Kryesore

Përballimi

               Publikuar në : 10:46 - 12/06/19 E Liberale

Presidenti si i vetmi që dekreton zgjedhjet përballë qëndrimeve të BE dhe ShBA për zhvillimin e tyre më 30 qershor. Çfarë mesazhesh po përcjell Meta në këtë matje force me ndërkombëtarët dhe a do të ketë përshkallëzim të reagimeve tyre.

Suadela Balliu

Presidenti nuk ka frikë. Nga reforma në drejtësi. Për këtë  mund të dëshmonin kryeministri Rama dhe ish-ambasadori amerikan Lu. Kështu artikuloi dje gjatë konferencës për shtyp, një ditë pas firmosjes së dekretit më të ri që shfuqizon zgjedhjet e 30 qershorit.

As nga shkarkimi. Në një kohë vetofrimi për ta lënë detyrën, si sakrificë për zgjidhjen e krizës politike. Por do të ikë, vetëm pasi ta zgjidhë krizën, efektet e së cilës prodhuan një të re që flirton mes kushtetutës dhe institucioneve.

As nga mesazhet e ndërkombëtarëve, të cilët i sfidoi me matje force. “Nëse ka ndonjë nga Brukseli që mund të nxjerrë ndonjë dekret për zgjedhjet le ta nxjerrë, për të gjithë duhet të jetë e qartë;  presidenti jam unë, përgjegjësinë për stabilitetin e vendit e kam unë”, deklaroi Ilir Meta para mediave dje, në një kohë ku dekreti i tij u botua në fletoren zyrtare.

Në kapërcim të ngurtësisë formale të institucionit, shpesh me mesazhe të drejtpërdrejta e jo pak të ashpra, presidenti do t’u çonte përgjigje  zyrtarëve të BE-së dhe ShBA-së, të cilët prej së shtunës e kanë hedhur vëmendjen tek zhvillimet e fundit në vend.

Përgjigje për BE e SHBA

Pas reagimeve të moderuara, duke respektuar kufijtë e sovranitetit të një shteti, se bëhej fjalë për çështje të brendshme,  nga Perëndimi do të vinin edhe qëndrime më të drejtpërdrejta. Fillimisht kreu i OSBE-së , Miroslav Lajçák e pa situatën e fundit në Shqipëri, si terren për thellimin e mëtejshëm të krizës politike dhe mosfunksionimin e institucioneve shtetërore.

Ai bëri thirrje udhëheqësve politikë të demonstrojnë përmbajtje dhe respekt për legjislacionin në fuqi, si dhe për rolet kushtetuese të institucioneve përkatëse demokratike.

Gjithashtu nga Brukseli, pak para mesnatës së të hënës, zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Kocijançiç deklaroi pozicionimin e BE-së kundër  shtyrjes së zgjedhjeve lokale. “Është thelbësore që të garantohet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale”, ishte mesazhi i Brukselit, që u bëri thirrje palëve për dialog urgjent dhe institucioneve për ta trajtuar në përputhje me legjislacionin dhe jurisprudencën ekzistuese, në respekt të plotë të parimeve kushtetuese dhe demokratike.

“A ka ndonjë që beson se zgjedhjet e 30 qershorit do të ishin të lira dhe demokratike dhe shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre?”, do të përgjigjej presidenti, duke theksuar nevojën për zgjedhje dhe jo votime, duke hequr paralele me ato të kryera në 45 vite regjim monist. “Nëse ka ndonjë europian dhe amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut. Këtu  jo se ka ardhur pluralizmi politik”, vijoi ai në konferencën e djeshme për mediat, ndërsa mes rreshtave u kuptua se replika ishte për zyrtaren e BE dhe zv.ndihmësin amerikan, Palmer.

Në një ditë  kur kryeministri Rama ndodhej në Bruksel për takime zyrtare me shefen e diplomacisë në BE, Federica Mogherini, kreun e Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe presidentin e KE, Jean-Claude Juncker, në kuadër të mbështetjes për çeljen e negociatave, presidenti Meta, do të shprehej me bindje se pa e zgjidhur krizën, Shqipëria kishte zero mundësi. “Jo për të çelur negociatat tani, por as në shtator dhe shumë vite integrimi nuk do të duket në horizont”. Kjo deklaratë e tij erdhi disa ditë pas vizitës në Gjermani, ku në mëngjesin e Lutjeve të takimit të 24-t Ndërkombëtar të Berlinit, bëri thirrjen për çeljen e negociatave sa më shpejt.

Pas konferencës së presidenti, kreu i qeverisë do të reagonte nga Brukseli. “Zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor”, shkruante Rama. Edhe presidenti i KE, Juncker, shprehu nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve. “Nuk dua të ndërhyj në këtë debat të brendshëm, por ndava pikëpamjen time që nëse zgjedhjet duhet të ndodhin, askush nuk duhet ti ndalojë që të shprehin pikëpamjet demokratike, prandaj jam në favor, pa ndërhyrje, që këto zgjedhjet duhet të zhvillohen, nëse jo do të dëmtojnë perspektivën Europiane të Shqipërisë”, u shpreh Juncker.

Por më herët, Meta kishte qartësuar edhe njëherë kompetencat e presidentit si i vetmi institucion, i cili dekreton një datë zgjedhjesh. “Mos u bëni qesharakë, në Shqipëri ka vetëm një institucion që shpall zgjedhjet dhe ky është Presidenti. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione, vendimet e tij i gjykon vetëm Kushtetuesja. Mund t’i çoni në Administrative apo Kolegj, apo po të doni edhe në gjykatën e Skraparit. Por zgjedhje nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e Presidentit”, tha Meta.

Mocioni i PS

Para se presidenti t’i shprehte këto, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi firmosi  urdhrin,  që i hap rrugën zhvillimit të mocionit me debat për dekretin e Presidentit Ilir Meta, në seancën e së enjtes.

Në draft-rezolutën e Partisë Socialiste drejtuar Kuvendit mbi mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar për shkarkimin e Metës, ndërhyrja e presidentit në fazën aktuale të procesit zgjedhor, gjykohet  si një mjet që ka cenuar rëndë barazinë e konkurrimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit. Kuvendi i bën thirrje Presidentit të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

“Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë, unë jam vetofruar për ta lënë këtë detyrë edhe gjithmonë gati që kjo sakrificë të bëhet në zgjedhjen e kësaj krize dhe gjithçka të funksionojë normalisht. Zgjidhim krizën pastaj ikën presidenti”, do të shprehej presidenti, që nisma e PS-së dukej se nuk e kishte gjetur në befasi, por në mungesë të Gjykatës Kushtetuese e di se hapat e maxhorancës, edhe nëse i sigurojnë votat në parlament, nuk do të mund të finalizohen, të paktën për ca muaj. Por nga dy muaj më herët, kur e paraqiste mundësinë e dorëheqjes si flijim për të ulur palët në bisedime, presidenti nuk foli për dorëheqjen e tij as kur firmosi dekretin dhe as dje kur u përpoq të jepte përgjigje pyetjeve që ishin ngritur ndërkohë.

“Nuk kam bërë tentativë për të komunikuar me Ramën atë ditë sepse më ka nderuar, ka vizituar Skraparin dhe Beratin për të marrë pjesë në miting. Kam bërë një përpjekje për të komunikuar me Zotin Ruçi për ta takuar, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është e gjithë historia pse Rama nuk ka qenë i surprizuar. Unë jam i surprizuar nga reagimi i tij, ka kohë të reagojë”, u shpreh kreu i shtetit, duke zbuluar se kreut të qeverisë ia kishte bërë të ditur më herët vendimin e tij.

Faji më i madh i Ramës

Vendimin për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve, që në fakt nuk është krejt i paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar, por i  kryer gjithnjë me pëlqimin mes palëve politike, presidenti Meta do ta arsyetonte si konsensual. Edhe pse nuk e kishte konsultuar mes palëve në një tryezë. Edhe pse tha se kreut të opozitës ia kish bërë me dije vetëm pak minuta para nisjes së protestës së tetë kombëtare.  “Dua t’ju siguroj që edhe  ky akt është bazuar  në një konsensus.  Jo si të mëparshmit ku zhvillohej një dialog pastaj zgjidhej kriza, por përsëri mbi një konsensusin e dy palëve për të mos dialoguar”, tha Meta, duke kujtuar shkaqet e krizës me Ramën që nuk lëviz nga pretendimi i zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor dhe Basha që nuk heq dorë nga pretendimi i opozitës se me Ramën kryeministër nuk do ketë zgjedhje.

Presidenti, i cili në rolin e tij kushtetues, qëndron i baraslarguar dhe mbi  palët, do t’i linte peshën më të madhe të përgjegjësisë kryeministrit Rama. “Mendoj se Rama duhet të tregonte më shumë fleksibilitet. Kryeministri është përgjegjësi shumë e madhe. Edhe ata mijëra shqiptarë që protestojnë janë të Shqipërisë, ku ai është kryeministër, paguajnë taksa dhe kanë kërkesat dhe pretendimet e tyre dhe duhet të respektohen dhe jo të fyhen dhe denigrohen”.

Nga urgjenca për ta lajmëruar pasditen e së shtunës, vendimin e së hënës për të parandaluar rreziqet e mundshëm që mund të vinin nga përshkallëzimi i protestës, presidenti tha se përpjekje e tij ishte edhe për të krijuar kushtet e një dialogu. Reagimin e qeverisë presidenti e komentoi si shantazh dhe presion ndaj kryetarit të shtetit, pasi ky i fundit “bën një përpjekje për të dhënë mundësi që kolonat e republikës së Shqipërisë të mos tronditen dhe të mos rrëzohen”.

Ai i siguron qytetarët se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë të mëvonshme dhe gjithmonë brenda një afati të arsyeshëm, në respekt me frymën e Kushtetutës, , duke sfiduar qëndrimin e kryeministrit për t’i kryer ato më 30 qershor.

Reagimi i SHBA

Efektet e vendimit të presidentit Meta për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve, po vlerësohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Siç u bë e ditur nga Zëri i Amerikës ditën e djeshme, DASh po ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit. Departamenti i Shtetit, do të shprehej zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.

Ky mesazh i ShBA-së vjen pas deklaratës së zv.ndihmës sekretarit të shtetit, Mattheë Palmer të shtunën para protestës, i cili tha se  përgjegjësit në rast dhune do të ishin Basha dhe Kryemadhi, në cilësinë e krerëve të partive të opozitës jashtëparlamentare. Edhe dje thirrja ishte e njëjtë për shmangie konfrontimesh dhe bashkëpunim.  Ndryshe nga kreu i shtetit, i cili u shpreh se në krizë Rama duhet të kishte treguar më shumë fleksibiliteti, zëdhënësi i DASh, do të thoshte se janë partitë e opozitës ato, të cilat duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale. Deri më tani, kreu i PD-së, nuk ka hequr dorë nga kushti i patjetërsueshëm për largimin e Ramës si kryeministër, formimin e qeverisë tranzitore dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme. Gjithashtu ShBA ka deklaruar se kushdo që i prish zgjedhjet, që priteshin të mbaheshin më 30 qershor, do t’u mohohet e drejta e vizës amerikane.

Presidenti Meta e kishte edhe një përgjigje ndaj amerikanëve, veçanërisht me Ambasadën e ShBA në Tiranë dhe ish-ambasadorin e saj, teksa përgjigjej rreth reformës në drejtësi,  në të cilën ShBA është investuar fort. “Kam unë frikë? Rama e di që unë nuk kam frikë nga asgjë, pastaj e di Ambasada amerikane. Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia që kam para popullit në detyrat që unë kam”, do të thoshte Meta, duke theksuar meritën e tij në miratimin e reformës. “Populli duhet ta dijë që reforma në drejtësi nëse u miratua me konsensus dhe nëse ka rekomandimin për negociatat,  e ka nga lufta që unë kam bërë për ta miratuar reformën”, tha Meta.

Në një qëndrim kundër të gjithëve dhe me monopolin e pushtetit të dhënë nga kushtetuta si institucioni për të dekretuar zgjedhjet, presidenti Meta më së shumti nuk kurseu ndërkombëtarët, duke iu treguar edhe njëherë së këtu, vendos ai.  Por thuajse të në gjitha herët, kanë qenë të dërguarit e posaçëm nga BE dhe ShBA që kanë mundur të zgjidhin krizat. Rol që rreket ta marrë presidenti, siç të paktën deklaron, Përpara dekretit të një  presidenti, të huajt i njohin kufijtë e ndërhyrjes së tyre dhe mesazheve që përcjellin, por sa do të rezistojë kjo matje force përpara thellimit të krizës, ku siç e ka treguar historia 30 -vjeçare  palët janë detyruar t’i shtrijnë dorën artritit të huaj?!/ Gazeta Liberale

(Visited 1 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *