Showbiz

Pikturoi Kurtin dhe Vuçiqin duke u përqafuar dhe puthur, artistja kërcënohet me vdekje

Shkruar nga Liberale

Kërcënimet e marra në rrjetet sociale kanë kthyer edhe një herë në vëmendje artisten kosovare Ermira Murati, e njohur ndryshe edhe si “Orange Girl”. Më 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ajo publikoi një pikturë ku paraqiste kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke u  përqafuar dhe puthur me sytë e mbyllur.

"Nga puthja pritet solemnitet dhe përnaltësim. Puthja është shprehje, por asnjëherë neutrale. Ajo merr kuptim varësisht kontekstit, ku dhe pse jepet. Historia shënon në arkiven e saj puthje nga momente dhimbjeje e lamtumirëse. Por historia njeh edhe puthjet e vëllezërisë apo edhe tradhëtisë. A do të jetë edhe kjo njëra ndër to?", shkruante artistja.

Mijëra njerëz në rrjetet sociale shkruan komente për pikturën e Muratit. Shumica përdorën gjuhë urrejtjeje dhe disa madje e kërcënuan artisten me vdekje. “Ti e meriton një plumb”, tha një komentues.

“Unë shoh raportet e tyre si një shfaqje aktrimi…dhe të dy popujt e Kosovës dhe Serbisë, edhe ne po shohim të njëjtën shfaqje”, tha Murati për Reuters. “Pavarësisht se sa të thella janë marrëdhëniet kaotike mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se rinia jonë e do paqen më shumë se çdo gjë tjetër”, tha ajo.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ku pritet të miratojnë propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të mbështetur nga Perëndimi.

Murati, e lindur një vit pas përfundimit të luftës në vitin 1999, njihet për thyerjen e tabuve me punën e saj artistike.

Ajo mori kërcënime vitin e kaluar kur realizoi një pikturë të ngjashme që tregonte dy burra të veshur me kostume popullore shqiptare duke u puthur në buzë si një gjest mbështetjeje për komunitetin gay në Kosovë, një vend në të cilin shoqëria konservatore ende heziton t’i pranojë homoseksualët.

Murati tha se piktura e saj e fundit kishte një mesazh thjesht politik dhe se ajo tashmë është mësuar të marrë kërcënime.

“Kjo nuk po më pengon. Në momentin që ata reagojnë ashtu siç po bëjnë, atëherë e kuptoj që mesazhi ka shkuar në vendin e duhur. Kjo po krijon debat”, tha Murati.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH