Editorial

Pikëprerjet e taktikës dhe politikës, si ekuacion i rotacionit

Shkruar nga Liberale
Pikëprerjet e taktikës dhe politikës, si ekuacion i rotacionit

Bjorn Kamberi

Teoritë kontemporane të zgjedhjeve na sugjerojnë se shpesh mekanizmat taktikë dhe struktura që e karakterizon sistemin zgjedhor mund të kthehen në avantazhe faktike duke i tejkaluar ngushtësisht, por mjaftueshëm, barrierat ideologjike, mbështetjen popullore dhe frymën mes votuesve. Kjo me gjasë është kuptuar që me kohë nga aparatcikët e partive që manovrojnë për ta qepur kostumin e Kodit zgjedhor si vello dasme për nusërimin e partisë së tyre. Rëndësia e mekanizmave teknikë të rregullave të lojës i kthen ato në temë prioritare sa herë afrojnë zgjedhjet. E në zgrip të rotacioneve politike e zgjedhjeve me rëndësi tektonike avantazhi i një mekanizmi në dukje sipërfaqësor, mund të jetë grimca e fundit e rërës që e gjunjëzon ose jo gamiljen e mbingarkuar të një pushteti. Shpesh meraku se mos rregullat e lojës manipulohen tinëzisht në disfavor të tyrin i bën partitë të jenë jo vetëm shumë të kujdesshme, por edhe i detyron ta kthejnë debatin mbi teknikalitetet, në diskurs parësor, aq sa shumëkush kuriozohet nëse demokracia si frymë është thjeshtëzuar në proces dhe shah ku votuesit janë thjesht numra që partitë mundohen ti përshtasin në ekuacionin e fitores së tyre. Duke patur parasysh se në këto zgjedhje Kodi Zgjedhor iu nënshtrua amendimit të radhës dhe rezultatet e këtij amendimi e polarizuan debatin publik, me vlerë do qe të analizohej çfarë parashtron ndryshimi në Kod për partitë e ç’qasje mund të ndjekë opozita që disavantazhin e perceptuar taktik ta transformojë në energji të shtuar politike.

Së pari, nuk duhet harruar se impakti i sistemit zgjedhor si enë ku derdhet vullneti popullor, në përcaktimin e rezultatit, duhet të mbetet brenda kufijve të margjinales. Përsa kohë që në Shqipëri këto ndryshime konsultohen me ODIHR-in dhe për to në përgjithësi arrihet konsensus shumëpalësh, është në dobi të kauzës opozitare që ta tejkalojë debatin mes teknicienëve duke e rivendosur vëmendjen tek politika si agorë ideologësh. E sidomos në rrethanat që ndodhemi, Basha e ka të domosdoshme që ti risigurojë militantët për potencën e opozitës karshi çdo sfide dhe të bindë elektoratin gri se monopoli mbi avantazhet duke përfshirë këto taktike, asesi nuk qëndron me Kryeministrin. Për pasojë, ritheksimi i retorikës së premtimeve programore dhe zotimet karshi qytetarëve është drejtimi i duhur e pragmatist për pjesën e mbetur të fushatës. Kjo do të garantonte rrënjosjen në mendjen e mbështetësve të tij se rotacioni këtë radhë është pashmangshmëri që nuk cënohet dot, pavarësisht prej dredhive të Ramës. Ky vizion i përballjes mes Uliksit Rama dhe Akilit, Basha do e konsolidonte avash avash mendimin se rotacioni është vërtet i mundshëm edhe tek më skeptikët, duke realizuar kështu dy objektiva njëherësh. Rritjen e pjesëmarrjes në votimet e 25 Prillit dhe zgjimin e asaj pjese të elektoratit që është topitur prej dominancës totale të PS në dekadën e fundit.

Së dyti, edhe pse një pjesë e ndryshimeve më të fundit në Kod mund të arsyetohen si bizantinizmat e një mazhorance në kërkim të mandatit të tretë, ato mund të shërbejnë edhe si një mjet efikas në duart e opozitës me të cilën të demaskojë mungesën e vullnetit të Ramës për fair play dhe dëshirës së tij për të fituar edhe nëpërmjet kësi hilesh proceduriale. Në këtë prizëm vendimi i fundit i Kolegjit të Apelimit që vendosi mbi aparencën e fletës së votimit dhe listimin e kandidatëve brenda bashkësisë si numra e jo emra, mund ti shërbejë Bashës. Ky vendim qëndron në linjë me retorikën opozitare që e portretizon Kryeministrin si një të mbytur që synon të rrokë komardaren e kontrollit të partisë në opozitë. Gjithashtu, ky vendim mund të paraqitet si simptomë e mos-dëshirës së mazhorancës për hapje të listave, botëkuptim hierarkik dhe autoritar brenda partisë dhe vullnetit të tyre për ta relativizuar përfaqësimin demokratik në një aradhe numrash që i binden radhës së kryetarit më shumë seç aspirojnë votën e popullit. Edhe pse diskutimi i teknikaliteteve i kalon klithtësisht pjesës më të madhe të publikut të hutuar mes halleve të ditës, opozita mund të huajë e përdorë këtë me inteligjencë. Mirazhi i një demokracie ku qytetari e zgjedh përfaqësuesin e tij drejtpërdrejt si edhe ndërgjegjësimi se ky është veçse mirazhi i një oazi demokratik në shkretëtirën e sulltanit Rama, është një spirancë e qëndrueshme me të cilën Basha të ankorojë të skeptikët dhe cinikët.

Së tretim një strategji finoke do i mundësonte Bashës që atë çka logjikisht do ja faturonim Ramës si avantazh, ta kthejë si boomerang në dobi të tijën. Tentativa e mazhorancës për ta fundosur edhe atë pak shpresë mbi hapjen e listave mund të kthehet në favor të rotacionit dhe unitetit opozitar. Përsa kohë që lista është e mbyllur dhe me gjasë shumica e votuesve do mbajnë mend vetëm numrat e përfaqësuesve kryesorë të partisë, por edhe klauzola që e mundëson vlefshmërinë e votës ku ka kryq për partinë por jo për kandidatë, janë paradigmat teorike të një mekanizmi që Basha duhet ta shfrytëzojë. Duke qënë se de facto lista u mbyll, kjo i mundëson opozitës të kapitalizohet tek fryma për rotacion duke sheshuar kësisoj tensionet e brendshme dhe luftën mes llojit që është natyrale për një opozitë por edhe relativisht e dëmshme për maksimizimin e çdo vote. Prospekti i qytetarëve që në masë votojnë opozitën dhe partinë përtej emrave, si shëmbëlltyrë të ndryshimit, është më domethënëse për rezultatin e zgjedhjeve sesa vizioni i qytetarëve që mbështesin Ramën si bariu i një grigje të numërt, që sintonon me vazhdimësinë. Për më tepër që parakushtet e rotacionit të këtij viti diktojnë nevojën për unitet absolut dhe me vendimin për fletë pa emra në praktikë opozita është një hap para drejt këtij qëllimi. Edhe pse hapja e listave shërben në përmirësimin e standardit demokratik dhe përfaqësimit politik, në këto zgjedhje opozitës i shërben që fryma opozitare të kanalizohet  në një lumë të vetëm, e jo të gurgullojë si shumë rrëkenj më të vegjël, në rast se do ta çajë digën e qeverisë.

Kësisoj, duhet kuptuar se rëndësia e sistemeve zgjedhore në brumosjen e rezultatit dhe interpretim të vullnetit popullor nuk duhet të mbetet domen i partive politike, por proces transparent i diskursit publik. Andaj, partitë politike duhet ti përqendrojnë kapacitetet kah frymëzimi i elektoratit, kredibiliteti i premtimeve dhe jo të investohen në manovra teknike prej të cilave shpesh dakordia arrihet në kurriz të demokracisë. Sidoqoftë, është në dobi pragmatike të fushatës së opozitës, por edhe në linjë me moralitetin e rotacionit, që Basha ti paraqesë teknikalitetet e Kodit si sfida të cilat veçse do ja shtojnë lavdinë fitores së padiskutueshme të opozitës më 25 Prill. Ashtu siç heroi i munduar prej vështirësive, kjo strategji do e bënte Bashën njëherësh edhe më triumfues në kauzë, por edhe më i besueshëm nga një popull i lodhur nga fitoret pa betejë. Mitologjia e Apleve tona i parasheh ato raste kur bajlozin mund të vritet veçse me armë të tijat. Prandaj edhe Basha duhet të dijë ta përdorë këtë shigjetë të qeverisë si shtizë për rotacion. E në rast së Kryeministri do ti bindë njerëzit se me të për mandatin e tretë janë të gjitha, andaj humbjen s’ka kush ja cenon, Basha do duhet ti bindë se kundër tij janë të gjitha, por jo populli. Andaj edhe ai do ngadhënjejë, siç ngadhënjejnë përherë heronjtë, mbi të pamundurën dhe vetveten. E gjithë këtë ta arrijë duke ofruar normalitet. Në të kundërt, Basha do ngjajë si një humbës që ja faturon tavolinës, fitoren që se mori dot në fushë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH