Aktualitet

Përcillet për në banesën e fundit polici që u vra në veri të Kosovës. Lista Serbe: Kërkojmë hetim për vrasjen e 4 anëtarëve të grupit të armatosur

Shkruar nga Liberale
Përcillet për në banesën e fundit polici që u vra

Efektivit të Policisë së Kosovës me gradën rreshter, Afrim Bunjaku, i është dhënë lamtumira e fundit në një ceremoni shtetërore, ndërsa në Kosovës dita e sotme në nder të tij u shpall ditë zie.

Polici Bunjaku u vra nga grupi serb i armatosur një ditë më parë në Banjckë, në veri të Kosovës.

Afrim Bunjaku do të prehet në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë.

Të pranishëm në ceremoninë mortore kanë qenë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca e personalitete të tjerë.

Presidentja Osmania tha se efektivi i policisë Bunjaku bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës. Kryeministri Kurti e konsideroi heroizëm rënien e Afrim Bunjakut në krye të detyrës dhe sakrificë në betejën e Kosovës për të garantuar ligjin dhe kushtetueshmërinë.

Pas ndërhyrjes së forcave të policisë, raportohet se janë vrarë 4 prej grupit të armatosur serb.

Sakaq, sipas Radio Europa e Lirë, Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka shprehur ngushëllime për familjet e serbëve të vrarë dhe policit të Kosovës gjatë sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Nga përleshja mes një grupi të armatosur dhe Policisë së Kosovës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se katër sulmues të dyshuar janë vrarë gjatë përleshjeve në manastirin në Banjskë.

“Kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve, që u vranë me gjakftohtësi edhe pse u dorëzuan. Pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?”, tha Lista Serbe pa ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.

Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe paqe. “Në këtë drejtim kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe për të parandaluar abuzimet politike të kësaj ngjarje tragjike”, tha Lista Serbe. Ky reagim i Listës Serbe vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtuesi i Policisë, Gazmend Hoxha, akuzuan nënkryetari e kësaj partie, Millan Radoiçiq, për organizim dhe pjesëmarrje në sulm.

Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH