Kryesore

Përballë nihilizmit

               Publikuar në : 09:43 - 07/12/19 Klementin Mile

Klementin Mile

Të gjithë njerëzit që i përjetuan tërmetet e nëntorit, por që fatmirësisht nuk mbetën viktima të tyre, kanë pësuar tronditje psikike të thella. Kjo reflektohet në të gjithë elementët e sjelljes së tyre. Më ka rastisur të bisedoj me njerëz të ndryshëm pas këtyre tërmeteve, me njerëz që dallojnë prej njëri-tjetrit nga statusi social, profesioni, mosha etj. Pavarësisht dallimeve, te secili prej tyre tërmetet kanë lënë një gjurmë që nuk fshihet dot: gjumin e bëjnë të keq, i kanë rimenduar referencat e gjërave të rëndësishme të jetës dhe mezi presin të zbardhë dita për të dalë jashtë shtëpisë e për t’u marrë me ndonjë gjë që të largojnë mendjen nga e keqja. Edhe pse kjo nuk pritet të ketë sjellë ndryshime strukturore në shoqëri, që për shembull të shohim hajdutin të fillojë të bëjë jetë të ndershme, këto tërmete megjithatë i kanë lëkundur, tronditur dhe thuajse shkatërruar sistemet tona të vlerave dhe besimeve.

Situata pas tërmetit nuk kërkon vetëm rindërtim në kuptim fizik të fjalës, por edhe rindërtim të vlerave dhe besimeve. Që të ndodhë kjo nevojitet reflektim i thellë, i cili të ketë aftësinë të arrijë deri te themelet e ekzistencës sonë. Nevojitet, pra, një reflektim filozofik. Në këtë nivel, rreziku më i madh me të cilin përballemi sot është nihilizmi. Ky është termi që i referohet asgjësë dhe asgjësimit. Çfarë rrezikojmë nëse e injorojmë problemin e nihilizimit dhe a kemi si ta përballojmë?

I pari qe zhgënjimi

Akti i filozofimit, i cili është i domosdoshëm për ne që të reflektojmë me thellësinë dhe radikalitetin e duhur për gjërat, fillon me përvojën e zhgënjimit. Kështu thotë filozofi bashkëkohor anglez, Sajmon Kriçli. Kjo përvojë zhgënjimi është edhe fetare edhe politike. Zhgënjimi fetar provokon problemin e kuptimit, pra, cili është kuptimi i jetës në mungesë të besimit fetar. Ndërkohë që zhgënjimi politik provokon problemin e drejtësisë, pra, çfarë është drejtësia dhe si mund bëhej efektive drejtësia në një botë të padrejtë dhe të dhunshme.
Në këtë kohë tërmetesh, kur ndihemi të vegjël, të papërfillshëm dhe të pafuqishëm, do të duhej t’i drejtoheshim masivisht fesë. Por, në fakt, kjo ndodh shumë pak. Zhgënjimi fetar lind nga konkluzioni që feja nuk është më në gjendje t’i japë kuptim jetës njerëzore. Ngushëllimi i madh metafizik i fesë lidhet me pretendimin se kuptimi i jetës njerëzore gjendet jashtë jetës dhe jashtë njerëzimit dhe, edhe pse jo jashtësi është përtej aftësive tona të kufizuara për të njohur, ne prapëseprapë mund të besojmë në atë drejtim.
Filozofimi, shkruan Kriçli, fillon me pranimin e pabesueshmërisë së këtij pretendimi, fillon atëherë kur është shkatërruar mundësia e besimit në Zot. Emri i përshtatshëm për këtë shkatërrim është moderniteti dhe detyra e modernitetit filozofik, që i arrin kulmet e veta me Hegelin, Niçen dhe Hajdegerin, është mendimi i vdekjes së Zotit në termat e problemit të fundësisë. Ky lloj mendimi nuk implikon vetëm vdekjen e Zotit të traditës judeo-kristiane, por edhe vdekjen e të gjitha atyre idealeve, normave, parimeve, rregullave, qëllimeve dhe vlerave që janë vendosur mbi njerëzimin për t’u dhënë njerëzve një kuptim të jetës.

Njeriu në ateizëm

Hajdegeri shkruante se hulumtimi filozofik është dhe mbetet ateizëm dhe kjo është arsyeja që filozofia mund t’ia lejojë vetes arrogancën e mendimit. Filozofia është asgjë po të mos jetë arrogante. Megjithatë, burimi i arrogancës filozofike është një zhgënjim që rrjedh nga shpërbërja e kuptimit, brishtësia që shoqëron pranimin e karakterit njerëzor, tepër njerëzor të njeriut. Prandaj filozofia, të paktën në modernitet, është ateizëm dhe të kesh një përvojë besimi do të thotë të ndalosh së bëri filozofi.
Në rast se ateizmi do të prodhonte kënaqësi, atëherë filozofia do të merrte fund. Ateistët e kënaqur nuk kanë arsye për t’u marrë me filozofi, përveçse si një shpërqendrim kulturor ose si një mjet teknik të mprehjes së sensit komun. Por ateizmi nuk prodhon kënaqësi; ai prodhon parehati. Prej kësaj gjendjeje shpirtërore parehatie filozofia fillon dialektikën e ankthshme dhe aporetike të saj dhe prej këtu mund të hidhen themelet e një fillimi të ri, e një rindërtimi pas katastrofës.

Lindja e nihilizmit

Filozofi gjerman Jakobi, duke kritikuar filozofinë e Fihtes, shkruante, “E përsëris: ose Zoti është dhe është jashtë meje, një qenie e gjallë që ekziston në vetvete, ose unë jam Zoti. Nuk ka alternativë të tretë”. Por te Niçe nihilizmi merr një përkufizim më të qartë. Në librin “Vullneti për Pushtet” Niçe shkruan se nihilizëm do të thotë që vlerat më të larta e zhvlerësojnë vetveten, që qëllimi mungon dhe që “pse-ja” nuk gjen përgjigje.
Nihilizmi është shkatërrimi i rendit të kuptimit, ku gjithçka që qe vendosur si burim i përtejmë vlere bëhet asgjë dhe bosh, dhe nuk gjen asnjë “varëse në qiell” për të ankoruar një kuptim për jetën. Të gjitha pretendimet e përtejme për një kuptim të jetës janë reduktuar thjesht në vlera dhe këto vlera janë bërë të pabesueshme, në nevojë transvlerësimi ose rivlerësimi.
Për Niçen, nihilizmi si gjendje psikologjike arrihet kur atëherë kur e kuptojmë që kategoritë me anë të të cilave kemi provuar t’i japim kuptim universit janë të pakuptimta. Kjo nuk do të thotë që universi është i pakuptimtë, por që besimi në kategoritë e arsyes është shkaku i nihilizmit. Prandaj ne kemi nevojë për kategori dhe vlera të reja që do të na lejonin ta durojmë këtë botë të bërjes. Pra këtë botë ku ndodhin katastrofa si tërmetet, përmbytjet, zjarret, vullkanet dhe luftërat.
Doktrina e famshme niçeane e rikthimit të përjetshëm është në fakt përpjekja e tij për krijimin e kategorive të reja të mendimit. Ajo duhet parë si antiteza e panteizmit. Ndërsa panteizmi është prania e Zotit në të gjitha gjërat, rikthimi i përjetshëm është përpjekja për ta menduar universin në mënyrë konsistente pa Zotin.

Kapërcimi i nihilizmit

Por doktrina niçeane e rikthimit të përjetshëm nuk arrin ta kapërcejë nihilizmin. Ajo është më shumë një kapërcim i dëshirës për ta kapërcyer nihilizmin, duke na lënë me po të njëjtat vlera që kanë nevojë të transvlerësohen dhe rivlerësohen. Filozofikisht mund të dallohen pesë mundësi për t’iu përgjigjur nihilizmit. E para, mund ta refuzojmë problemin e nihilizmit dhe të vazhdojmë njësoj, siç bën fondamentalizmi fetar i krishterë, mysliman ose judaik.
E dyta, mund të pretendojmë se nuk na shqetëson nihilizmi, të mos kemi angazhime metafizike dhe të mos shqetësohemi pse nuk i kemi. Kjo formë agnosticizmi do të refuzonte ta shihte nihilizmin si problem real, por thjesht si simptomë të një sëmundjeje të liberalizmit.
E treta, mund të reagojmë pasivisht ndaj nihilizmit, duke e pranuar si diagnozë të modernitetit, duke e ditur që bota është absurde, por duke e ditur gjithashtu që nuk mund të bëhet asgjë për t’i ndryshuar gjërat. Kjo moto e tipit “mos u shqetëso, ji i lumtur”, është në fakt një përvojë e rënies dhe dekadencës shpirtërore.
E katërta, është nihilizmi aktiv, një forcë shkatërrimtare e dhunshme që Niçe e lidhte me anarkizmin rus që e shihte veten si guidë e revolucionit të jetës së përditshme. Kjo dëshirë e madhe për revolucion total mund të maskohet në forma të ndryshme: revolucioni marksist, revolucioni fashist, mobilizimi total, hajdegerianizmi apokaliptik, terrorizmi etj. Siç thoshte Vaneigemi, “kreativitet plus automatik është kombinim i pandalshëm”.
Këto reagime ndaj nihilizmit mund t’i refuzojmë për arsye të ndryshme. Kështu, reagimi i parë e refuzon problemin e nihilizmit duke na kthyer te feja. Reagimi i dytë e hedh poshtë nihilizmin si pseudo-problem. Reagimi i tretë nuk arrin t’i përgjigjet problemit me anë të pranimit pasiv. Reagimi i katërt është i papranueshëm dhe priret të ketë pasoja shumë negative.
Në këto kushte, duhet të mendojmë për një reagim tjetër ndaj problemit të nihilizmit. Një reagim që nuk synon ta kapërcejë nihilizmin, por ta përvijojë atë. Ky reagim nuk do të ishte i vlefshëm vetëm për ta menaxhuar nihilizmin në raste katastrofike si ky i pas tërmetit në vendin tonë, por edhe për në kushte të jetës normale. Përvijimi i nihilizmit do të bëhej kështu një përvojë dekonstruktive e limitit, e cila përvijon kufirin e brendshëm dhe të jashtëm të nihilizmit, duke na e ndaluar njëkohësisht edhe kapërcimin edhe restaurimin e tij. Kjo përvojë kufitare do të na ndërgjegjësojë që as filozofia, as arti, as politika e vetme nuk mjafton për ta ndrequr botën. Detyra e mendimit është përballja historike me nihilizmin që nuk heq dorë nga kërkesa që gjërat të ishin ndryshe./Gazeta Liberale

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back