Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje pasdite Gjermaninë, ku një shqiptar ka mbetur i vdekur, ndërsa një tjetër është rëndë në spital.
Rreth orës 6 e 10 minuta të pasdites së të mërkurës policia në qytetin e vogël të Abensbergut në Bavarinë e Poshtme është njoftuar për të shtëna armësh, të cilat janë dëgjuar në parkingun e një supermarketi në rrugën “Strabuinber.
Pas arritjes së policisë, në parkingun e dyqanit është gjetur i vrarë 39-vjeçari Fatos.L.
Menjëherë pas një gjysmë ore, janë dëgjuar edhe disa të shtëna të tjera. Siç shkruan gazeta gjermane në një udhëkryq në qytetin e Abensberg dy makina ishin ndalur njëra-tjetrës. Drejtuesit e makinave ishin grindur shkurtimisht, dhe më pas nga njëra makinë dikush kishte shtënë me armë tri herë duke lënë të plagosur rëndë një 46-vjeçar që gjendej në makinën tjetër.
Siç shkruan mediumi gjerman ‘pi-neës.net’, dy të dyshuarit njëri 30 vjeç dhe tjetri 41, janë shqiptarë nga Kosova, të cilët menjëherë pas ngjarjes kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Të dyshuarit fillimisht ishin arratisur me një makinë dhe më pas ishin arrestuar nga policia pas një aksioni të madh në të cilin ishin përfshirë edhe helikopterë policie./Gazeta Liberale