Aktualitet

Përvëlohet Europa: Dita më e nxehtë në historinë e Britanisë, viktima në Spanjë

Shkruar nga Liberale
Përvëlohet Europa: Dita më e nxehtë në historinë e

Vazhdon vala rekord e të nxehtit që po gjunjëzon Evropën. Nga njëri skaj i kontinentit në tjetrin regjistrohen temperaturat e paprecedentë, madje mbi 40°C. Siç tregon edhe harta e Europës, Shqipëria bën pjesë në zonat e konsideruara të kuqe, ku temperaturat kanë shënuar nivele rekord gjatë ditëve të fundit.

Sikur të mos mjaftonte kjo, temperaturat e pabesueshme të nxehtësisë po rrisin përhapjen e zjarreve që po shkatërrojnë vendet bregdetare me Mesdheun. Prej ditësh janë regjistruar zjarre në shkallë të gjerë në Francë dhe Spanjë, ku mijëra hektarë pyje janë bërë shkrumb e hi.

Vapa ekstreme ka prekur edhe Britaninë e Madhe. Shërbimi Meteorologjik në Mbretërinë e Bashkuar tha se priten temperatura maksimale prej 42 ° C sot. Një anomali e vërtetë për standardet britanike të klimës. Autoritetet paralajmërojnë britanikët që të  "qëndrojnë brenda sa më shumë që të jetë e mundur". Gjithashtu ato u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangnin transportin publik .

Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar shqetësime të shumta. Disa linja të metrosë së Londrës kanë pësuar vonesa të mëdha që nga mëngjesi i sotëm. Ujësjellësit kanë shpallur gjithashtu urgjencë, për të kursyer furnizimin me ujë në disa zona të vendit për ditët në vijim. Rritja e temperaturave detyroi edhe Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar të lëshojë një alarm shëndetësor të nivelit 4.

Zyra e Meteorologjisë paralajmëroi se temperaturat mund të rriten më tej, duke filluar nga nesër, në 43 °C.

Zjarret kanë dalë jashtë kontrollit në Francë dhe Spanjë, ndërsa Evropa po thahet nën një valë ekstreme të të nxehtit. Zjarret janë regjistruar prej ditësh në jugperëndim të Francës, në krahinën e Bordo,  veçanërisht në zonën e Gironde. Zjarret detyruan rreth 14,000 njerëz të evakuohen. Që nga  e marta, dita kur nisi përhapja e zjarreve, flakët kanë shkatërruar rreth 11,000 hektarë. Shtatë strehimore emergjente janë ngritur për banorët e zhvendosur nga zjarret. Ministria e Brendshme Franceze njoftoi dërgimin e edhe të 200 mjeteve të reja zjarrfikëse. Gjithashtu, autoritetet franceze vendosën dje 15 krahina në alarm të kuq përgjatë bregut perëndimor. Vala e të nxehtit në Francë pritet të arrijë në 40 gradë Celsius, në ditët në vijim.

Në Spanjë, zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll një zjarr që shkatërroi 2000 hektarë pyje dhe shkurre në rajonin jugor të Andaluzisë. Zjarri filloi të premten në malin Mijas, në brendësi të qytetit bregdetar jugor të Malaga. Rreth 3000 njerëz u evakuuan menjëherë. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pritet të mbërrijë sot në rajonin lindor të goditur rëndë të Extremadura, ku zjarret e shumta kanë shpërthyer prej ditësh. Dje pasdite flakë të tjera shpërthyen në zonën e Losacio (Zamora) duke shkaktuar dy vdekje, një punonjës rajonal i shërbimit zjarrfikës i bllokuar në flakë dhe një 69-vjeçar, trupi i të cilit u duk i djegur mëngjesin e sotëm. Një tjetër zjarr është raportuar në  Pont de Vilomara (Barcelona). Mbi 1230 hektarë u dogjën dhe rreth 200 banorë u zhvendosën. Galicia ishte një nga rajonet më të prekura nga flakët. Raportohen mbi katër mijë hektarë bimësi të shkatërruara. Në zonat e Carballeda de Valdeorras janë djegur 2400 hektarë dhe Parada de Montes 2500 hektarë.

/Liberale.al/ 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH