Editorial

Po shkojmë drejt një ringritje kulturore apo thellimi të etantizmit?

Shkruar nga Liberale
Po shkojmë drejt një ringritje kulturore apo thellimi të

Gentian Kaprata

Urbanism & Democracy

Ngjarje të jashtëzakonshme, si ajo e tërmetit të nëntorit, shkundin shoqëritë nga përgjumja e rehatisë së “gjendjes ekzistuese’. “Gjendjet ekzistuese”, sado të këqija qofshin ato, janë gjithmonë më të lehta për t’u pranuar nga shumica dërmuese e individëve të shoqërisë, sesa ndryshimi i tyre. Ndryshimet kërkojnë përpjekje dhe punë, gjë që nuk është shumë e pëlqyeshme nga individi që, sikurse do na thoshte Karl Poper, me dembelizmin dhe parazitizmin që i karakterizon parapëlqejnë të gjejnë ato fakte që vërtetojnë hipotezën e tyre. Që në këtë rast është ‘status quo’-ja, e cila edhe për shoqëritë më dembele tronditet nga ngjarje të tilla të jashtëzakonshme!

Shoqëri të ndryshme reagojnë në mënyra të ndryshme, në varësi të fazës së civilizimit në të cilin ndodhen, ndaj ndryshimit të kërkuar. Nëse i referohemi Ogyst Kont, shoqëri të ‘etapës së mitologjisë’ nuk kanë nevojë për fakte apo mendim shkencor, sepse këto shoqëri nuk kanë pyetje; kurse shoqëritë e ‘etapës së kërkimit shkencor’ shtrojnë pyetje dhe presin përgjigje të arsyetuara nga komuniteti i tyre shkencor. Në raport me këtë, disa shoqëri i kthehen kulturalisht riteve e zakoneve për respektim dhe adhurim të hyjnive që i kishin “harruar” përgjatë kohës, kurse shoqëri të tjera ju japin kuptim politik në praktikë, përgjigjeve të shkencëtarëve të tyre.

Në një udhëkryq të ngjashëm gjendet edhe shoqëria shqiptare e tërmetuar në nëntor të këtij viti: a do ti dorëzohet “mitologjisë” dhe do zhytet më thellë së etatizëm e punizëm; apo do ti dorëzohet shkencës për të marrë një udhëtim të ri kulturor në demokracinë liberale dhe sundimin e ligjit.

Mirëpo, shoqëria shqiptare është në një hall edhe më të madh se ky, shkencëtarët e saj nuk po i japin dot përgjigje shteruese. Gjithçka që ata na thonë konvergon në pikën se ‘shteti nuk ka funksionuar’ në kontrollet që duhet të kryente dhe se ‘ndërtuesit ishin aq të pangopur për fitime’ saqë i ndërtuan strukturat me mangësi sasiore dhe cilësore të materialeve të ndërtimit. Shoqëruar me një nostalgji evidente për mitologjinë e ndërtimeve ‘të kohës së xhaxhit’, ajo që shkencëtarët po na thonë është se, shoqëria shqiptare duhet të kthehet në mënyrën e funksionimit centralist të ekonomisë dhe institucioneve, sepse vetëm kështu mund të shpëtojmë nga dëmet nga tërmeti.

Në realitet është plotësisht e kundërta; jo vetëm se ndërtesat e kohës së xhaxhit u dëmtuan më shumë dhe më rëndë se ato të tranzicionit; jo vetëm se punimet shkencore, që do na rrisnin kapacitetet mbrojtëse ndaj tërmetit, edhe në atë kohë janë injoruar po aq sa sot; jo vetëm se jeta, shëndeti dhe pasuria e individit vlen shumë më tepër sot se në atë kohë; por edhe për një arsye plotësisht teknike që unë do tentoj ta prezantoj në këtë shkrim të shkurtër të opinionit.

Ishte niveli i lartë i korrupsionit dhe burokracisë, si dy karakteristika bazike të qeverive të mëdha të kuptime puniste dhe etatiste, që lartësuan konceptin ‘leje ndërtimi’ mbi konceptin ‘projekt zbatimi’, që sollën këto dëme katastrofike nga ky sulm i natyrës. Nëse do bënim një profil të procesit dhe aktorëve të përfshirë në ndërtimin e një ndërtese, në këto vite tranzicion, do dallojmë tre grupe: inxhinierët dhe punonjësit e tjerë, të cilët kontribuojnë me projektin dhe zbatimin e tij; investitorët, që sigurojnë paratë që investohen dhe lejet e kërkuara nga qeveria; dhe politikanët e burokratët, të cilët i japin këto leje dhe kontrollojnë se projekti është hartuar dhe zbatuar në përputhje me normativat, bile edhe i miratojnë këto normativa shtetërore.

Mbivlerësimi i konceptit ‘leje ndërtimi’, i cili duhet të ishte një procedurë e thjeshtë administrative porse u kthye në një ‘burokraci që kushtonte 20% të vlerës së ndërtesës’, prodhoi rritjen e vlerës së investitorit që e siguronte këtë copë letër, dhe politikanëve dhe burokratëve që kishin autoritetin për ta dhënë atë. Për konsekuencë logjike, ‘projekti i zbatimit’ dhe aktorët që e prodhonin atë u ç’vlerësuan deri në pikën e mosqenies, sepse askujt nuk i duhej projekti, kur “lufta” e vërtetë ishte të merrje lejen e ndërtimit! Marrëdhënia e roleve të aktorëve dhe kontributeve të tyre në procesin e zhvillimit pësuan tërmetin e tyre kulturor, dhe rezultati u prezantua i qartë në sytë e të gjithëve kur godinat e kësaj mendësie u takuan me tërmetin natyror.

Prandaj, në këtë moment të rëndësishëm, duhet të kemi kujdes të madh të mos marrim rrugën që na vjen më shumë për shtat, ti rikthehemi kulturës së vjetër, e të fuqizojmë politikanët dhe investitorët; por të marrim rrugën e një ri ngritje të re kulturore, ku shkenca dhe teknika të kenë rol deciziv. Sepse kultura e vjetër etatiste, na drejton në mbivlerësimin e mëtejshëm të ‘lejes së ndërtimit’, dhe kjo nga ana e saj na drejton në një shtet më të madh të populluar nga burokratë dhe politikanë më të pasur, por kurrsesi në ndërtesa më të qëndrueshme nga tërmeti. Te ato, na drejtojnë liritë politike e ekonomike, që rrisin përngjashmëritë e individit (përfshirë nivelin deontologjik të profesionistëve) dhe një rol i ri i shkencës, teknikës dhe risive në jetët tona.

gentiankaprata.blogspot.com

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH