Letërsi

Poezia e Petrit Nikës, shtëpia e qenies njerëzore

Shkruar nga Liberale
Poezia e Petrit Nikës, shtëpia e qenies njerëzore

Nga Myzaljen Hoxha

Në mesin e shumë shkollave të mendjes njerëzore, racionaliteti është ai që i bën kufijtë e imagjinatës të prekshëm, dhe që e lejon të ndërhyjë në territorin e tij. Nga ana tjetër “fakulteti” i imagjinatës ka kontrollin e vet, dhe nuk lejon asnjë ndërhyrje të racionales, që të pengojë çdo zhvillim të ndërgjegjes sonë shpirtërore.

Vetë poezia është një ndërgjegje shpirtërore e shkallës sipërore. Ky është një realizëm i vërtetë, dhe jo idealizëm i rremë i shprehjes konvencionale të poezisë. Këtu imagjinata është e kombinuar me elemente të vërteta të ekzistencës sonë dhe lind trillimin letrar, që lidh shpirtëroren me materialen, njeriun me natyrën, dhe që na mëson formën e bukur dhe përmbajtjen e thellë të jetës si një e tërë.

Poezia është “një ditë plotë dritë ” me vargun e lirë, ku ne gjejmë ndjeshmëritë njerëzore, që kushtëzojnë vetë ndryshimin e mjedisit shoqëror.

Kjo ndjesi e këndshme shkaktohet dhe lind tek ne, kur lexojmë poezinë e Petrit Nikës. Poezia e tij është një emocion i thellë që gjen mendimin racional, dhe ky i fundit gjen fjalën e fuqishme dhe të latuar për të komunikuar me njerëzit. Është nje poezi që përkundet mes racionalitetit dhe imagjinatës, që marrin dhe japin me njëri - tjetrën, në funksion të shprehjes së vlerave për gëlimin e jetës.

Tek librat poetikë të tij: -“Qenia brenda Enës” dhe “Shtëpia e Qenies”, ai i jep përgjigje dilemës hamletiane: -“To be or not to be, this is the question”- “Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja ”.

Në poezinë, “Qenia në Mosqenie ”, ai vargëzon :

Qenia në Mosqenie pa qenie do qëndrojë,

N`kujtim të vetvetes, pa sy dhe pa gojë,

E lehtë nga mungesa, vetveten do rëndojë,

Mes hiçit - pa nevojë.

Dhe në poezinë “Qenia brenda Enës ”, ai mediton :

Hapësirë e trazuar me brengat e vjeshtës,

Plim me nuanca, mjegull, lagështi,

Me vrajë nostalgjike ç`prej fillimjetës

Ndër lutje pagane - tralliset n`zbrazëti.

Dhe materia e lodhur nga prirja e rindërtimit

Shpëlahet e amullt n`ekuinkës të çrregullt,

Asgjë nuk e ndal më rrjedhën e gabimit,

Me zanafillë (ndoshta) qëllimisht të mjegullt.

Poezia e Petrit Nikës është e bukur, sepse ajo është një poezi thellësisht dhe gjerësisht filozofiko - meditative. Kjo është e arrirë nga poeti, me mjetet letrare që ka zgjedhur me kujdes në poezinë e tij, të cilët janë shumë:

- Alteracioni, që është përsëritja e tingujve fillestarë bashkëtingëllorë në ndërtimin e vargut të tij poetik, dhe që i jep vetë kuptim atij;

- Kontrasti, krahasimi i realiteteve që janë të ndryshme;

- Metafora, një krahasim i nënkuptuar në mes dy gjendjeve të cilat në thelb nuk janë njësoj në poezinë e tij;

- Gjuha figurative, gjuha e përdorur si figuracion, që e detyron fjalën të marrë kuptimet letrare duke theksuar ngjyresën dhe muzikalitetin e tyre, që sjellin ndjenjë dhe entusiazëm tek njerëzit;

- Hiperbola, ekzagjerimi i hermetizimit poetik, por si instrument i fuqishëm në shërbim të së vërtetës jetësore;

- Skulptura mendore, përfaqësimi i gjuhës së talentit dhe i përditësimit të përvojës së tij të pasur. Një imazh si tablo mendore, që e përfaqëson atë, si një zë të veçantë në poezinë shqipe.

- Ironia, si një mjet letrar i tij, që zbulon kuptimet e fshehura të jetës bashkëkohore;

- Gjuha leterale, që është e thënë brenda poezisë së tij, dhe që është e bazuar në realitetin e trishtë shqiptar, e ndërthurur me krahasimet e përdorura në mënyrë figurative;

- Metonimia, përdorimi i idesë së ndërtimit të misionit të poezisë, të lidhur ngushtë me idenë e tij;

- Simboli, një simbolikë që ka dy nivele të kuptimit, një nivel të fjalëpërfjalshëm dhe një nivel figurativ, duke dhënë karaktere, objekte dhe ngjarje, që janë simbolikë në atë që përfaqësojnë dhe shprehin;

- Mitologjia, pra miti që nuk krijon skena besnike, apo fantastike, por që mbart realitete dhe emocione të vjetra dhe të reja, si krime, keqardhje, ironi, tradhëti, pabesi dhe sakrifica sublime;

- Muzikaliteti, si tingull simfonik i vjershërimit poetik të tij.

Vetë poeti Petrit Nika, për të na afruar dhe bërë të dashur me mjetet e tij letrare, na thotë : -“Një përvojë e këndshme për mua ka qënë dhe loja me alteracionin. Është ndoshta një farë fonologjie ku kuptimet barten përmes forcave shënjuese, që burojnë nga vetë madhështia e gjuhës. Alteracioni më ka mrekulluar me aftësinë e përshtatshmërisë së fjalëve në gjuhë, për të qëndruar pranë e pranë me lidhje të forta kuptimore, madje dhe pa konektorë ”.

Poezia e Petrit Nikës është metafora e lindjes dhe e nxitjes së mendimit edhe kur hesht, e larmisë dhe e harmonisë së ndjenjës edhe kur ndrydhet ajo. Është një semantikë e thelbit dhe e formës së jetës dhe shprehja shkrimore e qartë e saj.

Arti dhe letërsia janë një perfeksion artistik, dhe si të tilla ato janë një kombinim i cilësisë së punëve të zemrës dhe intelektit. Ato janë një simpati dhe dashuri për të vërtetën, me anën e të cilave shpjegohet bota e qenieve njerëzore.Vitalizimi i ideve, ngjizja e shpirtit intelektual dhe mbrojtja e së vërtetës janë në poezinë e Petrit Nikës, parimësi që ndikojnë, ndihmojnë dhe orientojnë ecurinë e jetës bashkëkohore.

Inteligjenca krijuese sensitive dhe integriteti humanistik janë të bashkuar në mendimin e thellë dhe të shprehur nëpërmjet konstruktit të fjalës së bukur, që na mrekullon kur e lexon.

Këto dy virtyte të letërsisë artistike janë kuitesenca e shpirtit të madh të poetit Petrit Nika në poezitë e tij.

Në trininë e poezisë, Emocioni - Mendimi - Fjala, ai bënë kujdes me fjalën poetike, duke e ngritur atë në art.

Dhe ja, poezia e tij “ FJALA ” :

Ndoshta vjen koha të thuhen të gjitha,

Shestimet abstrakte të mendjes me fjalë.

Dhe kumtet nga BUDA, SHIVA e KRISHNA,

Të shpalosin gërshetat mistikë ngadalë.

Tevona fjala të dalë nga qenia si dritë,

Bash si fjala olimpike e Prometeut.

Mbi ujërat e errëta të HADIT të ndritë,

Hapësirat e plogëta gjer në fund të dheut.

Bukuria në poezinë e Petrit Nikës është një raport i drejtpërdrejtë i semantikës së gjuhës dhe i fjalës së gjetur. Një unison i logosit, me një stilistikë që harmonizon larminë konceptuale me vetë qenien e poezisë.

Është një poezi moderne, që djepohet mes egzistencializmit dhe prometeizmit, frymohet mes klasikes, simbolikës, trajtave natyrore dhe sociale. Është një poezi “rebeluese ” e qenies njerëzore kundër të qenit çfarë është, pro të qenit çfarë duhet të jetë.

Parimi poetik i tij është ndjeshmëria njerëzore për artin e poezisë dhe letërsisë si një e tërë, dhe njeriun si epiqëndër i tij. Ky parim ndërlidh botën materiale me atë shpirtërore në funksion të katharsisit estetik, si ndjeshmëri humane në jetën bashkëkohore që gjallon.

Krijimtaria e poetit Petrit Nika ka qënë e shoqëruar me dhimbje dhe mundime jetësore të tij. Por, forca e tij në fushë të inteligjencës krijuese e gjen shprehjen konkrete në mendimin e ndritur të Dostojevskit : -“Dhimbja dhe vuajtja janë gjithmonë të paevitueshme për njerëzit me inteligjencë të lartë dhe zemër të madhe ”.

Rrugë të mbarë dhe plot dritë këtij universi dhe udhëtimi poetik të shkëlqyer nëpër të fshehtat e letërsisë shqipe, kësaj poezie elitare, që ofron shumë mundësi interpretimi, këtij teksti poetik të ndërtuar mjeshtërisht mbi materien antike dhe bashkëkohore të jetës, e cila mbetet thesar i pashterur i letërsisë shqipe. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH