Aktualitet

“Përdori helikopterin për fushatë”, PD padit në SPAK Olta Xhaçkën

Shkruar nga Liberale

Partia Demokratike dorëzoi sot në SPAK kallëzimin penal kundër Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe autoriteteve ushtarake që kanë manipuluar të dhënat për përdorimin e helikopterit ushtarak për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste.

Në kallëzim, argumentohet se Ministrja e Mbrojtjes ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore.

Në kallëzimin penal, të dorëzuar nga përfaqësuesit e PD, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, jepen detaje për shkeljen e ligjit nga Ministrja e Mbrojtjes, duke përdorur helikopterin ushtarak për qëllime elektorale, pasi është emëruar drejtuese politike e PS në Dibër.

“Në kohën që ministrja e Mbrojtjes, për pushtetin e Edi Ramës, abuzon me helikopterin, i cili kushton deri në 10 mijë euro për një udhëtim, nënat nuk ç’t’u japin fëmijëve për të ngrënë, nuk mundet t’i arsimojnë, mijëra prej tyre jetojnë akoma në çadra me kushte mizerabël, në varfëri ekstreme, nuk mund të përballojnë kurat dhe ilaçet, nuk mund të bëjnë një tampon. Janë me mijëra mësuese që rrezikojnë çdo orë, që shfrytëzohen si skllave, me dhjetëra orë të papaguara ne javë që nuk arrijne te paguajnë për ilaçet dhe kurat anticovid”- u shpreh Albana Vokshi.

Përveç Ministres së Mbrojtjes, sipas PD faktet në kallëzim penal implikojnë edhe Komandantin e Forcave Ajrore, i cili ka manipuluar arsyet e udhëtimit të helikopterit, duke i deklaruar për qëllime stërvitore, kur është e provuar se qëllimi ka qenë elektoral, në interes të PS.

“Partia Demokratike kreu detyrën e saj qytetare duke ia sjellë SPAK-ut të gjithë dokumentacionin që disponon së bashku me provat perkatëse duke i dhënë një mundësi për të treguar që nuk është e kapur nga qeveria, por është në shërbim të ligjit dhe të interesit publik”- u shpreh Gent Strazimiri.

Edhe në kallëzimin e dorëzuar sot, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut që të trajtojë të gjithë njësoj përpara ligjit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH