Kryesore

Përtej amalgamës: Bija e vjetër e nënës së re

               Publikuar në : 10:51 - 03/05/21 liberale

Bija e Vjetër mbahet ende, për të na kujtuar jo thjesht çfarë kemi humbur, por edhe mënyrën se si e humbëm.

Gëzim Basha

Familjes katër antarëshe të një etnografi kryeqytetas i shtohet  befas fryma e pestë; fantazma e së ëmës së re të një gruaje plakë, nënës tetëdhjetë vjeçare të rrëfimtarit, vdekur 59 vjet më parë në moshën 40 vjeçare. Që diçka e rendësishme e ndryshoi qetësinë drejtvizore të familjes, shenjën e parë e dha pasqyra e dhomës së gjumit ku plaka e druajtur, një katolike e devotshme, shkon të shihet pa shami…
Këtu nis intriga e novelës, “Bija e Vjetër e Nënës së Re,” e dyta në përmbledhjen e Preç Zogajt, “Tri Novela,” botim i UETPRESS.

Prania e pestë, nuk i shton novelës ndonjë tis gotik, as e bën leximin e saj të duket si shfletim i ndonjë pastishi të realizmit magjik, përkundrazi! Me një qasje kuazi-realiste, autori e motivon rrëfimtarin të nisë një udhëtim pas në të shkuarën, për të hetuar e zbuluar sekretet e errëta të një familjeje politikisht të viktimizuar. Trajektorja narrative e Preç Zogaj, ka vetpërmbajtjen e realizmit solid, që të kujton shpjegimin e Selman Rruzhdisë për romanin “Fëmijët e Mesnatës”, kur shprehet “ajo që shpesh në Perëndim konsiderohet ‘realizëm magjik’, tek njerëzit nga unë vij është pikëpamje mbi botën, diçka thellësisht reale.”

Rrëfimtari i novelës “Bija e Vjetër e Nënës së Re,” niset të eksplorojë si dëshmitar okular rendin real të ngjarjeve në vendin ku patën ndodhur, kur ai ishte ende fetus në mitrën e së ëmës; kthehet në një “time traveller” për të (ri)zbuluar identitetin e vet brenda një konteksti të caktuar historik, Veriut katolik në Shqipërinë e viteve 50-të të shekullit të kaluar. Gjithçka e bën nën barrën e një pengu që nis me hutinë e nënës para pasqyrës, për të vazhduar me shfaqjen e të jatit në xhamin e një autobuzi ndërqytetas, një peng në rrënjë të të cilit është harresa e pavullnetshme, për të cilën rrefimtari nuk gjen justifikim. Kjo ndjesi faji të kujton Walter Benjaminin, i cili duke shpjeguar kujtesën e pavullnetshme të Prustit, provokuar aromash e zhurmash, ndalet jo pak edhe tek harresa e pavullnetshme për të cilën mungesa e eksperiencave sensore nuk përbën justifikim. Rrëfimtari i Bijës së Vjetër, udhëton në të shkuarën për të mbledhur eksperiencën e munguar sensore, me bindjen se barrierat fizike janë konvencionale dhe shprehje e limiteve të mendjes njerëzore.

Teknika narrative “time traveller”, mundësimi i udhëtimit pas në kohë, hyri në letërsinë moderne prej science fiction dhe bazohet në premisën se udhëtimi midis dy pikash të ndryshme në kohë, mund të kryhet me po atë lehtësi sa edhe zhvendosja fizike midis dy pikash në hapësirë. Preç Zogaj, repertori retorik i të cilit në prozë është po aq mahnitës sa edhe në poezi, e modelon rrëfimtarin e novelës sipas paragonit klasik Time Traveller, për ta eksploruar të shkuarën jo më si një inkursion meditative, por si një zhvendosje konkrete për eksperiencë; jo si digression, por si një aksion për ta (ri)bërë të shkuarën përmes imazheve konkrete.
Metafora operacionale e novelës bëhet amalgama e një pasqyre-cipa e vetme që na ndan nga e shkuara. Të gjithë mund të bëhemi nga pak Time Travellers duke kaluar përtej asaj cipe…

Novela ka një ton të thellë elegjiak: jetimët e viteve ‘50-të bëhen minatorë që vdesin parakohe prej ekspozimit ndaj pluhurit të minierave, mjaft të afërm rrënohen nga lufta e klasave, Kisha rrënohet e humb, varreza rreth saj vithiset e mbulohet nga shkurret e barërat, bashkë me kryqet dhe eshtrat e Nënës së Re.
Bija e Vjetër mbahet ende, për të na kujtuar jo thjesht çfarë kemi humbur, por edhe mënyrën se si e humbëm.

Çikago, 28/4/2121

Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back