Aktualitet

Pjerin Ndreu përplaset me ministrin Lleshaj: Nuk jemi ushtarë rreshti

Shkruar nga Liberale
Pjerin Ndreu përplaset me ministrin Lleshaj: Nuk jemi ushtarë rreshti

Në takimin e Task-Forcës për turizmin, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu është përplasur  me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Ndreu ka thënë se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit  nuk mund të prishë e të bëjë rrëmujë, pa pyetur kryebashkiakët.

Ndreu: Barra për të përgatitur këtë sezon turistik bie mbi bashkitë, mbi ne. Nuk mund të ndodhë që të vijë IKMT e të bëjë rrëmujë e bashkia të mos ketë dijeni, kjo është e parregullt.

IKMT duhet të vijë dhe të na informojë. Nëse vjen ti, ti më shkatërron turizmin. Nëse bëhet kjo, unë si bashki refuzoj të marr pjesë në të tilla aksione.

Ne nuk jemi ushtar rreshti. Nëse ju mendoni se jemi polici rreshti, harrojeni. Kemi punën tonë. Është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal.

Duhet të biem dakord me pushtetin lokal. Ka 30 vjet objekti pa leje dhe tani në kohën e turizmit e shkatërrojmë. Bashkia është institucion serioz e ju duhet ta konsideroni atë. 

Por Lleshaj i është përgjigjur  se IKMT është një institucion që i përgjigjet ligjit dhe se nuk merr leje për veprimet që bën as te ministri dhe as te kryebashkiakët.

Lleshaj: IKMT është një institucion serioz, që mban përgjegjësinë në një vend të pushtuar nga paligjshmëria. IKMT është përballur me paligjshmërinë dhe krimin në vend e këtë detyrë do të vazhdojë ta ruajë.

IKMT ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me shkelësin e ligjit dhe nuk ka raport me kryebashkiakun. IKMT do ta vazhdojë këtë punë në funksion të ligjit, me vendosmëri.

IKMT e policia veprojnë drejtpërdrejtë dhe nuk marrin autorizim as nga ministri as nga kryetari i bashkisë, as nga Zoti vetë, por vetëm i përmbahen ligjit.

IKMT ka ndërhyrë për cilësinë më të mirë të turizmit. Ndërhyrja është që të kemi një bregdet jo afrikan, por europian. Nuk duhen ndërtime pa leje, nuk ka cuba që pushtojnë plazhin, por ka rregull e ka standarde europiane.

Jemi një vend që duhet të afrohemi me BE e duhet që të kemi standarde europiane. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH