Aktualitet

Peza: E diela e “përgjakshme” e politikës shqiptare

Shkruar nga Liberale
Peza: E diela e “përgjakshme” e politikës shqiptare

Nuk mbaj mend prej të paktën mbi çerek shekulli të jetës aktive si gazetar, një të dielë më nervoze e të ngarkuar politikisht e mediatikisht, sa kjo e sotmja. E ta mendosh që duhej të ishte, thjeshtë një nga ato 24 orët kur pasi për 6 ditë krijoi botën, edhe Zoti vetë e bëri pushim në të shtatën. Por ishte ndryshe. Krejt ndryshe nga sa pritej. Në fakt e kishte një arësye madhore për këtë!

Në pamje të parë ishte një ditë nervoze, që “gjakon” nga mëngjesi deri në darkë, veç luftë për pushtet. Duke ekspozuar publikisht, një diskurs me flakë e xixa, mes aktorëve kryesore të jetës publike të Tiranës. E cila të kujton veçse të enjtet e dikurshme, ndër më të zjarrtat e Parlamentit shqiptar, kur kërciste grushti, çizmja, kacafytjet mes palëve dhe kapërcimet pindarike të Ilir Metës mbi tavolina drejt Jozefina Topallit , ndërkohë që përmbyeshin vazo lulelesh e mikrofona.

Protagonisti kryesor i kësaj të diele “të përgjakshme” të politikës shqiptare, ishte sërisht Ilir Meta, tani në versionin e Presidentit të Republikës. E nisi ditën me sulme kundër medias. E vijoi me kundërsulme ndaj gazetarëve dhe fjalës së lire, partizan i së cilës hiqet, kur nuk është në lojë interesi i tij personal. E vijoi me sulmet kundër Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. Më pas, e gjithë dita vijoi me sulme e kundërsulme sa nga LSI e sa nga PD, si për të vërtetuar sesa të drejtë kanë të gjithë ata që e konsiderojnë tashmë Ilir Metën, thjeshtë pjesë të opozitës jashtëparlamentare.

Përtej të gjitha deklaratave, gjoja shqetësimeve që ka Kryetari i Shtetit për gjëra anësore, e vërteta është se thelbi i asaj që e trazoi keqazi këtë të dielë lidhet me të hënën. Me ditën e parë të javës së re, kur në Kuvendin e Shqipërisë, pritet që të miratohen sipas axhendës së seancës plenare të radhës, ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në to do të pasqyrohet drafti për ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, në lidhje me hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, pragun kombëtar zgjedhor dhe koalicionet paraelektorale.

Të gjitha diskutimet janë bërë, edhe në treyzën e Këshillit Politik me praninë e përfaqësuesve të PD dhe LSI, por edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Duke kaluar të gjitha hallkat proceduriale për tu diskutuar e votuar në seancën plenare në Kuvend, nga ana e deputetëve të PS dhe të opozitës së re parlamentare. Pas kësaj, partitë politike dhe kushdo tjetër që kërkon të garojë për zgjedhjet e 25 prillit 2021, nuk do të ketë asnjë paqartësi në lidhje me rregullt e lojës.

Plot 6-7 muaj përpara të dielës së votimit, partitë politike dhe koalicionet, do të jenë shumë të qarta që këtë javë sesi do funksionojnë rregullat e administrimit zgjedhor, por edhe mekanizmit e standardizimit, korrektimit e nxjerrjes së rezultateve elektorale. Kjo i jep mundësi liderëve politikë, strukturave kryesore drejtuese të partive dhe shtabeve elektorale, që të nisin punën me ngarkesë të plotë pa patur më asnjë paqartësi dhe pengesë për garën e pranverës.

Pika që i ka prishur qetësinë Ilir Metës, nuk lidhet me ndonjë rol a funksion elektoral të institucionit të Presidentit të Republikës, por me hallin e LSI. Për arsyen se formula e koalicionit parazgjedhor, implementuar për Shqipërinë nga modeli që aplikohet në Kroaci, Austri, Suedi dhe Çeki është e tillë që nuk favorizon daljen e PD dhe LSI me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë.

Nëse kjo aleancë do të ndërtohet mbi rezultatin që këto dy parti, fituan në zgjedhjet e fundit të 2017 (PD= 43 dhe LSI= 19 mandate) atëherë i bie që nga 140 kandidatë për deputetë partia e Ilir Metës të ketë të paktën 50 prej tyre. Por, kjo është e papranueshme për Lulzim Bashën, sepse do linte jashtë shumë personalitete të PD dhe do të frynte artificialisht me vota LSI, duke i dhënë në fund më shumë mandate sesa ajo do të kishte kontribut real në vota. Ndaj PD dhe LSI po shkojnë drejt ndarjes, për të dalë secila më vete, duke krijuar listën me koalicionet e tyre.

Këtu buron shqetësimi real i Ilir Metës. Sipas sondazheve partia e tij, ka rrjedhje të pandalshme të mbështetjes, çka do e çonte në humbje duke qëndruar edhe 4 vjet të tjera në opozitë. Duke mos qenë kingmaker e politikës shqiptare, pas 8 vjetësh larg pushtetit deri më 2025 dhe me Ilir Metën jashtë Parlamentit pasi të dali nga Presidenca më 2022, ajo rrezikon vdekjen politike.

Ky kalkulim e trazoi keqas jo vetëm Ilir Metën vetë dhe LSI-në e tij, por edhe ambjentin politik dhe mediatik të Tiranës. E rëndësishme është që kalkulimi të jetë i saktë. Sa për të dielat, Zoti e ka bërë me 52 vitin kalendarik, ndaj ka boll të tjera të qeta përpara!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH