Aktualitet

Përse Giorgia Meloni nuk mund të jetë as model fashist dhe as shqiptar?

Shkruar nga Liberale
Përse Giorgia Meloni nuk mund të jetë as model fashist dhe as

Aranit Muraçi

Tranzicioni i tejzgjatur i ka demoralizuar dhe i ka lodhur aq shumë shqiptarët, saqë nuk janë të paktë ata që shprehin hapur nostalgji dhe respekt, të ndarë; disa për fashizmin, të tjerë për komunizmin. Zhgënjimi i shqiptarëve është aq i madh dhe i kuptueshëm sot, saqë shumë prej tyre nuk dinë as kë të besojnë. Ndoshta historia e dekadës së fundit me atë që po përjetojnë vende tona fqinje u japin të drejtë të ndihen në “krizë identiteti”. Një krizë kaloi Greqia një dekadë më parë dhe u pa sesi u zgjuan përnjëherësh ekstremistët. Pandemia dhe kriza aktuale dha të njëjtin efekt tek italianët.

Për shkak të përvojës së hidhur me të kaluarën tonë, përkrahësit e ekstremeve politike, qofshin të majtë apo të djathtë, nuk janë edhe aq të shumtë në numër. Në vendin tonë modeli “Meloni” nuk ekziston, për shkak se kontrollin politik e kanë mbajtur dy partitë tradicionale të cilat u krijuan pas rënies së regjimit komunist, duke ngritur monopolet e  tyre në kontroll të çdo fushe të jetës publike. Të shohësh shpresë në Shqipëri nga modeli “Meloni” është si të gënjesh veten, ose më saktë atë pjesë të elektoratit që është gënjyer për tre dekada me radhë.

Në Itali për shkak të paqëndrueshmërive politike dhe ekonomike qeveritë dorëhiqen vazhdimisht me vullnetin e tyre, për të shmangur ndonjë krizë ekonomike dhe politike më të rëndë, ndërsa në Shqipëri “kriza” sidoqoftë ajo, manipulohet, ose nuk ekziston për asnjë nga qeveritë që kanë qeverisur vendin në këto tri dekada.

Meloni u ngrit dhe shpërtheu në një mjedis demokratik, që nuk ka asnjë ngjashmëri nga ai shqiptar.  Më e penalizuar në këtë drejtim, kur shihet si shpresë modeli “Meloni” , është e djathta në vendin tonë, e përçarë, ende pa një program dhe pa alternativë bindëse. Modeli “Meloni” nuk mund të përsëritet me të njëjtin udhëheqës që është ngritur dhe ka rënë dy herë. Është njësoj si t’i kishte fituar zgjedhjet në Itali, Silvio Berlusconi, i cili edhe pse është bërë pjesë e koalicionit të sotëm qeverisës, italianët e votuan partinë e tij të gjashtën apo të shtatën në radhë.

Meloni, ndryshe nga partitë dypolare shqiptare, u ngrit thuajse nga hiçi për vetëm një dekadë dhe nuk ka qenë e provuar politikisht. Në këtë pikëpamje para se të themelohet dhe t’i besohet ekstremit të djathtë, Shqipërisë i duhet të themelojë të djathtën moderne dhe europiane. Ata që nuk pajtohen me politikat qeverisëse të Edi Ramës, të cilët besojnë se e majta ka dështuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, mos duhet të presin që kryeministri aktual t’ju krijojë komoditetin dhe modelin e duhur, që të bindin shqiptarët për t’i votuar, apo për të ardhur në pushtet?

Në mungesë të institucioneve demokratike dhe të politizimit të tejskajshëm të shoqërisë, e për pasojë sa herë që Shqipëria ka prodhuar kaos dhe anarki në këto tri dekada, nga perëndimi është ngarkuar Italia fqinje që të menaxhojë situatën e saj problematike. Në këtë aspekt, mundet që Italia të ketë një ndikim, por gati të papërfillshëm, jo aq sa mund të përmbysë raportet politike në vendin tonë. Depolitizimi i shoqërisë civile dhe forcimi i institucioneve demokratike, ndarja e pushteteve dhe funksionimi i tyre në mënyrë të pavarur mbeten ende sfidë dhe detyrë patriotike e çdo qytetari dhe partie politike.

Ata që pretendojnë se Georgia Melonin e votoi populli i saj është demokratikisht një konstatim i saktë. Ajo mori jo më shumë se 25 për qind të votave. Domethënë nuk është votuar as nga çereku i italianëve, por u ngrit me shpejtësi dhe i fitoi zgjedhjet sepse institucionet demokratike, që u krijuan pas kapitullimit fashist, ia mundësuan dhe ia dhanë këtë të drejtë. Këtu qëndron edhe superioriteti që ka demokracia karshi të gjitha sistemeve të tjera qeverisëse. Frika qëndron nëse institucionet demokratike do të defermohen dhe vullneti i elektoratit më tej, kur ai të jetë i pakënaqur me ekstremin e djathtë, do të manipulohet.

Se sa dhe si do të ndryshojë “modeli” Meloni Italinë, Europën dhe rrjedhimisht më tej Shqipërinë kjo mbetet për t’u parë por megjithatë është thjeshtë; ajo nuk është aq popullore dhe as e fuqishme siç ishte edhe fitorja e saj elektorale. Shkëlqimi i saj i shpejtë mund të zbehet po aq shpejt. Shqetësimi për qeverinë e re të Italisë nuk është se prej saj shihet ndonjë kërcënim për institucionet demokratike të Italisë, aq më pak për një kthim në fashizëm. Përkundrazi, fitorja e Melonit ka të bëjë më pak me nostalgjinë për të kaluarën fashiste të Italisë sesa me zemërimin ndaj të tashmes së pakëndshme të vendit tonë fqinj. Po ashtu, popullariteti i Melonit mund të zbehet po aq shpejt gjatë qeverisjes. Fati i asaj që u konsiderua si e ardhmja e politikës italiane është i freskët: Që nga suksesi i papritur në 2018, Lëvizja Pesë Yjet ka humbur më shumë se gjysmën e votave dhe tani po lëngon në ekzistencën e saj.

Meloni, e cila ka udhëhequr “Vëllezërit” e Italisë që nga viti 2014, u rrit në një lagje të varfër të Romës. Ajo është shprehur hapur kundër emigrantëve dhe lëvizjes për të drejtat e homoseksualëve, duke e kthyer atë në një kauzë të përbashkët ndërkombëtarisht me partitë e ekstremit të djathtë dhe liderë joliberalë si Viktor Orbán i Hungarisë. Në qershor, ajo foli edhe në një fushatë të Vox, një parti e ekstremit të djathtë në Spanjë, ku shpalosi disa nga idetë e saj. Rrënjët neofashiste dhe simboli që mban partia e saj e kanë vënë aktualisht në qendër të vëmendjes dhe kritikave ndërkombëtare.

Perspektiva që një parti e ekstremit të djathtë me rrënjë fashiste mund të udhëheqë së shpejti Italinë kuptohet që ka trembur opinionin ndërkombëtar. “Giorgia Meloni mund të udhëheqë Italinë dhe Evropa është e shqetësuar,” - lexohej në një titull të New York Times. - “A është Italia në prag të kthimit në fashizëm?”, shtronte pyetjen një analist i Foreign Policy. Por, megjithëse ka arsye të forta për t'u shqetësuar nga perspektiva e kryeministres Meloni, gjasat që Italia të kthehet në orët më të errëta të historisë së saj janë të pakëta.

Megjithatë Meloni, në një farë mase, është distancuar nga e kaluara e hershme e partisë së saj. Ajo ka deklaruar se “fashizmi është histori” dhe ka pezulluar disa anëtarë që treguan admirim për liderët fashistë. Meloni është përpjekur gjithashtu të tregojë se do të jetë një partnere e besueshme për aleatët evropianë dhe amerikanë të Italisë. Ajo, si shembull, i ka moderuar kritikat e partisë ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se dëshiron që vendi i saj të qëndrojë në eurozonë. Ndryshe nga shumë liderë të tjerë të ekstremit të djathtë në Evropë, Meloni ka qenë një kritike e zëshme e Vladimir Putinit dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.

Përtej zhvillimeve ndërkombëtare sfidë për vendin tonë mbetet, më tepër se një shekull pas krijimit të shtetit shqiptar ngritja e institucioneve demokratike, dhe krijimit të një mjedisi politik brenda kornizave normale të demokracisë. Çdo parti që kërkon të ngjitet në pushtet këtë objektiv mund ta arrijë me ndihmën e SHBA-ve dhe Gjermanisë, e para si udhëheqëse e demokracisë globale dhe e dyta si vendi që udhëheq Bashkimin Europian, dhe jo duke i thënë elektoratit se pushtetin e sheh thjesht sot si frymëzim nga përtej Adriatikut, përmes fenomenit “Giorgia Meloni”. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH