Një pikturë e Vincent van Gogh e ekspozuar në Institutin e Artit të Detroitit është e vjedhur, dhe ndaj saj është ngritur një padi e re.
Padia u ngrit të martën nga Brokerarte Capital Partners dhe pronari i saj i vetëm, Gustavo Soter, një koleksionist arti brazilian. Ajo pretendon se DIA e ka huazuar pikturën nga një palë e paidentifikuar që nuk është pronari i saj ligjor.
Piktura në fjalë është një vaj i vitit 1888 i quajtur Une Liseuse De Romans, ose Lexuesi i romanit, i cili tregon një grua të re me flokë të errët duke lexuar një libër të verdhë. Ajo shfaqet si pjesë e ekspozitës Van Gogh në Amerikë, e cila përmban 74 vepra të post-impresionistit holandez, të huazuara nga 50 burime.
Sipas padisë, Soter e bleu pikturën në vitin 2017 për 3.7 milion dollarë, ku “një palë e tretë e mori menjëherë në posedim pikturën”.
Padia thotë se Soter “asnjëherë nuk i ka transferuar titullin apo ndonjë interes për pikturën kësaj pale të tretë. Që kur pala e tretë mori në zotërim pikturën në maj 2017, paditësi nuk e dinte vendndodhjen e pikturës.”
Sipas padisë, Soter së fundmi mësoi se piktura ishte pjesë e ekspozitës së Detroitit, e cila përfundon më 22 janar.
“Në atë kohë,” thotë padia, “DIA do ta zhvendosë pikturën ose do ta transferojë atë te një palë e tretë. Nëse piktura zhvendoset ose DIA ia dorëzon posedimin një pale të tretë, paditësi do të humbasë mundësinë për të rimarrë pikturën, të cilën ai e ka kërkuar prej vitesh.
“Për shkak se Soter ruan titullin e mirë të pikturës dhe të gjitha interesat e vërteta të pronësisë në pikturë, ai e sjell tani këtë veprim të diversitetit për të rimarrë zotërimin e pronës të tij… nevojitet urgjentisht një veprim i menjëhershëm.”
Padia kërkon që piktura t’i jepet Soterit përpara përfundimit të ekspozitës.
Një gjykatës federal urdhëroi DIA të mos lëvizte pikturën, në pritje të një seance gjyqësore të caktuar në 19 janar.
Detroit Free Press raportoi se gjykatësi i qarkut të SHBA, George Caram Steeh, shkroi se “Instituti i Arteve i Detroitit urdhërohet të ruaj nga dëmtimi, shkatërrimi, fshehja, asgjësimi, lëvizja ose përdorimi për sa i përket pikturës për ta ruajtur atë nga çdo dëmtim i ndjeshëm i cili mund të prekë vlerën e saj, apo të atij artikulli.
Soter vlerëson se piktura në fjalë e Van Gogh vlen të paktën 5 milion dollarë.
Në një deklaratë, DIA tha se “huaja u pranua në përputhje me praktikat më të mira muzeale dhe i nënshtrohet mbrojtjes së ligjit federal në fuqi përmes regjistrimit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.
“DIA u informua dje pasdite (11 janar) se gjykata federale ka caktuar një seancë dëgjimore për këtë çështje … nuk është pretenduar asnjë pretendim për sjellje të pahijshme nga DIA, dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë apo urdhër për ndonjë modifikim të ekspozitës.
“DIA do të vazhdojë të veprojë në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi dhe praktikat më të mira të muzeut.”
/Liberale.al/
Përktheu: Dorian Sevo