Letërsi

Poeti që kyçi shirat

Shkruar nga Liberale
Poeti që kyçi shirat

Fragment

Po shkoj dhe shirat po i le të kyçura

(Frederik Rreshpja)

Nuk ndjej asgjë, tha Frederiku. Më ka ikur nuhatja për gjërat e kësaj bote. Nuk ndjej asnjë aromë… As aromat e luleve nuk i ndjej më… As aromën e grurit dhe të bukës. As aromat e jetës. Ndjej vetëm aromat e dheut e të shirave…

Këtë shënim e kam hedhur në një nga blloqet e mi, menjëherë pasi jam kthyer në zyrën e katit të tretë të Muzeut Historik Kombëtar. Duket nga shkrimi i keq, që fjalët e mësipërme i kam shkruar me nxitim, ndoshta për të riprodhuar me saktësi ato që më tha Frederik Rreshpja. Shënimi nuk ka datë të saktë. Sipër kam shkruar këto fjalë: “Mesditë. Dhjetor 2005”, ndërsa poshtë “Fjalët e Frederik Rreshpes, teksa thithte cigaren ulur në një nga stolat e korridorit të katit të dytë, të pavionit të kardiologjisë, spitali Nr.1 ku kisha shkuar me Moikom Zeqon”.

Mbaj mend që atë ditë në Tiranë binte shi dhe në malin e Dajtit borë. Nuk e di pse nuk kam shkruar hollësira të tjera për atë ditë, kur Frederik Rreshpja u shtrua për herë të fundit në spital. Në bllokun tim nuk kam shënime as për takimet pas Vitit të Ri 2006, ku si gjithmonë kam shkuar me mikun tim Moikom Zeqo… Më vjen keq që nuk kam hedhur asgjë me shkrim nga takimet dhe bisedat me të gjatë viteve 1992-1993 ose 1993-1996, por veçanërisht në vitet 2000-2005. Sepse në vitet 1992-1996 ose më saktë në fundfillimvitet ’92-’93, kur unë provoja papunësinë dhe një vetmi që nuk do ta harroj kurrë, Moikom Zeqo i dha mikut të tij të vjetër Frederik Rreshpja për të lexuar tregimin tim “E hëna e vitit zero”. Dhe atë tregim Frederiku e botoi në numrin e parë të gazetës “Evropa”, botim i firmës me të njejtin emër, që drejtohej nga poeti i madh… Nuk do ta harroj kurrë 10 janarin e vitit 1993. Ishtë një ditë e ftohtë, por plot dritë dhe me një bardhësi ëndrre. Me gazetën në dorë, hyra në lokalin pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, ku gjeta Frederikun me Moikomin. I ndrojtur dhe me një ngazëllim të brendshëm u ula pranë tyre, duke dëgjuar, pas falenderimeve të mia, fjalët e Frederikut. Dhe po atë ditë, Rreshpja i madh më tha: “Tregimi ka shtratin e romanit. Shkruaje romanin se do ta botoj unë me shpenzimet e mia…” Unë i thashë se nuk kisha provuar të shkruaja ndonjëherë prozë të gjatë, se… Por ai ngulte këmbë dhe disa herë tha se romanin do ta botonte shtëpia botuese “Evropa”, se tregimi me gjarpërinj lodra ishte i goditur, se… Pa dashur të futem në hollësira e të rrefej gjatë për emocionet e asaj ditëjanari me bardhësi ëndrre dhe të tjerat më pas, romani “Hëna e vitit zero” u shtyp në shtypshkronjën e shoqërisë “Evropa” sh.p.k. me adresën rruga “Muhamet Fortuzi” nr.46, me drejtor Frederik Rreshpen. Pas rrugës “Bardhyl”, në një apartament të vogël ku Fredi kishte nisur punën e më pas diku prapa ish godinës së gazetës “Bashkimi”, adresa e mësipërme ose shtëpia e vjetër tiranase tek vendi i quajtur “Kodra e Kuqe”, ishte qendra e shoqërisë “Evropa” me shtypshkronjën, zyrën e pronarit të saj, Fredit, zyrat ku punonin redaktorët si dhe shtëpia ku edhe banonte poeti Rreshpja. E në këtë shtëpi, ku unë kam hyrë dhe dalë sa e sa herë, kam parë kulmin e shkëlqimit financiar të Rreshpjes, siç kam pare rrënimin e tij vite më vonë, veçanërisht në vitet 2000-2005… Pesë vitet e fundit përbëjnë epilogun tragjik të jetës së poetit. Dhe po t`i shtosh edhe sëmundjen e rëndë që e goditi fillimisht në zemër dhe më pas në tru, do të thoja pa hezitim, se Rreshpja po përjetonte çuditërisht vetminë dhe varfërinë e De Radës dhe udhëtimet halucinante të Serembes, dy nga idhujt e talentit të papërsëritshëm nga Shkodra… Njëkohësisht në këto vite ferri të vërtetë për poetin e rrallë, kam parë nga afër edhe kujdesin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit dhe enciklopedistit Moikom Zeqo. Ky përkushtim i Moikom Zeqos i kalon kufijtë e atij që quhet humanizëm ose dashuri njerëzore dhe përbën një shembull të gjallë në marrwdhëniet mes krijuesve, ndoshta unikal në letrat shqipe. Moikom Zeqo i dha Frederik Rreshpes ngrohtësi njerëzore, dashuri, i lehtësoi dhimbjet duke e ndjekur kudo që poeti shkonte dhe duke ndjerë e ndarë edhe vetë shumë nga drama e poetit… Dhe falë miqësisë sime të kahëmoçme me Moikom Zeqon dhe disa rrethanave që i përshkrova më lart, shto këtu edhe punësimin tim në Muzeun Historik Kombëtar, aty nga vitit 2000, kam patur fatin që edhe unë të kem qënë pranë Frederik Rreshpes, të rri me të, të shkëmbej mendime për letërsinë, të dëgjoj dhe përfitoj nga mënçuria dhe thellësia e gjykimeve të tij, të ndjek bisedat mes tij dhe Moikomit apo edhe me krijues të tjerë… Delikat në sjellje dhe në të folur, i thellë dhe i qartë në gjykime, njohës i shkëlqyer i letërsisë botërore dhe asaj shqipe, nuhatës i talenteve të vërteta dhe me shije aristokrati në letërsi, i tillë ishte Frederik Rreshpja në biseda me kolegë….

Shënimi i fundit: 20 shkurt. Natë e vonë.

Bie zilja e telefonit. Është Moikomi. Duket i lodhur dhe ka një të folur prej vetmitari të madh. Unë i them se shkrimet që ka bërë për Frederik Rreshpen janë të shkëlqyera… Ai hesht. Pastaj se ç`thotë me zërin e tij prej vetmitari. Në mungon Frederiku, shton pastaj. Më mungon shumë. Dhe mbyll receptorin… Është vonë. Natë e vonë dhe e qetë. Unë dal në ballkon dhe shoh qiellin e pafund.

Po shkoj dhe shirat po i le të kyçura, përsëris e përsëris vargun e një prej vjershave më të bukura të Frederik Rreshpjes… Por unë do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua… Në çdo stinë që të dua… /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH