Editorial

Përdorim politik, jo çështje politike!

Shkruar nga Liberale
Përdorim politik, jo çështje politike!

Shpendi Gashi

Është për t'u keqardhur fakti se Aeroporti Kombëtar i Shqipërisë "Nënë Tereza" është futur përsëri në rangun e lajmeve më famëkeqe duke ndoshta e përkeqësuar imazhin e vendit në sytë e mbarë botës, e si rrjedhojë t'i thajë ato të shkreta investime të huaja, që për hir të vërtetës janë oksigjen për ekonominë tonë recesive. Situata e brendshme dhe e paqëndrueshme politike reflekton gjithë sagën e përkeqësimit të imazhit tonë bashkëngjitur kësaj edhe klimën ekonomike.

Këtë herë ndodh që një vend si yni, i "kundërvihet" padashje interesave të aktorëve shumë më të mëdhenj politik, duke pezulluar linjën ajrore, e cila sidomos në kohë pandemie globale, ka vërtetë rëndësi jetike gjeopolitike. Normalisht këto kryeneçësira janë të nxitura nga ‘’shqiptarizmat’’ që si duket nuk do shkulen edhe për disa kohë nga institucionet kyçe.

Pra jemi në kushtet e një marrëveshjeje të munguar mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, e cila e bashkëshoqëruar nga një arrogancë ndër-institucionale tani po kthehet qartazi në një fushëbetejë politike.

Qeveria kërcënon hapur me ndjekje penale në rast moskthimi në vendin e punës. Në të kundërt gjykimi është paditja si pjesë integrale e një "grushti shteti" në kushte të jashtëzakonshme e stisur nga opozita me eksponentë të tyret brenda kolektivit të kontrollorëve. Ndërkohë akuza pos se ishte e shigjetuar politikisht kishte edhe një trajtesë ligjore e juridike. Në linjën e kësaj trajtese kjo "revoltë" ishte në kuadrin e një grevë urie dhe se konkludonte në shkelje ligjore të hapur, referuar Nenit 197/5 të Kodit të Punës, ku përcaktohej se për shkak të rëndësisë jëtike që kishte si profesion nuk mund të sanksionohej e drejta e grevës.

Kontrollorët nga ana tjetër po e trajtojnë totalisht në linjë juridike çështjen dhe nuk predikojnë aspak moral. Nuk përfillin akuzat absurde e mediokre të hedhura ndaj pagës së majme, pasi sipas tyre është një e drejtë ligjore dhe gjasat deri tani absolutisht nuk janë se do pranojnë arrogancën si negociimin e vetëm.  Ndoshta kjo është shumë më e ndershme se "hipokrizia morale" e diskurit politik të përditshëm. Pretendimi kryesor për vënien në zbatim të aktit drastik është pasi kërkesa e tyre për negociim është refuzuar. Në rastin e tryezës përballë ministrisë, përfaqësuesit e qeverisë nuk ishin ulur me qëllimin për të rënë në kompromis me palën tjetër, por kishte paraqitur oferta në formën e ultimatumit. Kontrollorët pretendojnë se detyrë e tyre është garantimi i jetës sw njerëzve dhe jo të mbajnë edhe përgjegjësinë politike qe sjell veprimi i tyre. Kjo e fundit sipas tyre duhet të garantohet nga shteti dhe sjellja e tij ndaj agjensive të ndryshme.

Kjo le të shërbejë si një model për të krijuar idenë e sindikalizmit, ku të drejtat e punëtorit duhet të kenë një zë, duhet të sanksionohen me ligj, duhet të dëgjohen. Shteti në këtë rast duhet të ketë rolin e ndërmjetësit e të krijojë kushtet të cilat sjellin edhe përmirësimin e standardit të jetesës, që situata tw tilla tw mos ndodhin.

Për sa i përket kësaj situate zgjidhja do jetë vetëm me rrugë ligjore dhe me interpretime të vakumeve ligjore që do lindin rrugës.

Fakti shqetësues është se disa qindra turistë apo udhëtarë janë të bllokuar, për të vetmen arsye sepse në vendin tonë çdo gjë trajtohet me filozofinë ‘’ose me ne ose kundër nesh’’. Ky është shqetësimi i parë që duhet zgjidhur, duke lënë ethet e fushatës mënjanë e t’i shërbesh shtetit. Kjo është puna e të gjitha palëve, të gjejnë zgjidhje pa e nxjerrë shtetin në jofunksionalitet.

Është thjesht një ngërc sistemor, ku theksohet se fajtorë janë të gjitha palët e përfshira. Pak rëndësi ka se cila është pak më pak apo pak më shumë fajtor. Më e udhës do ishte që secila nga palët të pranonte pa kapriço arrogance apo politike "tryezën e negociimit" dhe të ulej jo me idenë e të rënit dakord për të mos rënë dakord, por me idenë se kanë një përgjegjësi para taksapaguesve. Çdo veprim i bën dëm sistemit të përgjithshëm dhe vetë qytetarit.

Privilegjet si ato që t’i garanton vështirësia e profesionit jetik sikundër specifikohet në Kodin Ajror, ashtu siç privilegjet që ka qeveria dhe kompania private, janë të legjitimuara vetëm në kuadër të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarit. Në momentin që ky shërbim është pezulluar pa afat, bie dhe legjitimimi i tyre. Rastet e tilla tregojnë se situata është kthyer në një përplasje tripalëshe përfshi agjensinë private, me karakter totalisht ekonomik. Secila palë po përpiqet të heqë përgjegjësinë nga vetja. Ndërkohë që shteti si aktori më i madh s’duhet ta lejojë situatën të shkojë deri në këtë fazë.

Nuk është fare çudi, biles është totalisht i pritshëm për faktin se ka ndodhur në kohë  fushate e medoemos do kalonte edhe në filtrin e politikës.

Këtu ka përdorim politik, jo çështje politike!

Partia Socialiste përnjëherë e ka përdorur efektin që shkaktoi gjithë kjo lëvizje për ta kthyer në fushatë politike. Shigjetat targetonin drejtpërdrejtë opozitën duke i akuzuar për organizimin e grushtit të shtetit si dhe një palë që punon kundër interesave të vendit. Sipas  kreut socialist këto janë sulme të dëshpëruara që i shkakton përballja e 25 Prillit dhe që është gjetur kryeministri i gabuar për t’ja stisur këto taktika. Kontrollorët etiketohen si disa tradhëtarë që dëmtojnë atdheun, borgjezë që s’janë të kënaqur me paratë që marrin.

Ministrja Balluku biles ka ndërmarrë përsipër të paragjykojë uljen e standardit të jetesës nga ulja e rrogës. Ata, kontrollorët, trajtohen si disa punëtorë të përkëdhelur, të cilët po i bien të mirës me shkelm dhe që e tradhëtojnë detyrën në çaste kritike për vendin.

Duke e mbajtur këtë linjë diskuri PS-ja jep sinjale elektorale të rëndësishme për strategjinë e ndjekur së fundmi.

Së pari, arroganca e përdorur thuajse në çdo situatë problematike dhe ideja e mos të rënit asnjëherë në dakordësim me kundërshtarin, pasqyrohet nën petkun e moralit qytetar si një vlerë shumë e madhe lidershipi dhe mospërlyerje e cila njihet se i përkon kërkesës 30 vjeçare të elektoratit. Arrestimi është mënyra më e mirë për të krijuar idenë se jemi në gjëndje lufte dhe se monopoli i dhunës nga shteti është i justifikuar.

Pyetjes se si do zëvendësohen këta kontrollorë, Rama i përgjigjet me kërkesën me kontrollorë nga shteti turk. Deklarimin i pastër i mbështetjes së Erdoganit ndaj tij dhe raportit të tij me predidentin turk.

Fabrikohet mendimi masiv se shteti është i fortë dhe nuk bie pre e presioneve nga grupe të ndryshme interesi. Aleatët janë gjithmonë pranë. Vazhdohet me politikën e imazheve, ‘’armiku imagjinar’’ është faktori kryesor për destabilizimin e vendit, duke i kategorizuar kështu edhe me teser partie kontrollorët.

Gjithashtu shigjetat e Edi Ramës drejtohen ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, figura këto që prekin sentimentet e elektoratit, duke e legjitmuar gjithë arrogancën në linjë të njëjtë me antipatinë e madhe ndaj këtyre dy figurave.

Së dyti, veprimi i kontrollorëve për pezullimin e punës është quajtuar pikë së pari i pamoralshëm nga qeveria. Po përdoret taktika e urrejtjes ndër klasore Jo më kot është prekur çështja e pagës së lartë, që kjo të tërheqë vëmendjen e popullit, i cili nuk shikon si kundërshtar atë që i mundëson pamundësinë për të rritur standardin dhe sheh me urrejtje atë që e meriton me të drejtë pagën,  madje mbase edhe e duartroket uljen e rrogës e deri arrestimin e tyre.

Së fundmi, nuk ka sesi të mungojë lidhja që i bëhet situatës me vaksinimin. Në këtë rast, vetë Edi Rama ka deklaruar se këto janë sulme për të zbehur suksesin e vaksinimit dhe gjithashtu kanë bllokuar  hapësirën ajrore për të vonuar ngarkesën e radhës me vaksina. Duke e anatemuar në skaj kundërshtarin, madje duke i bërë edhe akuza në kufijtë e konspiracionit do ta ngjallë ndjenjën kombëtare shqiptare.

Si përherë duke u marr drejtpërdrejtë me afeksionin e elektoratit! /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH