Aktualitet

Për Tiren dhe Tiret e “Sistemit” që Punojnë në Institucionet Publike

Shkruar nga Liberale
Për Tiren dhe Tiret e “Sistemit” që Punojnë në

Gerti Sqapi*

Ngjarja famëkeqë që u zbulua pak ditë më parë në lidhje me një sanitare që zhvaste një vajzë në dëshpërim për të shpëtuar jetën e nënës së saj në një spital publik, nuk është një rast i izoluar në shoqërinë shqiptare. Përkundër reagimit nga ana e autoriteteve më të larta të qeverisë (madje, Ministrja e Shendëtësisë u mor personalisht me ngjarjen duke i komunikuar ajo vetë publikut ndërprerjen e marrëdhënies së saj të punës me spitalin, dhe pas saj edhe Kryeministri nuk vonoi të reagonte) për të shpejtuar për të dënuar ngjarjen dhe për ta trajtuar atë si një rast të izoluar nga veprimtaria e përditshme në spitalet publike, në fakt ngjarje të tilla të abuzimit me postin, korrupsionit, kërkimit të rryshfetit, mitmarrja nga ana e personave që punojnë nëpër zyrat e institucioneve publike nuk janë aspak të pazakonta. Madje, janë aq të përhapura dhe të kudondodhura në Shqipëri, saqë mund të thuhet se ato as nuk përbëjnë më ndonjë lajm, habi apo skandal për qytetarët e thjeshtë, të cilët përballen me to, pothuajse cdo herë që halli i con të përplasen për shërbime në institucionet publike në vend.

Thënë kjo, raste të tilla të abuzimit me postin, korrupsionit, marrjes së rryshfetit për një punë për të cilën dikush paguhet nga paratë publike, nuk duhen kuptuar aspak thjesht si produkt i keqqverisjes apo faji i një partie apo i një individi në pushtet që janë përgjegjës për cfarëdo lloj shkelje që ndodh në zyrat apo me zyrtarët publikë të shtetit. Jo. Ngjarje të tilla janë produkt i një sistemi marrëdhëniesh sociale, një sistemi vlerash që theksojnë më së tepërmi klientelizmin,  format partikulariste të ndërveprimit mes anëtarëve të shoqërisë dhe mbijetesën (materializmin) në një mjedis ku pasiguria ekonomike, sociale, ligjore janë dukuri me të cilat qytetarët përballen cdo ditë. Format klienteliste dhe partikulariste të ndërveprimit nuk ekzistojnë vetëm në majat e pushtetit qeverisës dhe tek politikanët që kanë pushtet, por ekzistojnë pothuajse në të gjitha hallkat e shoqërisë shqiptare dhe janë tipare dominante në ndërveprimet dhe marrëdhëniet sociale mes vetë anëtarëve të shoqërisë. Të kërkosh të shkëmbesh votën tënde në këmbim të një vendi pune, në këmbim të 5000 lekëve apo një nderi që të bëhet personalisht, është formë klienteliste ndërveprimi. Të kërkosh të punësohesh në shtet pa të drejtë, pa plotësur kriteret, pa meritokraci, por thjesht duke qënë militant i një partie, është formë partikulariste dhe klienteliste ndërveprimi. Me shembuj të tillë të tjerë, mund të vijohej gjatë. Pra, kemi të bëjmë me një sistem, të cilin përgjatë gjithë këtyre viteve kemi kontribuar vetë si shoqëri ta ngrejmë dhe të funksionoj ashtu sic funksionon, dhe për të cilin ne të gjithë si shoqëri jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë.

Rasti famëkeq i sanitares Tire në spitalin publik “Shefqet Ndroqi”, duhet nuk kuptuar aspak më tepër se sa thjesht produkt i këtij sistemi marrëdhëniesh sociale dhe vlerash që dominojnë sot në shoqërinë shqiptare. Një sistem i cili i nxit anëtarët brenda tij (në këtë rast, të punësuarit në zyrat e shtetit) që të përfitojnë sa më shumë, ose të bëjnë sa më shumë lekë me cfarëdo lloj forme apo mënyre sapo t’u jepet mundësia pa pasur druajtje nga asgjë (fjala bie, nga morali, nga feja, nga Zoti, nga ligji); një sistem në të cilin, kur ke një post dhe sadopak pushtet që rrjedh nga ai, ti duhet të nxjerrësh maksimumin për sa je aty, sepse (pothuaj) të gjithë të tjerët kështu bëjnë, apo kanë bërë para teje; një sistem i cili mund ta shtyjë dikë të paguajë para në dorë (fjala bie, për Drejtorin e Drejtorisë Arsimore të rrethit, për deputetin apo kryetarin e partisë së zonës etj.) për t’u punësuar në një vend pune në administratë, në shkollë apo gjetkë, me shpresën se ai/ajo ato lekë do t’i nxjerrë shpejt dhe do përfitojë shumë më tepër nga ai post; është i njëjti sistem vlerash që e nxit mjekun/en që ta sorollasë pacientin/en nëpër spitalet publike dhe më pas ta drejtojë atë te klinika private që ta “shfrytëzojë dukë e vjelur” atë më mirë aty.

Po politika a ka faj dhe a është përgjegjëse për ngritjen dhe funksioninim e këtij sistemi? Sigurisht. Ndoshta është përgjegjësja kryesore dhe përfituesja kryesore prej këtij sistemi. Por, është edhe vetë e varur ndaj këtij sistemi. Fjala bie, Kryeministri qëndron në pushtet falë këtij sistemi klientelist që zgjatet nga lart-poshtë në shoqëri. Që të qëndrojë në pushtet në demokraci, atij dhe partisë së tij medeomos i duhen vota. Votat mund t’ia sigurojnë deputetët apo drejtuesit e partisë nëpër rrethe, apo edhe klientela ekstra-partiake, apo cdo kush “i njohur” i zonës që mund t’i sigurojë vota. Por mbështetja e këtyre, nuk mund të jetë falas, ndaj edhe ata duhen shpërblyer për mbështetjen që sigurojnë. Deputetit i lihet “dorë e lirë” për punësimet e mbështetësve apo të afërmve të tij pa asnjë lloj kriteri në administratën publike apo zyrat e pushtetit vendor të zonës së tij apo mund t’i lihen në patronazh dy ose më shumë drejtori në X Ministri; klientelën ekstra-partiake do e shpërblesh me tendera të majmë selektivë, me kontrata shërbimesh publike apo me koncensione; “të njohurin e zonës” që të ka siguruar një numër votash do ta shpërblesh edhe atë dukë i lënë hapësirë diskrecionale në zonën e tij zgjedhore për punësime, legalizime apo shërbime të tjera.

Pra, sistemi vepron nga lart-poshtë, dhe politika është po aq përfituese prej tij, po aq edhe e varur në kuptimin që, në kushtet aktuale si operon, për të qëndruar në pushtet ajo nuk bën dot pa të. Politika aktuale nuk mund ta luftojë dot në mënyrë të sinqertë një sistem, i cili e ndihmon atë drejtpërdrejtë që të qëndrojë në pushtet. Pavarësisht qëllimeve të mira apo idealiste që mund të këtë cdo kush që kërkon ta luftojë sistemin (kujtoni shprehjen e Kryeministrit Rama në 2013: “E ka fajin sistemi”, “duhet ndryshuar sistemi”), ai/ajo nuk mund ta bëjë këtë për aq kohë sa edhe vetë është i varur prej tij. Për aq kohë sa partitë politike në Shqipëri nuk do e bazojnë lidhjen me elektoratin e tyre mbi baza programatike/ideologjike, mbi premtime universaliste për të gjithë qytetarët dhe jo mbi shpërblime partikulariste (vende pune për militantët, legalizime, tendera, koncensione klienteliste etj.), dhe për aq kohë sa ato nuk japin shembullin vetë të parat se i luftojnë fenomene të tilla brenda tyre së pari, duke përjashtuar/dënuar eksponentët brenda saj që mbështeten mbi këto forma klienteliste dhe korrupsioni, atëhërë  cdo “luftë” ndaj sistemit do jetë e kotë. Madje nuk do vonojë dita kur ky sistem do prodhojë Tiren e rradhës, që si skandal do zgjasi disa ditë, deri në skandalin e rradhës.

*Pedagog në UET

/Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH