Aktualitet

Poeti i mirënjohur Petrit Ruka nderohet me Çmimin kombëtar "MUZA"

Shkruar nga Liberale

Poeti i mirënjohur Petrit Ruka, u nderua me Çmimin kombëtar "MUZA" për kontributin e tij të spikatur me përmbledhjen e baladave arbërore "Andej baltë, këtej erë", botimet UETPRESS 2020.

Në ceremoninë për ndarjen e çmimeve kombëtare të Letërsisë, Ruka u vlerësua nga juria me motivacionin: “Poet i thellësive të shpirtit njerëzor, i dashurisë dhe dhimbjes, që me kalin e bardhë të poezisë tejkaloi çdo kufi kohor e hapësinor, që na mrekulloi me bukurinë e baladës, duke ngjizur traditën te modernia, me rrënjë të ngulura thellë në tokën e të parëve, e kryet gjer në re, në kërkim të hapësirave të reja shprehëse.”

"Andej baltë, këtej erë” mbetet botimi i tij i fundit në gjallje, ndërsa UETPREESS pati privilegjin e bashkëpunimit me këtë autor, që nderon kolanën e botimeve.

Shkrimtarja Flutura Açka mori çmimin kombëtar të letërsisë për prozën më të mirë me “Birin”, një vepër kushtuar dhimbjes së nënës për fëmijën e humbur, e përtej kësaj, një libër që nxit forcën tek ata që janë përballur me vdekjen duke na mësuar, të rinisim jetën, pa harruar për asnjë çast të ikurit e shtrenjtë.

Juria, e kryesuar nga akademiku Mehmet Kraja dhe anëtarët Ardian Ndreca, Elda Gjana, Ylljet Aliçka e Shezai Rrokaj, vlerësuan me çmimin për librin më të mirë studimor akademikun Artan Fuga për “Origjinat”.

Çmimi për vëllimin më të mirë poetik ju dha Bardhyl Londos me “Prill i hidhur”, ndërsa çmimi për përkthimin më të mirë iu dha Granit Zelës me “Lepur vrapo” nga John Updike.

Persida Asllani u vlerësua për librin më të mirë për fëmijë me “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”. Asllani tha se “libri është një thirrje për lexim. Shkrimi i tij s’ka qenë i lehtë, por as i vështirë sepse fëmija që ende ruaj brenda vetes, është çapkën dhe nuk e ka humbur dëshirën”.

Juria mirëpriti kritikat, duke pohuar se jo gjithnjë kanë qenë në një mendje për fituesit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH