Kryeplaku i fshatit Peshtan është arrestuar në flagrancë pasi akuzohet për shpërdorim detyre, ndërkohë që në banesë iu gjet një armë gjahu pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit O.Ç, 55 vjeç, (me detyrë kryeplak i fshatit Peshtan, në Njësinë Administrative Moglicë).
Ai dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në një zonë pyjore, në fshatin Peshtan, gjetën të kultivuara bimë narkotike të dyshuara kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e kryeplakut, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë gjahu çifte, të cilën e posedonte pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.