Globi

Përgjigja e Vlora Çitakut për Daçiç në OKB dhe replika për flamurin

Shkruar nga Liberale
Përgjigja e Vlora Çitakut për Daçiç në OKB

Këshilli i Sigurimit diskutoi të enjten për Kosovën, për herë të fundit këtë vit. Diskutimi që zgjati 2 orë e gjysmë filloi me fjalimin e Zahir Taninit, i dërguar i sekretarit të Përgjithshëm të OKB në Kosovë dhe shef i UNMIK-ut.

Ndryshe nga herët e tjera kur ka mbajtur fjalimin me video-konferencë, Tanin ishte kësaj here prezent në sallë. Ai e nisi fjalimin duke folur për zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat “sollën ndryshimin më signifikant të ndodhur në Kosovë në 12 vitet e fundit”.

Nga Serbia kishte ardhur ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, i cili kujtoi që në fillim të fjalës së tij, se ka folur për herë të parë në Këshillin e Sigurimit shtatë vjet më parë, dhe se kjo është hera e 22 që flet.

Sipas tij, që nga ajo kohë “asnjë përmirësim nuk është bërë në jetën e serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë e Metohi”.

Në një fjalim që zgjati më shumë se 20 minuta, duke e kaluar disa hetë 5 minutëshin e rekomanduar për fjalimet, Daçiç, me fytyrë e sy të skuqur, foli duke iu drejtuar herë kosovarëve herë diplomatëve, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Ai foli për të drejtat e mohuara të serbëve pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova.

“Këtyre njerëzve duhet t’u jepet siguria, liria e lëvizjes dhe e fesë, e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, punësim dhe pjesëmarrje në jetën politike”, tha Daçiç.

“Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar 6 vjet më parë, ka qenë e vështirë për t’u arritur, por zbatimi i saj nuk ka pasur sukses,” tha ai më tej duke siguruar se “Serbia është e gatshme që të vazhdojë bisedimet që nesër nëse plotësohen kushtet”.

Ministri i Jashtëm serb foli edhe për vendosjen e tarifave kundrejt produkteve serbe një vit më parë, duke thënë se nuk është e drejtë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kërkojnë që vendet e tjera të njohin pavarësinë e Kosovës dhe i kërkojnë Serbisë të ndalojë fushatën për kthimin mbrapsht të njohjeve të “të ashtuquajturës Kosovë”.

Duke folur për zgjedhjet në Kosovë ai tha se ato janë përdorur kundër serbëve. Ai foli për Albin Kurtin, i cili sipas tij, ka si synim krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe, se kërkon të hedhë poshtë pikat e marrëveshjes së arritur në Bruksel për komunat me shumicë serbe.

Kurti, tha ai, ka thënë se do të kërkojë nga Serbia dëmshpërblime lufte. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, Daçiç shprehu indinjatën që zyrtarë perëndimorë qëndrojnë në takime me Albin Kurtin, kur ky i fundit tregon flamurin e Shqipërisë.

“A do të qëndronit pa folur, nëse do të takoheshit me përfaqësues të Republikës Serbe të Bosnjës dhe do të shihnit flamurin serb,” pyeti ai.

“Ne jemi të vegjël, por jo budallenj,” tha Daçiç duke u futur në rolin e viktimës. Ai foli për rrezikun e luftëtarëve të IS, të kthyer në Kosovë, që sipas tij janë 250 në numër dhe “përbëjnë rrezik jo vetëm për rajonin, por për gjithë Europën”.

Mbas tij e morri fjalën Vlora Çitaku, e cila foli për zgjedhjet e 6 tetorit, ku për herë të parë shumë zgjedhës ishin qytetarë që kanë lindur në Kosovën e lirë, pa luftë.

Ajo foli për vajzat e Kosovës kampione si Majlinda, Nora, Distria, që e ndryshuan kuptimin e shprehjes “ti lufton si vajzë” në Kosovë.

Foli për ndeshjen e futbollit me Anglinë, për rritjen e numrit të kompanive që merren me IT, për shtypin e lirë, për gra si Fahrije Hoti, që ndërtuan Krushën nga hiri.

Në fjalën e saj Çitaku ka thënë se seanca e Këshillit të Sigurisë nuk është gjykatë për politikanët.

“Është e vërtetë se Kurti ka fituar zgjedhjet në Kosovë. Ai ka thënë qartë disa herë se është pro dialogut. Më kënaq kjo që kolegu im nga Serbia e mbron flamurin e Kosovës. Flamuri i Kosovës gjithmonë do të qëndrojë në zyrën e Kryeministrit të Kosovës”, u shpreh Çitaku, teksa Daçiç në fjalën e tij ka thënë se Albin Kurti nuk e njeh flamurin e Kosovës.

Por ambasadorja ka kujtuar se Albin Kurti ka qenë i burgosur politik në Serbi, gjatë kohës që Daçiç ka qenë ministër.

Çitaku i ka quajtur të rreme pohimet e palës serbe e nga Kosova janë larguar 200 mijë serbë, teksa ka rikujtuar se i dyshuari kryesor për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviqit vazhdon të fshihet në Serbi.

“Kosova kurrë nuk do të frikësohet dhe Serbia kurrë nuk do ta diktojë”, u shpreh ajo.

Çitaku ka përmendur edhe për veprimet e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke thënë se Prishtina zyrtare serish do të aplikojë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që askush nuk ia ndalon këtë të drejtë.

“Kosova tashmë ka dëshmuar aftësinë e saj për të treguar veten si faktor stabilitetit”, tha ajo.

Ajo ka përshëndetur aksionin e ushtrisë amerikane për vrasjen e liderit të organizatës terroriste ISIS-it Al-Baghdadi, duke shtuar se Kosova si shtet kontribuon në luftën kundër terrorizmit.

“Jam krenare për të kaluarën time si shqiptare e Kosovës. Nuk jam e sigurt se kështu mund të thuhet për juve zoti Daçiç”, është shprehur ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. /Marrë nga Tema

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH