Aktualitet

Peza: Sali Berisha, si djepi dhe varri i Partisë Demokratike

Shkruar nga Liberale
Peza: Sali Berisha, si djepi dhe varri i Partisë Demokratike

Nga Alfred Peza

Pa më të voglën mëdyshje, kushdo që e njeh sadopak Sali Berishën përtej gjykimit perceptiv të krijuar për të në distancë, e kupton se nuk do e dorëzojë në shtator me vullnetin e tij të lirë mandatin e deputetit. Çka do të thotë se “lideri historik” i opozitës, do ti shkojë deri në fund luftës së tij për jetë a vdekje politike kundër SHBA, pas shpalljes “non grata” nga Departamenti i Shtetit.

Ndaj kur ai thotë se do të jetë sërisht në Parlament, besojeni se do ta bëjë, pavarësisht kundëreagimit të SHBA përmes përshkallëzimit të qëndrimeve publike ndaj tij.

Kur Sali Berisha thotë se nuk e përjashton mundësinë për tu rikthyer sërisht në krye të PD, për të nuk ka rëndësi nëse do ta ketë ose jo edhe formalisht pozicionin e Kryetarit që sot mban Lulzim Basha, sepse në praktikë ai do të jetë një kryetar mbi kryetarin.

Kur ai thotë se jo vetëm do të jetë aktiv në sallën e Parlamentit të ri, por do ta dyfishojë atë, dijeni se do ta bëjë madje edhe më shumë sesa kaq.

Kur Sali Berisha thotë se do të luftojë për “nderin e tij” kundër sekretarit Amerikan të Shtetit që firmosi futjen në listën e zezë, dijeni se ai të vetën do ta bëjë deri në fund pavarësisht nëse do ia dali apo jo.

Ky është Sali Berisha që ne kemi njohur për 30 vjet me radhë. Edhe atëherë kur ai ishte beniamini i perëndimit në Shqipëri dhe i përzgjedhuri i SHBA në Tiranë. Edhe kur ishte në kulmin e mbështetjes që ndonjë lider politik shqiptar ka marë pas 1990 nga Brukseli dhe Washingtoni, por edhe më 1996, 1997, 1998, 1999 dhe pas 2013 kur ai ishte “delja e zezë” e politikës shqiptare në Ballkan.

Është pikërisht kjo qasje prej “bajraktari” politik, kjo sjellje prej “arre gungë” dhe mungesa e lirisë personale për tu larguar nga sistemi e për tiu rikthyer jetës private në shtëpi, ajo që e ka sjellë Sali Berishën në pikën kur ai nuk e kuptoi dot kohën e vet.

Ai që në dhjetorin e vitit 1990 u bë njeriu i duhur për tu gjendur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, sot e ka humbur trenin e së ardhmes. Duke mos e kuptuar se tani është me shumë vonesë, treni i historisë e ka lënë por ai po vrapon e po vrapon pa u ndalur, me shpresën se është ende ai lideri i dikurshëm dhe do ia dali që ta kapë atë.

Sali Berisha është vonë, madje shumë shumë vonë, ndaj edhe jeta politike po e ndëshkon tani në pleqëri. E për tia dalë që të mos turpërohet përfundimisht, ka gjetur si të vetmen gomone të fundit shpëtimi, partinë. Eshtë kapur me dhëmbë e thonj pas saj dhe nuk ka për ta lëshuar kurrë. Sepse nuk besoj se ndokush e ka harruar që bëhet fjalë për atë liderin që në një rast pak më dramatik se ky që po përjeton sot, ai tha: Pas meje, qameti!

Sali Berisha nuk vë as PD dhe asgjë tjetër, përpara vetes. Tri dekada mjaftojnë për ta kuptuar, se halli i tij ka qenë i PD, por halli i PD këtë radhë nuk është i atij. Aq më pak, që të jetë edhe halli i Shqipërisë. Nëse ka një kuptim pyetja e vjetër sa vetë pluralizmi; Partia apo Shqipëria?- këtë radhë diskutimi zbret në një nivel krejt tjetër. Tani pyetja është: Sali Berisha apo PD?! Sepse halli i tij sot është më i madh se i partisë, por kjo nuk do të thotë, se ai është edhe i Shqipërisë.

Ndaj kemi mbërritur në pikën, kur dikush ende pyet nëse Sali Berisha do ta sakrifikojë veten për PD-në? Apo PD-në, për veten dhe familjen e tij? Praktika po tregon se nëse Lulzim Basha nuk ia del dot që ta largojë Sali Berishën nga PD dhe ta shpëtojë atë duke sakrifikuar “babain politik”, rrezikohet si kurrë më parë që ta mari me vete në humnerë edhe partinë. E bashkë me partinë, kuptohet që jo vetëm Lulzim Bashën, por edhe opozitën vetë.

Sali Berisha që në dhjetorin e 1990 iu bë djep PD-së, sot pas 30 vjetësh, po shndërrohet në varrin e saj. Ky nuk është një shkrim propogandistik, por një këmbanë alarmi për partinë më të madhe të opozitës në Shqipëri, e cila sot është në një rrezik real ekzistencial. Ngado që ta rrotullosh, Lulzim Basha nuk mund të jetë shpëtimtari i kësaj situate, sepse ai duket të jetë viktima Nr. 1 dhe më fatkeqe e kësaj historie!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH