Aktualitet

Përgjigjet e analizave: Kruja u helmua nga uji i pijshëm me ngarkesa bakteriale

               Publikuar në : 17:20 - 27/10/21 liberale

Uji i pijshëm në Krujë, që helmoi mbi 500 qytetarë, rezulton me ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal. Report TV mëson se ky është rezultati i analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik. Po ashtu bëhet me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës, që më pas i është shpërndarë qytetarëve nëpër çezma.

Origjina e ndotjes së ujit të pijshëm nuk dihet ende, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik pritet të dalë me një informacion zyrtar në orët në vijim.

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Krujës njoftoi më herët sot nisjen e hetimeve, teksa është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor. Ndotja ujërave përbën vepër penale, për të cilën Kodi Penal parashikon deri në 10 vjet kur kjo vepër, ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve

Që nga mëngjesi i së dielës, shumë qytetarë në Krujë u paraqitën në spital me simptoma helmimi si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella. Furnizimi i qytetit me ujë është ndërprerë që prej mesditës së të hënës.

Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

Megjithatë, një ditë më parë banorët u shprehën se ky është një rast i përsëritur ku uji ka ardhur i ndotur dhe më parë në çezmat e tyre. Njëri prej tyre u shpreh se të njëjtat simptoma helmimi ata kanë patur edhe 3 muaj më parë.

Esheria Koli është lloj bakteri që njihet për shkaktimin e irritimit në stomak. Simptomat përfshijnë diarrenë, dhimbjet në bark, vjelljen dhe marramendjet. Ky bakter mund të shkaktojë edhe probleme tjera, duke përfshirë cista, infeksione në trakt urinar dhe pneumoni. Streptokoku është një infeksion bakterial që shkakton inflamacion dhe dhimbje në fyt. Streptokoku mund të prekë fëmijët dhe të rriturit e të gjitha moshave. Sidoqoftë, është veçanërisht e zakonshme tek fëmijët në moshën 5 – 15 vjeç.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back