Arte

Përurohet në Delvinë busti i aktores së ndjerë Hajrie Rondo

Shkruar nga Liberale
Përurohet në Delvinë busti i aktores së ndjerë Hajrie

Aktorja e njohur shqiptare, Hajrie Rondo “është rikthyer” në vendlindjen e saj, në qytetin e Delvinës, por tashmë e jetësuar në një bust të bronxtë.

Pas vendimit të Këshillit Bashkiak për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, busti i aktores Hajrie Rondo Veizi u përurua sot në qendër të qytetit të Delvinës, me praninë e dhjetra qytetarëve dhe familjarëve të saj.

Kryetarja e bashkisë së Delvinës, Majlinda Qilimi zbuloi bustin, ndërsa vlerësoi figurën e aktores, duke u shprehur se “Delvina e ka për krenari përjetësimin e kësaj bije në qendër të qytetit”.

Busti është punuar nga skulptori sarandiot, Kreshnik Xhiku.

Skulptori zgjodhi të realizonte bustin e artistes së shquar me pamjen e saj në një nga rolet më të spikatura, atë të Tanës në filmin “14 vjeç dhëndër”.

Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Hajrie Rondo, lindi më 1 mars 1951 në Delvinë dhe ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare në 9 shtator 2017.

Ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma, mes të cilëve mund të përmendim filmin tepër të njohur për shqiptarët “14 vjeç dhëndër”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH