Kryesore

Pesë libra që duhet t’i merrni me vete me pushime

               Publikuar në : 11:40 - 05/08/19 Alda Bardhyli

Alda Bardhyli

“Vajza e Agamemnonit”, Ismail Kadare

“Sepse gjithnjë flijohet një grua. Një grua që ndryshon nga të tjerat. Një grua që ti vendos ta presësh deri në nëntë pa një çerek, e kur humbet të gjitha shpresat që ajo të kthehet, del i vetëm në rrugë. Më pas, ngatërrohesh në kujtime, kur i humbur në çaste intime mbaje sytë mbi pjesët e zbuluara të trupit të saj. Nuk të kish qëlluar që ndonjë femër tjetër, gjatë çastit të dashurisë, të ruante një përndezje buzëqeshëse në fytyrë, si të shihte një ëndërr sublime. Ajo derdhej nga mollëzat në nënkresën e bardhë, e cila, edhe pasi mbetej bosh pas ikjes së vajzës, në terr e ruante për një farë kohe përndritjen, ashtu si ekrani i TV që të jep përshtypjen se edhe pas shuarjes e ruan njëfarë ndriçimi. E në çdo gjë të saj, ndihej menjëherë se e donte dashurinë me përkushtim të thellë, mallëngjyeshëm dhe seriozisht. Ajo grua quhej Suzana.”

Një i ri në Shqipërinë komuniste, që ka një ftesë për në Tribunën e 1 Majit, duke mbajtur në trup ankthin e një ndarjeje, një ikjeje. Suzana, vajza e Agamemnonit duket se nuk do të kthehet më…

I shkruar nga shkrimtari në vitin 1985 me titullin fillestar “Vajza e mesme e Agamemnonit”, ky roman hyn tek ato dorëshkrime të nxjerra jashtë shtetit, siç e ka shpjeguar më vonë botuesi francez, Claude Durand, për t’u botuar atje në rast se rrethanat do ta kërkonin. Vepra do të botohej në shqip, pas rënies së komunizmit.

Historia e një njeriu që përshkruhet nga humbja e dashurisë, nën ombrellën e festimeve zhurmuese të kampit socialist, është një lexim që jo vetëm do ju zhysë në histori, por do t’ju zgjojë fytyra dashurish të humbura në kohë, që vazhdojnë t’ju feksin plot shkëlqim.

“Jeto për ta treguar”, Gabriel Garsia Marquez

 Nuk mund të ketë jetë të mëdha pa pasione të mëdha. Kur lexova librin e Gerald Martin shkruar për Gabriel Garsia Marquez, do të më mbeteshin gjatë në kujtime kohët e kaluara nga shkrimtari në Paris, shkrimet e para në gazetë, udhëtimi i tij bashkë me disa miq në Bashkimin Sovjetik, kthimi te vajza që e kishte njohur herët, me flokët e zinj të thellë dhe ndrojtjen që i lexohej gjithnjë në fytyrë. Asgjë nuk kishte qenë më e rëndësishme për të se shkrimi. Ajo gjendje që ndryshonte perceptimin e gjithçka tek ai dhe arrinte ta përsoste deri në dhembje.

Por libri, autobiografi e shkruar nga vetë shkrimtari, “Jeto për ta treguar”, që ka ardhur në shqip nën përkthimin e Bashkim Shehut dhe “Onufrit”, është një nga librat më të bukur të vetë Markezit. Është një udhëtim në honet e kujtesës së një prej shkrimtarëve që dominoi me veprat që shkroi në shekullin XX, për të na shpalosur prej andej një udhëtim të jashtëzakonshëm, që i është dashur të përshkruaje, në kërkim të ëndrrës më të madhe që deshi, shkrimin. Sepse pas gjithçkaje është dashuria, thotë Markez.

“Neveria”, Jean Paul Sartri

Shekulli XXI gjithnjë e më tepër po i rikthehet një filozofi. Ai është Jean Paul Sartre. Burrin, në portretin e të cilit dallohen syzet e mëdha, po e njoh më mirë këto kohë nga njohja me letrat intime të Simone De Beauvoir, me mikun e saj të zemrës, poetin Nelson Algren, ku përtej padurimit të takimit me të, ajo i flet me adhurim për Sartrin. “Vdekja e tij nuk na ndan, pasi imja do të na bashkojë sërish. Ishte diçka e jashtëzakonshme të jetoja me të kaq gjatë”, shprehet ajo pas ndarjes së tij nga jeta. Jam shumё e kënaqur se Sartri lexoi fillimin e ditarit amerikan (pretendoj se ёshtё njё ditar) dhe ai mendon se ёshtё i mirё, kёshtu unё po e shijoj tё shkruarit e tij”, i shkruante ajo në një nga letrat.

Por në ka një libër nga Sartre, të cilin duhet ta lexosh patjetër, është romani “Neveria”, ku shpaloset më së miri e gjithë filozofia e tij. “Gjërat dhe njerëzit ekzistojnë nga fakti dhe jo se kanë të drejtë”, shprehet ai te ky libër. Libri është përkthyer nga Diana Çuli dhe botuar nga Fan Noli.

“Pedro Paramo”, Juan Rulfo

“Pedro Paramo”, ose murmurimat në shqip, hyn tek ato lexime që kthehen për një kohë të gjatë në ndjesi që orvaten rreth jush, pasi i ke lexuar. Një muzikë e tërë zërash, konfigurojnë te ju portrete njerëzish që nuk janë më, por që i ndiejmë shpesh përmes aromave shpërndarë në stinë të ndryshme.

“Në qoftë se do ta kisha shkruar unë këtë roman, as që do të shkruajë më kurrë në jetën time”, do të shprehej për këtë libër, Gabriel Garcia Markez. I ardhur në shqip nën përkthimin e Bajram Karapollit dhe botimet “Pika pa Sipërfaqe”, ky libër është një njohje e vonë me letërsinë hispanike, një letërsi që pa dyshim do të ndikojë mbi vendet europiane.

“Burimi i vetëvlerësimit”, Toni Morrison

Toni Morrison hyn te shkrimtarët e mi të preferuar, por njohja me librin e saj më të fundit, “Burimi i vetëvlerësimit”, ishte një dhuratë e vyer.

Morrison, fituese e çmimit “Nobel”, jep me këtë libër një reflektim mbi krizat e shoqërisë moderne, duke u ndalur në çështje që kanë trazuar botën, si 11 shtatori, një meditim mbi Martin Luther King e një ton zemërues për James Baldwin. Morrison përshkon dhe çështje me të cilat janë përballur shkrimtarë të vendeve ish-komuniste, si disidenca, rolin e artistit në shoqëri, të drejtat e njeriut, seksizmi, apo paraja. Me një elegancë mendimi e me një ndjeshmëri të hollë, Morrison të fton në një njohje tjetër të kohëve moderne, duke përshkruar tise gati të padukshme të saj./Gazeta Liberale

(Visited 211 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *