Editorial

Përfaqësimi në komisionet zgjedhore është një e drejtë e opozitës

Shkruar nga Liberale
Përfaqësimi në komisionet zgjedhore është një e

Ervis Iljazaj

Është vështirë të besosh se në Shqipëri mund gjenden njërëz të depolitizuar të cilët sipas bisedimeve për Reformën Zgjedhore do të menaxhojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sigurisht, ky është një kusht i vendosur nga OSBE dhe si i tillë do të duhet të adresohet. Ende nuk është e qartë se nga do të vijnë këta njërëz jashtë partive politike që do të merren me këtë proces, por të mendosh që në Shqipëri ka njërëz që punojnë në administratë dhe që janë të depolituzuar ky është një naivitet. Shembulli për të vërtetuar këtë fenomen është administrata publike. Edhe pse sipas ligjit punojësit e adiminstratës publike duhet të jenë të depolitizuar, nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që mendon se janë vërtetë të tillë.  Ekziston rreziku që edhe ata që do të menaxhojnë procesin zgjedhor  të ‘’shiten’’ si të tillë dhe ndërkohë të jenë partiak.

Megjithatë, herët apo vonë Shqipëria do të duhet ta depolitizojë procesin zgjedhor. Por, në këto kushte ku gjendet sot konteksti politik shqiptar, ta lësh opozitën pa vëshgues të procesit zgjedhor, është padyshim ti heqësh një të drejtë asaj dhe një garanci për mbarëvajtjen e këtij procesi kaq të rëndësishëm për fatin e vëndit.

Aq më tepër kur cdo pushtet, cdo insitucion qëndror apo lokal është në duart e mazhorancës dhe mundësia që ajo të ketë ndikim edhe te administrata e ‘’depolitizuar’’ është shumë i madh.

Në këtë kuptim, kërkesa që po bën opozita në bisedimet për Reformën Zgjedhore për përfaqësues politik në komisionet zgjedhore, aq më tepër pa të drejtë vendimarrje, është i drejtë dhe nuk prek kushtin e vendosur për Shqipërinë për depolitizimin e procesit zgjedhor. Në fakt, nuk kuptohet se përse mazhoranca e refuzon me insistim këtë përfaqësim jo vendimarrës të forcave politike në komisionet zgjedhore!?

Përtej këtij debati, që ende nuk dihet se si do të përfundojë, dhe për të cilin palët nuk po gjejnë një dakortësi duke mbajtur peng marrëveshjen, opzita nuk duhet ta braktisë reformën zgjedhore për asnjë arësye. Ajo duhet të bëjë të gjitha përpjekjet dhe ta cojë deri në fund atë.

Opozita nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime që ka bërë deri më tani duke brakitisur të gjitha reformat dhe duke i lënë mazhorancës të gjitha pushtetet, duke filluar që nga reforma territoriale e deri te reforma në drejtësi. Të gjitha këto reforma nuk kanë bërë gjë tjetër vecse kanë ritur ndjeshmë pushtetin e mazhoracnës. Pushtet të cilin opozita dhe qytetarët shqiptar po e vuajnë në kurrizin e tyre. Shembja e Teatrit është shembull që tregon të gjithë këtë fenomen.

Ishte e qartë se kjo zbutje e aksionit politik  nëpërmjet tryezës për reformën zgjdhore ishte pikërisht për të bërë ‘’ detyrën’’ e saj në raport me ndërkombëtarët që e kërkonin me insistim këtë gjë, duke qenë se reforma ishte një kusht thelbësor për celjen e negociatave dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë. Si të thuash, pas një viti me raporte të acaruara me ndërkombëtarët, opozita kësaj here bëri pikërisht atë që ju kërkuar, të ulej në tryezë me mazhorancën për reformën zgjedhore.

Por, Reforma Zgjedhore, përtej çdo detyrim ndërkombëtar për opozitën, ka një rëndësi thelbësore për vetë  aksionin e saj opozitar.

Është në të mirë të vendit dhe vetë Partisë Demokratike ta cojë deri në fund reformën  zgjedhore, për arsye strategjike të Partisë Demokratike, por edhe të vazhdimit deri në fund të betejës personale të Lulzim Bashës, atë të ndryshimit të sistemit politik, që prej shumë kohësh ka qenë kali i betejës së tij.

Sepse, një nga aspektet kryesore të retorikës politike të Bashës, ka qenë pikërisht ruajtja e votës së shqiptarëve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim, Basha duhet të dalë me propozime konkrete dhe t’i fusë ato në agjendën politike.

Shqipëria është nga të paktat vende në botë, që ligjin zgjedhor, e aprovon pak para zhvillimit të zgjedhjeve, si pasojë e interesave të ngushtë politikë, duke iu imponuar ndonjëherë edhe në mënyrë të fshehtë dhe jotransparente çdo faktori tjetër shoqëror dhe politik.

Ndërkohë që, ligji zgjedhor është ligji më i rëndësishëm i një regjimi demokratik, dhe kërkon diskutime të hapura dhe mendim nga aktorë dhe faktorë të kësaj fushe, ashtu sikurse ndodh normalisht në vendet demokratike. Sepse jo vetëm që është instrument i demokracisë direkte, por është edhe ligji nga i cili varen shumë raporte të tjera institucionale, sidomos , ato midis qeverisë dhe parlamentit. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH