Policia ka zbuluar ditën e sotme rastin e trafikimit të një 30 vjeçareje drejt italisë, me qëllim prostitucioni.
Gjatë kalimit në aeroport, Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas kanë dyshuar në thëniet e saj për qëllimin e lëvizjes drejt Italisë dhe e kanë ndaluar.
Bashkë me të është ndaluar edhe një shtetas tjetër ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona.
Njoftimi i policisë
Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë kanë goditur një rast të trafikimit të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, nga ku është arrestuar një person dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.
Shtetasi i arrestuar është E. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i 40 vjeçarit u bë pasi gjatë intervistimit të një 30-vjeçareje nga Fieri, Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas kanë dyshuar në thëniet e saj për qëllimin e lëvizjes drejt Italisë dhe menjëherë kanë bërë bllokimin e saj duke njoftuar Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Si rezulat i hetimeve të shpejta u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i këtij rasti kriminal, si dhe kapja e arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., i cili do shoqëronte 30-vjeçaren drejt Italisë. Shtetasi E. Ç., në momentin që ka parë bllokimin e 30-vjeçares ka tentuar të largohet nga aeroporti, por është kapur nga shërbimet e Policisë.
Po në vijim të veprimeve të para hetimore është bërë shpallja në kërkim e tre shtetasve A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., dhe po vijon puna për kapjen e tyre.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi i arrestuar në bashkëpunim me shtetasit A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., nëpërmjet përdorimit të dhunës kishin detyruar 30-vjeçaren që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali dhe këta shtetas mbrëmjen e djeshme kishin organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroporit të Rinasit./Gazeta Liberale