili ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH