Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama është përplasur me deputetin Myslim Murrizi i cili deklaroi se jo vetëm prokurorë dhe gjykatës janë pjesë e “KÇK”, por se ajo është një sindikatë e madhe, që ka brenda edhe deputetë të Kuvendit, zyrtarë të administratës, të qeverisë dhe bashkisë.
Murrizi: Ajo KÇK është sindikatë e madhe, që nuk ka brenda vetëm gjyqtarë e prokurorë. Ka edhe në këtë sallë anëtarë KÇK-je, ka te PPP dhe ku të mund, në administratë, qeveri e bashki. Ke vëllezër, kunetër, motra, që i ke në KPK, KPA, e që po konkurrojnë për poste në drejtësi.
Rama: Ndryshimi mes meje dhe teje është se të dy jemi të revoltuar, por ti nuk ke adresë për revoltën, ose më keq akoma, e ke adresën e gabuar. I the ministres së Financave “a ke fuqi të kontrollosh …”. Ajo dhe administrata e saj i kanë kontrolluar të gjithë, por unë nuk merrem me emra, pasi e konsideroj turp të madh. Nuk bën vaki në asnjë vend të botës, që njerëz të zgjedhur të shfrytëzojnë foltoren e Parlamentit për të marrë nëpër gojë dhe hedhur çfarë ju vjen për goje në fytyrën e atyre që bëjnë biznes. Nuk ka në këtë vend asnjë, zero kompani, që nuk kontrollohet./Gazeta Liberale