Aktualitet

Ploja e Tivarit dhe drejtësia e munguar e Shqipërisë

Shkruar nga Liberale
Ploja e Tivarit dhe drejtësia e munguar e Shqipërisë

Eugjen Merlika

“Çdo krim i pandëshkuar pjell një familje”

Herbert Spenser (1827 – 1903), filozof e sociolog anglez

“- Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë! Prej të gjithëve filloi të ndigjohej vetëm kjo fjalë qi kalonte…Kalonte në humnerë…Ato ushtojshin veshët tonë njisoj si ato krismat e nji çekani qi rreh gozhdat e arkivolit në bregun e vorrit.

Prej kah vini ju?

Prej Kosove.

Tash nji javë dit ecim pa pushim, pa bukë! Kemi kalue gjithato male…male.

Këtu ishte vetëm nji vargan i gjatë, i gjatë, pa mbarim i atyne skeletësh të djelmoçave të rinj kosovarë, qi të rrethuem nga dhuna ecshin drejt kujt…? Ishim në mitologji apo në realitet?

Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh më vesh se dikund afër Ulqinit partizanët kishin vramë të gjithë rininë kosovare. O Zot po t’lutem më trego: ç’farë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”

Ky episod i marrë nga vepra monumentale e Atë Zef Pllumit “Rrno për me tregue” na fut në mjedisin tragjik të një ngjarjeje historike të llahtarshme, të zhvilluar plot 75 vite më parë në Tivarin shqiptar të ish Jugosllavisë. Është fjala për plojën e Tivarit, një nga bëmat më kriminale të ushtrisë jugosllave me miratimin, në dukje të heshtur, por me bashkëpunimin e hapur të qeverisë komuniste shqiptare. Studjuesi e historiani Uran Butka në veprën e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e Shtetit shqiptar” ka nxjerrë në dritë dokumentë që vërtetojnë plotësisht bashkëpunimin mes brigadave të V e të VI të komanduara nga Gjin Marku dhe Rrahman Parllaku me komisar të përgjithshëm Ramiz Alinë me shtabin e UNJ. Të gjithë të rekrutuarit e të dorëzuarit kosovarë në besën e këtyre reparteve shqiptare, u dorëzuan me një urdhër të prerë e me pak fjalë të Enver Hoxhës: “Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Sërbisë”.

Madje ai sjell për vërtetim të tezës së tij mbi përgjegjësinë në krimin e kryer nga repartet malazeze e serbe të udhëheqësve shqiptarë edhe një dokument të ministrisë së Brëndëshme shqiptare, në të cilin shkruhet: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”

Në fakt dokumenti i shkruajtur më vonë, kur u dënua Koçi Xoxe, harron se n’atë kohë ploje të kosovarëve ministër ishte Haxhi Lleshi, një i njohur i vjetër i serbëve e që më vonë u bë kryetar i shtetit shqiptar, por pranon fatin e vrasjes në tokën shqiptare të 1000 djemve kosovarë.

Pyetja pa përgjigje e Atë Zef Pllumit vazhdon të godasë si çekiç mbi ndërgjegjet e vrara të shqiptarëve për shtatëdhjetëepesë vite me rradhë, në të cilat institucionet e krimit, mbasi kishin bërë theror çështjen kombëtare në altarin e internacionalizmit stalinist, do t’i mbanin të fshehura atyre të vërtetat mbi ndodhitë rrënqethëse n’atë trevë të lashtë të truallit shqiptar që ishte Kosova. Kosova, Dardania e lashtë, një nga krahinat më të zhvilluara e më liridashëse të Ilirisë, që kishte shkruar historinë e saj shumë qindvjetorë më parë, kur sllavët ishin ende fise endacake që vërtiteshin stepave pa fund të Eurazisë, u nda prej trungut të Arbërit nga shpata e të Mëdhenjve të Evropës më 1913.

Kosova e Haxhi Zekës dhe Ymer Prizrendit, e Nexhip Dragës dhe Isa Buletinit, e Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, e Hoxhë Kadriut dhe Sulejman Vokshit e sa e sa burrave të tjerë të mënçur, trima e të besës që flijuan në altarin e Kombit shqiptar gjithshka, dijet dhe aftësitë, mundin dhe pasurinë, ëndërrat, idealet e jetët, u gjend përsëri e tradhëtuar në aktin e fundit të tragjedisë së madhe evropjane, kësaj rradhe prej vetë shqiptarëve, a më mirë të themi, nga një pjesë e tyre.

Nëse më 1913 u flijuam si Komb me ndarjen dyshë nga vendime që ishin përmbi fuqitë tona, më 1945 u vetëflijuam n’emër të një ideologjie që provoi katërcipërisht se ishte antikombëtare, antipopullore, regresive, duke pranuar me vullnet të plotë diktatin serb. Kështu Kosova, e bashkuar me Shqipërinë, në pak vite të luftës, nga njerëz që çuditërisht ende sot etiketohen si “tradhëtarë”, ra përsëri nën thundrën serbe. Mijëra kosovarë vriteshin si bagëtitë nën etiketën e “kundërevolucionarëve”, në një kohë kur në Shqipëri deklarohej me pompozitet nga diktatori: ”Pa Jugosllavinë e marshallit Tito Shqipëria nuk mund të jetojë asnjë ditë.” Qindra mijra kosovarë shpërnguleshin me dhunë nga trojet e tyre, por “Dheu Amë” i mbyllur hermetikisht në një sprovë frymëmarrëse, ishte refraktar ndaj gjysmës tjetër të tij. Pa dyshim mund të themi se diktatura e Enver Hoxhës ishte bashkëpuntore në këtë rrënim të gjysmës tjetër të Kombit. Këtë e vërtetojnë, veç të tjerash, dënimet që gjyqet shqiptare jepnin për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me ndarjen e Kosovës, duke marrë nofkat “shovinist” e “shqiptaromadh”, së bashku me dënime të gjata privim lirije e pune të detyruar.

Sikur të shkruhej një histori e veçantë e krimeve kontinentale të shekullit të shkuar, mjaft i pasur në të tillë, një kapitull të posaçëm do t’a meritonte krimi komunist në Shqipëri e Kosovë.

Ne sot përkulemi me nderim para kujtimit të viktimave të pafajshme të këtyre krimeve, në këtë 75 vjetor të masakrës së Tivarit. Ne sot përkujtojmë katër mijë djelmoça të Kosovës martire, të vrarë pabesisht në lule të moshës nga serbo-malazezët me miratimin e “udhëheqësve” të Shqipërisë së re, katër mijë shami të zeza mbi kryet e nënave kosovare e po aq plagë të hapura mbi trupin e Shqipërisë. Historia na kishte mësuar se plumbat duhej t’i prisnim vetëm nga “bajlozët “ e huaj, por kjo gjysëm qindvjete na tregoi se mund të na i jepnin edhe tonët, e ato ishin më të hidhur mbasi shtiheshin në emër të popullit e të lirisë së tij. Ç’kob për një popull që ishte edukuar të respektonte dhe armikun në shtëpinë e vet, që pabesinë nuk e përdorte as karshi tij. Ç’gjëmë e llahtarëshme për mijra nëna, motra, gra e të fejuara, për mijëra Ajkuna që nuk mundën as të vajtojnë mbi qivurët e bijve, vëllezërve, burrave që toka i mori në gjirin e saj të gjithë bashkë, të zhveshur e të uritur. Nga dolën këta shqiptarë që, pa ju dridhur qerpiku, urdhëruan kasaphana të tilla njerëzore?

Sot, në sajë të atyre studjuesve të ndershëm që gërmojnë në arkivat ata kanë emrat e mbiemrat e tyre, e për një absurditet logjik e një ironi të hidhur të historisë sonë janë emra e mbiemra “herojsh” të kombit, “udhëheqësish” të tij për gati gjysmë shekulli, figurash që vazhdojnë ende të nderohen në Shqipërinë e shekullit 21. Ata nuk njohën dhënie llogarie për krimet e tyre, madje nuk patën kurrë brejtje ndërgjegjeje, nuk patën një gjyq ndërkombëtar si kriminelët e nazifashizmit, por jetuan edhe një shekull duke mbrojtur pa pushim bëmat e tyre kriminale, madje duke lënë edhe mbas vdekjes “veprat” e tyre të shkruara në historinë mjerane të këtij populli.

Toka Arbërore kishte ruajtur për qindvjetin e njëzetë, mbas Krishtit, të villte gjithë vrerin e grumbulluar në mijëvjeçarë e t’a trupëzonte në krijesa të pagëzuara prej Luciferrit, t’afta vetëm për të mbjellë zi, vdekje, shkatërrim. E kuqja e gjakut qe ngjyra e tyre e preferuar, sikurse drapëri simbol i emblemës së tyre. Një dyshe tjetër më e përsosur, për t’i përfaqësuar, nuk mund të gjindej. Drapëri, i huajtur nga Moska e largët, korrte si kallinjtë e grurit ëndrrat për jetën të shumicës së shqiptarëve e mijëra syresh ju shkurtonte dhe vetë jetën, duke lënë në pikëllim e helm një numur të pafund prindësh, grashë e fëmijësh, që do të rriteshin duke mbajtur në ballë etiketën e “armikut të klasës”.

Sot shpirtërat e atyre viktimave, ashtu si jetët e gjymtuara të familjarëve të tyre, në një kor të përbashkët na dërgojnë një mesazh të fuqishëm e të qartë: “Asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të jetë normale nëse bart me vehte krimin e pandëshkuar, asnjëherë dhe askund nuk mund të vihen në të njëjtin rrafsh xhelati dhe viktima.”

“Duke heshtur mbi vesin, duke e fshehur në trup që të mos duket, ne e mbjellim dhe në t’ardhmen ai do të mbijë i shumzuar për mijë. Duke mos ndëshkuar, duke mos qortuar as dhe të poshtrit, nuk mjaftohemi të mbrojmë pleqërinë e tyre shterpë por brezave të rinj ju heqim nga poshtë çdo themel drejtësie...Të rinjtë mësojnë se një veprim i poshtër nuk ndëshkohet kurrë mbi tokë, përkundrazi sjell gjithmonë mirëqënie.

“Nuk do të jetë mikpritës një vend i tillë, të tremb të jetosh në të.”

Me këto konsiderata të Aleksandër Sollzhenicinit, autorit të ndritur të veprave mbi kasaphanën sovjetike, e cila shërbeu si model imitimi për xhihadistët shqiptarë, që tingëllojnë aktuale edhe në Shqipërinë e sotme, për më tepër kur kujtohen ngjarjet e përbindëshme të tre çerek shekulli më parë besoj se është rasti të ndalemi në një minutë heshtjeje pikëllimi për jetët rinore të djemve kosovarë, të këputura në lulen e moshës, por edhe në dukurinë e kobshme të mungesës së drejtësisë, të pandëshkueshmërisë së çfardo krimi të vërtetë, një gjëndje e pazakontë që po na shoqëron prej tre çerek shekulli. E ndoshta është rasti përsëri t’i bëjmë vetes sot po të njëjtën pyetje që i drejtonte Perëndisë Atë Zef Pllumi kur mori lajmin e llahtarshëm të vrasjeve barbare të Tivarit: “O Zot po t’lutem më trego: çfarë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?” /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH