Krye

Për një diplomaci publike efektive në dobi të njerëzimit

               Publikuar në : 09:18 - 07/12/21 ro ot

Disa ditë më parë, në Takimin e 7-të të Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Global të Dimplomacisë Publike (Global Public Democracy Network—GPDNet), që u mbajt në Doha, Katar, UET Center u pranua si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë.

E krijuar në vitin 2014, në Seul, nga nëntë institucione publike e kulturore nga vende të tillë si, Filipinet, Korea, Nigeria, Polonia, Portugalia, Singapori, Suedia, Taivani dhe Turqia, GPDNet ka shërbyer dhe shërben si një platformë që i kontribuon komunitetit ndërkombëtar përmes iniciativave kulturore të shoqërisë civile, duke inkurajuar bashkëpunimin mes shoqatave, qendrave kulturore e studimore dhe institucioneve të ndryshëm në vendet pjesëmarës në këtë organizatë.

GPDNet përbëhet nga institucione jofitimprurës, që promovojnë diplomacinë kulturore dhe publike, duke shërbyer si një “soft power” që i kontribuon gjetjes së zgjidhjeve inovative, të orientuara në hartimin e politikave që lidhen me çështje që preokupojnë shumë vende dhe rajone të botës.

Prezantimi i UET Center në atë takim u bë nga studiuesi dhe dipolomati i njohur Fatos Tarifa, Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin European të Tiranës. UET Center është një prej dy institucioneve (i dyti është një institucion bullgar), që u pranuan në GPDNet këtë vit si anëtarë me të drejta të plota, ndër shtatë institucione që kishin aplikuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë nga shtatë vende të ndryshëm dhe do të jetë, këtej e tutje, i vetmi institucion shqiptar pjesëmarës në këtë Rrjet Global të Diplomacisë Publike.

Përveç prezantimit formal që Prof. Tarifa bëri në atë takim të Asamblesë së Përgjithshme të GPDNet, për të avancuar kandidaturën e UET Center për anëtarësim, ditën e fundit të Takimit të 7-të të Asambesë së Përgjithshme të GPDNet, Prof. Tarifa bëri një ndërhyrje të gjatë, një pjesë nga e cila e botojmë më poshtë.

* * *

I ndertuar z. Sekretar i Përgjithshëm,

Ishte një kënaqësi e veçantë për mua të merrja pjesë në këtë takim të 7të të Asamblesë së Përgjithshme për të prezantuar Qendrën UET si një kandidate e mudshme për t’u anëtarësuar në GPDNet…

Unë, ashtu si ju dhe si çdokush tjetër në këftë sallë, e dimë se diplomacia publike nuk e zëvendëson dhe as e zhvlerëson diplomacinë profesionale; ajo është komplementare me të dhe mund të jetë po aq efektive sa ajo. Duke qenë rrjeti më i gjerë i diplomacisë publike, që shtrihet në të gjithë kontinentet e globit, GPDNet ka realisht një potencial të madh për të krijuar ura që lidhin mes tyre popuj dhe kultura të ndryshme, ura përmes të cilave të mund të udhëtohet dhe të shkëmbehet lirisht për të krijuar së bashku një botë më të mirë. Kjo nuk është një një gjë e pamundur, një utopi. Por, edhe nëse ka njerëz që mund ta konsideronin këtë një dëshirë utopike, unë do të preferoja të përdorja fjalët e sociologut të shquar Anthony Giddens për ta quajtuar atë një “utopi realiste”.

Urat që mund të lidhin më mirë se deri më sot shoqëritë, popujt dhe kulturat tona janë të mundura sepse të gjithë ne, nga cilido vend që vijmë dhe cilësdo kulturë dhe shoqëri që i përkasim, kemi të përbashkët një gjë esenciale—HUMANITETIN tonë. Kushtet njerëzore për të gjithë ne janë pak a shumë të njëjtat. Ne priremi shpesh, madje nxitojmë për të vënë në dukje dallimet mes nesh. Dallimet janë një fakt jetësor dhe, që është kështu, kjo nuk do të thotë se dallimet mes nesh si individë dhe mes shoqërive tona janë domosdoshmërisht një gjë e keqe. Në fakt, diversiteti është jo vetëm një tipar i pashmangshëm i shoqërisë njerëzore, por edhe një tipar që i jep ekzistencës sonë si shoqëri dhe si individë më shumë kuptim, duke i bërë jetët tona më të larmishme e më të bukura. Por, duke e vënë theksin, ose duke venë dukje vetëm dallimet, ne shpesh here mohojmë, injorojmë, lëmë pas dore, ose edhe nuk arrijmë të shohim e të vlerësojmë ngjashmëritë që kemi me njëri-tjetrit.

E përsëris, ne jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Por, a nuk jemi ne, gjithashtu, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, fetare të çdonjërit nga ne, si individë, edhe shumë të ngjashëm me njëri-tejtrin po si individë? Shihni sa të ngjashëm jemi në argumentet që sjellim dhe në pikëpamjet që shtjellojmë, në vizionin që ndajmë dhe në dëshirat që shprehim dhe duam të realizojmë të gjithë bashkërisht. Dallimet dhe veçoritë tona individuale nuk na ndajnë, ato na bëjnë më interesantë, kuriozë ta njohim e ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe, unë besoj se këto dallime e bëjnë, gjithashtu, më të mundur që problemeve dhe sfidave të sotme dhe atyre të nesërme, me të cilat ndeshemi të gjithë ne, si pjesë e njerëzimit, t’u gjejmë zgjidhje racionale.

  1. Sekretar i Përgjithshëm,

Unë nuk besoj se njerëzit lindin për t’u bërë disa vrasës dhe disa viktima. Njerëzit bëhen të tillë për shkaqe dhe në rrethana të caktuara, që janë esencialisht shoqërore. Pikërisht për këtë arsye këto rrethana mundet edhe të ndryshohen. Unë nuk besoj se në Ruanda banorët e atij vendi kanë lindur Tutsi apo Hutu, për t’u therrur të parët nga të dytët, siç shpjegoi këtu fare mirë kolegia nga ai vend. Gjenocidi në Ruanda nuk shpjegohet me faktorë gjenetikë, por vetëm me faktorë socialë dhe politikë. Unë nuk besoj se njerëzit lindin ëngjëj apo djaj, ata bëhen të tillë në rrethana dhe për shkaqe shoqërorë.

Propaganda që ngjall urrejtje, të cilën e instigojnë kryesisht politika dhe politikanët, ka çuar dhe mund të çojë në çdo kohë në konflikte dhe në dhunë etnike apo fetare, në luftra dhe në genocid. Holokausti në Europën e pushtuar nga Gjermania naziste; genocidi sovjetik në fillim të viteve 1930; genocidi prej khmerëve të kuq në Kamboxhia në gjysmën e dytë të viteve 1970, prej të cilit u asgjesua një e pesta deri një e treta e popullsisë së atij vendi; genocidi ndaj armenëve në Perandorinë Osmane në vitet 1915-1922; genocidi në Ruanda më 1994; genocidi serb në Bosnje dhe në Kosovë, genocidi në Darfur apo në East Timur—asnjëri prej tyre nuk shpjegohet duke thënë se një pjesë e qenieve humane janë lindur kriminelë për të vrarë të tjera qënie humane, të lindura për të qenë viktima. Në çdo rast, krimi dhe genocidi kanë qenë dhe janë produkt i rrethanave shoqërore, jo atyre biologjike. Shkaku i tyre është ajo që, në sociologji e quajmë “human agency”…

I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm, të nderuar kolegë dhe miq,

Bota në të cilën jetojmë sot duket se është përçundnuar. Nuk është krejt e pamundur që bota e nesërme të jetë një botë edhe më e rrezikshme sesa kjo në të cilën jetojmë sot. Sigurisht, ka shumë arsye për të qenë pesimistë dhe të dëshpëruar për këtë gjendje, por ka edhe vend e arsye për optimizëm dhe shpresë. Gjithçka, siç vura në dukje më sipër, varet nga human agency. Këtu dëshiroj të vë në dukje rëndësinë që ka angazhimi i rinisë në problemet e mëdha të kohës. Bota e nesërme do të jetë bota e saj dhe Rinia e sotme duhet të ndërtojë një botë për veten e saj dhe për brezat që do të vijnë më pas.

Në përfundim, dëshiroj të citoj dy vargje të shkurtër nga një poezi e poetes së njohur afro-amerikane Nikki Giovanni, e cila është edhe një aktiviste e shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Poezia titullohet “Një dëshirë shumë e thjeshtë” (A very simple wish), dhe vargjet e saj lexojnë: “I have a mind to build a new world / Want to play?” (Unë mendoj të ndërtoj një botë të re / Dëshiron të bashkohesh edhe ti me mua?).

Këto vargje dhe mesazhi që ato përmbajnë shprehin, në thelb, qëllimin që duhet të orientojë çdo përpjekje tonën për një diplomamci publike sa më efektive.

Ju falemnderit! /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back