Editorial

Përkthimi i saktë i votës në mandate s'ka lidhje me sistemin zgjedhor

Shkruar nga Liberale
Përkthimi i saktë i votës në mandate s'ka lidhje me

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Tema e madhe e Kodit Zgjedhor dhe e modeleve të votimit ka marrë dominimin e debatin publik mbi demokracinë, kohët e fundit. Ndërsa para dy dekadash na mjaftonte të largoheshin nga politika Nano dhe Berisha, dhe shoqëria shqiptare do arrinte lumturinë; sot, duket, se na mjafton ndryshimi i një pjese të Kodit Zgjedhor. Pra, mjafton të ndryshojmë ‘proporcionalin rajonal’ me ‘proporcionalin kombëtar’, me ‘maxhoritarin’ apo ‘maxhoritarin e korrektuar nga proporcionali’ dhe gjithçka rregullohet. Pas kësaj, ne shqiptarët duhet të fusim lugën në brez dhe të ecim përpara të lumtur e të gëzuar drejt integrimit në BE. Mbështetësit e tezës se e gjithë situata politike, ekonomike dhe shoqërore zgjidhet nga ky ndryshim, ndahen në tre grupe kryesore.

Grupi i parë përbëhet nga “opozita e re”, të cilët kanë nevojë për një tezë të madhe për tu justifikuar. Pa hyrë në vlerësim e vendimit të partive opozitare për të dalë nga Kuvendi, mund të thuhet se ky vendim ishte në përputhje me vullnetin e votuesve të tyre, kështu që atyre që e shkelën ju duhet një justifikim për të sotmen, por edhe për të nesërmen e tyre në politikë. Tema e madhe e ‘ndryshimit të sistemit’ është mënyra që kanë gjetur.

Grupi i dytë janë një bashkësi njerëzish që nuk kanë nevojë të justifikojnë të sotmen, por të ndërtojnë të ardhmen e tyre të afërt në politikë. Këta mund të konsiderohen si etatistët e rinj, sepse i gjithë diskursi, që i ka bërë faktor publik, mbështetet te teza e pakuptimtë se ‘të gjithë qeveritë e vendit kanë qenë të korruptuara, dhe zgjidhja është zmadhimi dhe fuqizimi i qeverisë’. Edhe këta janë të interesuar të ngulisin në mendjen e njerëzve konceptin ‘ndryshim sistemi’, por pa thënë se e kanë fjalën për sistemin zgjedhor apo atë politik. Nëse do e thoshin hapur që ëndrra e tyre finale është për t’u kthyer në socializëm, të paktën do kishin qenë të ndershëm me veten.

 

Ndërsa grupi i tretë, ai më masivi, përbëhet nga një spektër njerëzish që me të drejtë janë të rraskapitur nga e sotmja politike dhe e vetmja gjë që duan të dëgjojnë është një “ndryshim” i thjeshtë politik që ju zgjidh brenda natës të gjitha hallet që kanë. Për shkak të indoktrinimit punist dhe etatist këta janë një preh e lehtë për propagandën e dy grupeve të para, që përditë e më shumë po unifikohen në një të vetëm.

Në fakt, çështja e Kodit Zgjedhor nuk duhet të jetë fare çështje e popullit, por punë e partive! Janë partitë që kanë nevoje për rregulla për të garuar në zgjedhje, jo populli. Popullit i mjafton një proces votimi dhe numërimi që i garanton përkthimin e vullnetit të tij në politika. Mirëpo, partitë tona kanë vite që nuk merren me punët e popullit, që në fakt duhet të jenë politikat kombëtare të zhvillimit ekonomik, financiar, arsimor e kulturor, shëndetësor e infrastrukturor. Ato merren me punët e tyre dhe kjo e Kodit është një nga ato! Kodet zgjedhore, në kuptim të lidhjes së përfaqësuesit me të përfaqësuarit e tij në Kuvend, janë të ndryshme dhe kanë rendiment të ndryshëm, por shumë larg nga nevojat reale për përfaqësimit të saktë politik. Demokracinë dhe përfaqësimin politik, në një shoqëri, ku individi shet votën e tij për ndonjë përfitim minimal apo e jep falas atë për vendin e punës në shtet të fqinjit apo kushëririt, nuk e ndihmon dot asnjë sistem apo Kod, përveçse atij të karakterit moral individual dhe respektit për veten dhe vullnetin tënd politik! Dhe meqë jemi duke folur për moralin individual, le të flasim edhe për moralin e anëtareve të partive, sepse nuk është Kodi në vetveten që lejon Kryetarët të bëjnë listat zgjedhore, por anëtaret që përbëjnë organizmat drejtuese të partisë, bile e gjithë anëtarësia. Për më tepër edhe deputetet e rinj, nëpërmjet një liste të tillë erdhën në Kuvend, por nuk i pengoi ky shkak të thyenin vendimin e partisë. Pra, edhe me këtë Kod, kush do të mbroj vullnetin e atyre që përfaqëson, mund ta bëj.

Çështja e vërtetë është mungesa e politikes dhe idelogjikes brenda partive, të cilat duhet të identifikojnë thelbin e halleve të vërteta të njerëzve dhe t’ju japin atyre zgjidhje me plane, programe e projekte konkrete. Duke qenë se parimet ideologjike dhe politike janë të ndryshme në parti të ndryshme, atëherë edhe zgjidhjet e propozuara nga to janë të ndryshme; dhe në këtë kuptim, edhe për votuesin ka mundësi reale të përzgjedhin përfaqësuesin e duhur të vullnetit të tij në Kuvend. Në të kundërt, pra kur partitë nuk kanë asnjë ndryshim politik, nuk ka asnjë rëndësi si përzgjidhet kandidati nga partia apo deputeti nga populli? Ideologjia ndikon edhe në zgjidhjen e halleve të partive. Është mungesa e politikes dhe ideologjisë arsyeja e vërtetë edhe e kthimit të partive në banda të kryetareve. Sepse një bashkim vullnetar kërkon unitet, i cili: në rastin e partive pa ideologji kthehet në besnikëri ndaj kryetarit, fuqia e të cilit është instrumenti për bashkues drejt “rrëzimit” të kundërshtarit; kurse në rastin e partive ideologjike uniteti është ndaj vlerave, parimeve dhe ideve të partisë. Është ky bosht politik që detyron kryetarët të bëjnë listat e duhura dhe deputetët të respektojnë me përpikëri vullnetin politik të votuesve të tyre.

gentiankaprata.blogspot.com

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH