Aktualitet

Përplasje në Kuvend, PD kërkon të diskutohet helmimi në Krujë, PS: Presim hetimin e autoriteteve

Shkruar nga Liberale
Përplasje në Kuvend, PD kërkon të diskutohet helmimi në

Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ka kërkuar ndryshim të rendit të ditës, në mënyrë që të futet si pikë e parë diskutimi situata e rënduar nga helmimi në Krujë.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se ngjarja në Krujë nuk duhet të politizohet, por sipas tij, duhen pritur autoritetet të bëjnë hetime.

Ai iu ka kërkuar deputetëve të opozitës që nga nesër të depozitojnë kërkesën për interpelancë me ministren e Shëndetësisë ose të Transportit, dhe në seancën e ardhshme të diskutohet ngjarja.

Pjesë nga debatet:

Rushaj: Ne sapo depozituam një kërkesë. Ka një ngjarje shumë të rëndë, që është verifikuar në Krujë, për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm. Janë qindra qytetarë nga Kruja që janë detyruar të shkojnë në spital për të marrë ndihmën e shpejtë. Nga çfarë është verifikuar deri tani, rezulton që kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjit në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve. Për këtë arsye, ne sapo paraqitëm kërkesën e firmosur nga 10 deputetë dhe kërkojmë të ndryshohet rendi i ditës dhe të vendoset si pikë e parë diskutimi për situatën emergjente të krijuar nga ndotja e ujit të pijshëm në Krujë. Mendojmë që Kuvendi e ka detyrim të diskutojë për këtë ngjarje të rëndë që ka çuar në dëmtime masive të shëndetit të qytetarëve.

Balla: Rezulton të jenë të kontaminuar nga uji i pijshëm atje. Policia dhe prokuroria po bëjnë të gjitha hetimet për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarjeje. Nuk e di që Kuvendi ka atribute të bëjë hetime penale apo hetime të karakterit mjekësor, pasi këto duhet t’i bëjnë autoritetet shtetërore. Besoj deri javën e ardhshme qoftë ministrja e Shëndetësisë, qoftë ai i Brendshëm, apo edhe strukturat e tjera shtetërore do jenë në gjendje t’i bëjnë Kuvendit një informacion të plotë. Sa i përket sugjerimit tim mbi kërkesën pa mbulim mbi rregulloren e Kuvendit nuk ka asgjë. Nëse doni interpelancë urgjente ajo duhet depozituar deri ditën e martë.

Gëzoni gjithë të drejtën të kërkoni interpelancë urgjente. Unë propozoj që ngjarje të tilla duhet sa më pak të politizohen dhe sa më shumë të hetohen. Ajo që them me plot bindje është se të gjitha strukturat shtetërore kanë qenë në gatishmëri që në momentin e parë. Kështu që kjo çështje nuk ka si të hyjë në rend dite.

Rushaj: Të gjitha institucionet janë të mirëpritura të bëjnë punën e tyre, por në Kuvend kemi deputetë që përfaqësojë qytetin e Krujës. Ata duan të diskutojnë çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe kush janë masat që duhen marrë. Parashikohet se 10 deputetë mund të kërkojnë ndryshim të rend dite.

Balla: Nuk ka akt, as një projektligj, as interpelancë, asnjë instrument parlamentare, që Parlamenti sipas oreksit tuaj të kthehet në një instrument diskutimi. Keni një interpelancë me shumë rëndësi dhe dua t’iu shpreh gatishmërinë tonë që interpelancat do të mbahen në çdo rast. Të ftojmë zv.kryeministrin të mbajë interpelancën. Kështu që ju kërkoj që çështjet që diskuton Kuvendi nuk janë debate kafenesh, por janë debate mbi projektligje, projektvendime, apo mbi formën e interpelancës. Ju lutem, nuk duhet politizuar ajo ngjarje. Le të presim institucionet të bëjnë detyrën dhe në seancën e radhës mund të kërkoni interpelancë me ministren e Shëndetësisë, apo me atë të Transportit. Nuk kemi çfarë votojmë. Nëse duam të votojmë diçka që nuk ekziston, le ta votojmë, por besoj se nuk ka vend. Propozoj të vazhdojmë me rendin e ditës.

Rushaj: Nuk kërkova të nxjerrim një ligj të veçantë, por kërkova të bëjmë diskutime. Atje ka qindra të sëmurë prej ditësh, ndaj duhet t’iu japim mundësinë deputetëve të Krujës, që të shprehin shqetësimet e tyre.

Nikolla: Mirë është që të presim përgjigjen e organeve kompetente. Bashkohemi me shqetësimin e njerëzve që kanë probleme shëndetësore në Krujë. Është dhe në ndertin tuaj që mos të bëjmë politikë me këto situata. Të presim kohën e duhur. Nuk është koha që të vijojmë me ndryshim të rendit të ditës. Të vijojmë me rendin e ditës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH